100 milionë USD kompanisë me 100 mijë lekë kapital
Rama s’heq dorë nga PPP-të, miratoi koncesionin për laboratorët në spitale.
Qeveria e Ramës i ka dhënë koncesionin e laboratorëve të spitaleve të Lushnjës dhe Sarandës një kompanie shqiptare të drejtuar nga Karathano që del me humbje, në bashkëpunim me francezët dhe holandezët e panjohur. Vendimi i qeverisë i 24 prillit, është i habitshëm pasi ka ardhur vetëm katër muaj pas vendimit të “prerë” të Ramës për “mbylljen” e koncesioneve me PPP. Afrimi i zgjedhjeve, me sa duket ka sjellë nevojën imediate për para, dhe i vetmi burim “vjeljeje” jashtë tutelës së organizmave financiarë apo kompanive të huaja strikte në konkurrim, janë koncesionet përmes PPP-ve të cilat s’kanë fare konkurrencë
Edi Rama nuk heq dorë nga dhënia e koncesioneve përmes PPP-ve të famshme, pavarësisht deklaratës së disa muajve më parë për të ndërprerë aplikimin e tyre.
Teksa i duket kohë e gjatë katër muaj pa të tilla koncesione, tashmë që jemi dhe në prag të zgjedhjeve nuk ka duruar më dhe në mbledhjen e së mërkurës ka vendosur për një koncesion të tillë.
Në faqen zyrtare të Këshillit Ministrave një ditë më vonë është hedhur diku në një cep vendimi “Për miratimin e kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat “Për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës.
Kjo kontratë është nënshkruar gati dy vite më parë mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë fituese “Labopharma Sh.p.k & Exalab & AB Laboratory Solutions”, e cila ka marrë përsipër kryerjen e këtij investimi me një vlerë prej 100 milionë dollarësh.
Objekti i kësaj kontrate është financimi, projektimi, rinovimi, pajisja, riorganizimi dhe funksionimi i Koncesionit/Partneritetit Publik Privat për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale, dhe atyre bashkiake të Sarandës e Lushnjës.
Ndërkohë që burimi i Financimit të Projektit është Buxheti i shtetit nëpërmjet Spitaleve subjekt të kësaj kontrate, nga Koncesionari nuk do të paguhet tarifë e koncesionit.
Vlera e Kontratës (Projektit) llogaritur bazuar në mbështetjen financiare të parashikuar për gjithë kohëzgjatjen e kontratës është 13,005,966,000 lekë (trembëdhjetë miliardë e pesë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë) (pa TVSH), ose 100 milionë dollarë.
Pra Ministria e Shëndetësisë shpalli fitues të koncesionit të shërbimit laboratorik konsorcumin mes një kompanie shqiptare me 100 mijë lekë kapital, “Labopharma”, kompanisë franceze “Exalab” dhe një kompanie të panjohur holandeze, “AB Laboratory Solutions B.V”.
Konsorcumi fitues ofroi 10.70% zbritje nga çmimi i listës së testeve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, përqindja në koncesion ndahet në 41.7 për qind për kompaninë shqiptare Labopharma sh.p.k, 25 për qind për kompaninë franceze Exalab France dhe 33.3 për qind për kompaninë e regjistruar në Holandë, AB Laboratory Solutions B.V.
Ndërkohë që kompania kryesore fituese “Labopharma sh.p.k” është themeluar në vitin 2007 me aktivitet në import-eksportin e produkteve farmaceutike dhe zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Janis Karathano.
Ajo ka një kapital të nënshkruar prej 100 mijë lekësh, një total asetesh prej 55.8 milionë lekësh dhe bilanci i fundit i dorëzuar nga QKB tregon se ajo e ka mbyllur vitin 2015 me humbje.
Kompania franceze “Exalab”, sipas faqes së saj në internet rezulton të ketë një rrjet të gjerë laboratorësh biologjikë dhe deklaron se ka të punësuar rreth 400 persona. Kompania e tretë fituese “AB Laboratory Solutions B.V” rezulton e regjistruar në Hagë të Holandës, ndërkohë që mungojnë të dhënat e tjera.
Administrimi i shërbimit laboratorik të spitaleve nga kompani private për një periudhë 10-vjeçare është koncesioni i katërt i Ministrisë së Shëndetësisë, pas atyre të check up-it, hemodializës dhe sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Në buxhetin e vitit 2017, qeveria deklaroi se kostoja totale e katër koncesioneve parashikohej të kapte vlerën e 40 miliardë lekëve në 10 vjet, ose 320 milionë dollarëve.
Vendimi i qeverisë shqiptare më 24 prill për miratimin e kësaj kontrate koncesionare për laboratorët në spitalet e Lushnjes dhe Sarandës është i habitshëm pasi ka ardhur vetëm katër muaj pas vendimit të “prerë” të Ramës për “mbylljen” e koncesioneve me PPP.
Ndoshta afrimi i zgjedhjeve ka sjellë nevojën imediate për para, dhe i vetmi burim “vjeljeje” jashtë tutelës së organizmave financiarë apo kompanive të huaja strikte në konkurim, janë koncesionet përmes PPP-ve të cilat s’kanë fare konkurrencë./Pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



