Zbardhen emrat e propozuar, opozita gjen konsenus për kandidatin
Ka përfunduar takimi i fundit i negociatorëve të Partisë Demokratike me aleatët, me synimin për të zgjedhur një kandidat apo kandidate të përbashkët që do të garojë për kryetare të Bashkisë së Tiranës kundër Ogerta Manastirliut të Partisë Socialiste.
Pas mbledhjes, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ishte i pari që doli përpara medias, duke mos zbuluar emrin konkret, por duke treguar se ata kanë propozuar një kandidat jashtë radhëve të partive politike.
“Ne kemi paraqitur një emër jashtë partive politike negociatorëve të PD. Nuk kemi vënë kushte, për ne është thelbësor që ky emër të pranohet,” tha Kapri.
Nga ana e tij, demokrati Belind Këlliçi shprehu optimizëm për takimin dhe u shpreh se po punohet për gjetjen e një figure që do të bashkojë spektrin opozitar. Ai premtoi që brenda disa ditësh do të publikohet emri konkret.
“Takimi ishte shumë pozitiv. Jemi dakord që të gjejmë një figurë që bashkon gjithë opozitën. Ka konsensus mes forcave politike për një emër që do të përballet me Ogerta Manastirliun. Kjo është një lajm i mirë dhe kemi një listë të strukturuar emrash të mundshëm,” tha Këlliçi, duke shtuar se tashmë po zhvillohen takime intensive dhe brenda dy ditëve pritet një vendim përfundimtar.
Ndërsa Ilir Alimehmeti theksoi se bisedimet vazhdojnë dhe se kontaktet me bashkinë e Tiranës janë kryesisht në nivel shoqëror, duke shtuar se takimet formale zhvillohen me partitë përkatëse.
“Ne do t’ua lemë ekspertëve këtë debat. Grupi negociator është i fokusuar në gjetjen e kandidatit të duhur,” përfundoi ai.
Mbas mbledhjes, burime bëjnë me dije se kandidatët e opozitës kanë propozuar: Ermal Hasimja, Edlira Çepani dhe Florian Haçka.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



