1 muaj nga fillimi i Lëvizjes Studentore
Ora 9:30. Atmosfera në platenë e Korpusit ishte e mahnitshme. Një energji e pastër buronte nga dy mijë shpirtra të mbledhura në atë vend për t´i dhënë Kryeqytetit çastet e para të lirisë. Oratorë të guximshëm merrnin megafonin dhe thoshin se kjo ditë i përngjante Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 që luftoi për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Studentët sa vinin e bëheshin më shumë. Vrasja e frikës dhe indiferencës me sa duket kishte nisur.
Ora 10:00. Turma fillon të marshojë nga sheshi Nënë Tereza në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Thirrjet e para ishin emocionuese: Poshtë Diktatura! Gjithë populli është me ne! E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Me c´dukej e shkuara kishtë zënë vendin e se tashmes së zymtë për t´iu treguar të gjithëve se një e ardhme më e mirë arrihej përmes reagimit dhe organizimit studentor. Djemte dhe vajzat që mbushën për pak minuta Bulevardin mezi prisnin t´iu bashkoheshin kolegëve te Ministria e Arsimit.
Kalimi te sheshi Skënderbej pati momentet e veta interesante. Duke treguar një inteligjencë kolektive të habitshme, studentët u distancuan në unison nga instalacionet e sheshit duke ju bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që t´i linin “qoftet e lalit” dhe të bashkoheshin me ta në këtë ditë historike. Ashtu sikurse 28 vite më parë, sheshi qendror i qytetit u mbush me të rinj të lodhur me propagandën dhe punën boshe të pushtetit.
Ora 10:15. Turma qëndron në hyrje të Rrugës së Durrësit. Në horizont dallohen studentët e Arkitekturës, Inxhinierisë dhe Shkencave që kanë zënë vend para Ministrisë. Thirrjet e tyre nuk dëgjohen por rruga e mbushur përplot me studentë na bën të vetëdijshëm për lëvizjen e re që po lindte. Pasi u mblodhëm të gjithë filluam marshimin. “Cohuni nga kafet”; “eja mblidhuni këtu këtu” — ishin disa nga thirrjet që iu drejtoheshin qytetareve që shijonin kafenë në atë paradite me djell dhjetori. Papritmas para nesh u shfaq një kamion që kishte bllokuar rrugën dhe nuk na lejonte të bashkoheshim me studentët e tjerë tek Ministria. Pas disa momentesh tensioni arrijmë të depërtojmë dhe bashkohemi me vëllezërit dhe motrat tona studentë. Takimi qe epik. Një vrull i jashtëzakonshëm rinor shpërtheu në gjithë Rrugën e Durrësit, teksa banorët e pallateve përreth shihnin me habi tej dritareve.
Ditët e tjera janë histori. Protesta më vonë u bë trend. Memet, rrjetet soiale por edhe disa media e kthyen Rrugën e Durrësit në qendrën e zhvillimeve politike të atyre ditëve. Ardhja në shesh tashmë bëhej për inerci dhe reagimi u bë diçka krejt e natyshme, a thua se pak ditë më parë apatia dhe indiferenca nuk zinte vend në zemrat e mendjet e çdo shqiptari. Por ne u ngritëm, të tjerat janë pa rëndësi.
Sot lëvizja hyri në muajin e saj të parë. 30 ditë pas atij 5 dhjetori e kanë transformuar protestën duke na ndryshuar rrënjësisht edhe ne. Sot protesta nuk është më një zgjedhje, por e vetmja zgjidhja në kushtet kur pushteti shfaqet i paaftë të plotësojë disa kërkesa bazike tonat. Ne nuk e kemi më luksin të rikthehemi në auditore kur shohim se gjithë populli është me ne, duke na vënë mbi supe përgjegjësi qe disa prej nesh nuk kishim menduar apo nuk do donim kurrë t´i kishin. Vullneti ynë për ta cuar përpara kauzën mbart shpresën e një populli për ta parë Shqipërinë si vendin ku fëmijët e tyre lindin për të punuar e jetuar e jo për të ikur. Sa madhështore dhe e frikshme mbështetja e një populli!/exit.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



