Vritet italiani në Tepelenë, policia zbardh detajet
Policia e Tepelenës ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një shtetas italian u gjet i vrarë në zonën e Salarisë.
Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 00:30, në vendin e quajtur “Dilan”, është gjetur pa shenja jete në rrugë shtetasi italian E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë. Dyshohet se ai është qëlluar me armë zjarri.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, forcat e Policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur veprimet hetimore. Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor dhe identifikimin e autorit ose autorëve të dyshuar.
Kontrollet në terren janë intensifikuar, ndërkohë që Policia po bashkëpunon ngushtë me strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në Fier dhe Vlorë. Janë ngritur postblloqe kontrolli në zonë, me qëllim parandalimin e largimit të autorëve të mundshëm dhe gjetjen e çdo prove që mund të ndihmojë hetimin.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet janë angazhuar maksimalisht për të zbardhur motivet e krimit dhe për të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



