Zbulohet “shtëpia e barit” në Shijak, arrestohen 4 persona
Një prej tyre punonjës i OSHEE
Operacioni i koduar “Përshtatja” ka çuar në zbulimin e një skeme të mirëorganizuar për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura në Shijak, duke vënë në pranga katër persona dhe duke shpallur në kërkim një tjetër të dyshuar.
Aksioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Kontrollet u përqendruan në ambiente të mbyllura, ku dyshohej se përdorej teknologji ndriçimi për kultivimin e kanabisit.
Gjatë ndërhyrjes, policia zbuloi një magazinë në lagjen “Popullore”, e marrë me qira, e cila ishte përshtatur posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike. Ambienti ishte i pajisur me infrastrukturë të dedikuar, përfshirë sistem ndriçimi me llamba, ventilim dhe pajisje të tjera ndihmëse, ndërsa energjia elektrike sigurohej përmes një lidhjeje të paligjshme.
Brenda magazinës u gjetën dhe u sekuestruan 180 vazo që dyshohet se ishin përdorur për kultivimin e kanabisit, mbetje bimore, si dhe një sërë pajisjesh si pompa uji, filtra ajrimi, ventilatorë, llamba elektrike dhe elementë të rrjetit energjetik.
Në përfundim të operacionit, u arrestuan në flagrancë katër shtetas. Dy prej tyre dyshohet se kishin rol aktiv në kultivimin e bimëve narkotike në bashkëpunim, një tjetër akuzohet për moskallëzim krimi, ndërsa një punonjës i OSHEE-së dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos raportuar ndërhyrjen e paligjshme në rrjetin elektrik.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim një 25-vjeçar, i cili dyshohet të ketë qenë pjesë e kësaj veprimtarie kriminale. Sipas hetimeve paraprake, ambienti ishte marrë me qira dhe ishte përshtatur enkas për këtë aktivitet të paligjshëm nga disa prej të përfshirëve, të cilët kishin bashkëpunuar për ngritjen dhe funksionimin e tij.
Policia vijon punën për kapjen e personit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rrjetit të përfshirë në këtë aktivitet. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për vijimin e procedurave ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



