Zgjedhje mes tensionesh në Turqi kryeson partia e Erdoganit
Media shtetërore thotë se partia e zotit Erdogan ka marrë 47.5% të votave, ndërkohë që mbeten rreth 35% e votave pa u numëruar. Sipas rezultateve të hershme, partia opozitare ka marrë rreth 31% të votave.
Votimet u shoqëruan nga akte dhune ku mbetën të vrarë dy vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë në zona të ndryshme të vendit.
Megjithëse emri i Presidentit Erdogan nuk është në fletëvotime, ai ishte i përfshirë direkt në fushatën për zgjedhjet lokale. Shumë analistë e komentuan angazhimin e tij si shenjë se ai ishte realisht i shqetësuar se partia e tij mund të humbiste në gara kryesore. Zoti Erdogan zhvilloi dhjetëra tubime gjatë ditëve të fundit në Stamboll për të konsoliduar mbështetjen për partinë e tij.
Në të gjitha fjalimet ai është përpjekur të largojë vëmendjen nga ekonomia duke u përqëndruar tek siguria e vendit dhe duke ngritur shqetësime për kërcënime nga separatistët kurdë.
Një temë tjetër ka qenë axhenda e tij fetare. Ai ka luajtur në disa tubime momente nga masakra e 50 myslimanëve në dy xhami në Zelandën e Re, duke e prezantuar veten si mbrojtës të myslimanëve në mbarë botën. Analistët thonë se kjo retorikë ka qenë gjithmonë e suksesshme me bazën e tij nacionaliste dhe fetare./VOA
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



