100 metra qef
Edison Ypi
Agjenci udhëtimesh që të çon ku ta dojë kokrra e qefit, edhe në zgëqet më të humbura të planetit. Përballë agjencisë, dy supermarketa pranë e pranë. Kaq makina të shtrenjta sa ka në këto 100 metra nuk i sheh në të gjithë Shkupin. Në grataçiela në ndërtim e sipër, punohet edhe tani që ka rënë nata. Në të dy anët, pallate të reja banimi me apartamente super moderne me çmime si të Londrës. Butik me veshje të shtrenjta. Piceri. Dyqan bulmeti me pafundësi djathrash, qumshtash, gjalprash. Tjetër butik. Agjenci imobiliare. Disa kafene më elegante se të Milanos dhe Romës. Nga një rrugicë anësore vjen zhurma e një matrapiku që po hap kanale për fibra optike. Tjetër piceri. Brenda lokaleve dhe restoranteve nuk ka më tepër se nga katër a pesë klientë. Shqipëria e sotme nuk e njeh dyndjen, turmën, kallaballëkun. Një grek gjysëm i dehur tërheq përdore duke i bërtitur një fëmijë grindavec. Disa të rinj emigrantë flasin një italishte skadente tepër larg asaj të Dantes dhe Roberto Benignit. Dy të rinj nordikë me çanta të mëdha në kurriz nga ata që i bien rrotull botës nguten të marrin tragetin për kushedi se ku, ndoshta për në Pakistan ose Kinë. Celulari tregon se tek “nearby places”, pra tek lokalet aty rrotull, po hanë, kanë ngrënë, ose thjesht kanë qënë, ca miq të Fejsbukut, ata më të pjerdhurit, në fakt. Një Benz i madh xhiron rrotat duke i kallur tmerin miletit me tym e fëshkëllima. Nga ana tjetër e rrugës dy ndërtesa të larta kanë vënë në mes një hotel me 4 yje sikur e kanë arrestuar dhe po e shoqërojnë në Komisariat. Duhma parfumesh të shtrenjta si në qëndrat e metropoleve të botës. Kalojnë me ngut vajza të bukura barkzbuluara me xhinse frikshëm të shkurtëra të ngushta e të puthitura që dëshmojnë me përpikmëri rrënqethëse një nga gjërat më të bukura që ka bërë Perëndia, vithet e femrës. Disa minimarkete ku mund të gjesh gjithçka që humanoidët hanë e pinë. Sherrin për një parkim vjen e qetëson një polic me shkollë. Tre vajzave me flokë të lëshuara dhe të nxira të kapura përdore u ka zënë rrugën një qefli i papërmbajtur. Qefliu po u thotë vajzave me zë të dridhshëm; Dëgjoni vajza, ma hoqët trurin me këto kërthiza si kratere vullkanesh të heshtura. Fundshpinat tuaja më bëjnë të dridhem si purteka. Mpihem i tëri kur përfytyroj çfarë mbulojnë kanotierat tuaja. Secila prej jush është një botë me zgavra, tynele, male, kodra, brigje, pllaja, rrafshulta, rrafshnalta, shkurre, pyje, përrenj, lumenj, ujvara, qiell, det, dritë, Por ka një problem. Mungon gjysma pa të cilën gjithai qef nuk është i mundur. Ku janë ata, ata të nguturit, ata të paduruarit ? Ku j’u çon mushka e qefit të butë pa meshkujt e ashpër ? Perritë me pantallona si breçka dhe gjysmat e sisëve përjashta shpërthejnë në një niagarë të qeshurash, dhe zhduken mes dritave dhe reklamave. Kalojnë me zhurmë tre motocikleta të mëdhaja të çakërdisura me nga një djalë dhe një vajzë me skafandra. Një halabak e ka lënë Tojotën skiç dhe ka ikur. Një serioz që ngutet për diku, ndoshta në ndonjë takim me përmbajtje sentimentale, shan dhjetë breza halabakun e Tojotës që i ka bllokuar daljen e makinës. Në një restorant një këngëtare me nam po këndon me një zë të pjerdhur “Baila Morena”. Tek një karburant mbarojnë këto 100 metra qef.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


