Vjedhje spektakolare në Francë, grabitet muzeu “Lalique”
Dëmi mund të arrijë deri në 4 milionë euro
Një grabitje spektakolare ka tronditur Francën verilindore, ku bizhuteri me vlerë miliona euro janë zhdukur nga muzeu i shtëpisë së njohur të kristaleve dhe luksit “Lalique”, në Wingen-sur-Moder.
Sipas burimeve pranë hetimit, autorët kanë hyrë me forcë në ambientet e muzeut në orët e para të mëngjesit të së dielës, rreth orës 05:30, duke synuar drejtpërdrejt sallën ku ekspozoheshin bizhuteritë më të çmuara. Brenda pak minutash, ata kanë arritur të marrin rreth 20 objekte të rralla, duke u larguar pa lënë gjurmë të menjëhershme.
Dëmi ekonomik pritet të jetë i konsiderueshëm. Burime të cituara nga hetuesit bëjnë me dije se vlera e sendeve të vjedhura mund të arrijë në disa milionë euro, me një shifër që mund të afrohet deri në 4 milionë euro, ndonëse përllogaritja përfundimtare është ende në proces.
Menjëherë pas incidentit, drejtuesit e muzeut vendosën mbylljen e përkohshme të tij për arsye sigurie dhe hetimi. Ndërkohë, alarmi i sigurisë ishte aktivizuar, por përpara se kontrolli të përfundonte nga shërbimet përkatëse, një punonjës pastrimi ishte personi i parë që konstatoi situatën dhe njoftoi policinë.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet intensive, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët dhe për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes.
Muzeu “Lalique”, i hapur në vitin 2011 pranë fabrikës historike të kompanisë, i kushtohet trashëgimisë së mjeshtrit të famshëm René Lalique dhe përfaqëson një nga qendrat më të rëndësishme të artit dekorativ, duke përfshirë stilin Art Nouveau dhe Art Deco.
Kjo grabitje e rëndë vjen në një moment delikat për sigurinë e institucioneve kulturore në Francë, duke rikthyer në vëmendje debatet mbi mbrojtjen e muzeve, pas disa incidenteve të fundit që kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



