Sulmi i paprecedentë i qeverisë së Shqipërisë ndaj SYRI.net
Nga SYRI.net – 15:14, 02/05/2017Të gjithëve ju kujtohet fushata e paprecedentë e kryeministrit Edi Rama, kundër medieve, gazetarëve dhe analistëve që mendojnë ndryshe nga ai. Kushdo që boton, shkruan dhe hedh fakte dhe dokumente për dështimin e Rilindjes si qeverisje; për skemën grabitqare të vjedhjes së taksave të shqiptarëve, të dorëzimit të territorit të vendit mafies së narko-trafikut; për krimin e katapultuar prej tij personalisht në legjislativ, pushtetin lokal e në administratën shtetërore…është kazan, moçal, e paguar dhe në shërbim të qarqeve antishqiptare.
Kreu i opozitës Lulzim Basha, që nga themelimi i Çadrës (Simbol i protestës popullore kundër pushtetit abuziv të instaluar këto katër vite) ka denoncuar hapur edhe nominalisht mediat e kontrolluara nga kryeministri, që prodhojnë lajme të rreme për kauzën e tyre. Për më shumë se dy muaj që kur situata politike ka agravuar dhe maska e Edi Ramës është çjerrë me shpejtësi, mediat që kanë qëndruar stoike duke treguar realitetin, janë gjendur nën një sulm të egër të udhëhequr nga vetë kryeministri i Shqipërisë.
Por Edi Rama dhe oborri i madh i tij, që përpunon gjithë këtë propagandë kundër atyre pak zërave mediatik që ende nuk janë blerë me sheshe ndërtimi, kioska apo favore të tjera që ka në dorë qeveria dhe që mbijetojnë në kushte të një terrori psikologjik, nuk ka ngelur vetëm në retorikë.
SYRI.net si një media e re online që brenda 2 vitesh u bë më e madhja në Shqipëri dhe nga më të mëdhatë në hapësirën shqiptare, është nga të paktat që në asnjë moment, nuk ka reshtur së denoncuari planin e kryeministrit për të shndërruar Shqipërinë në një autokraci të modelit të “erdoganizmit” apo “putinizmit”.
Nga ana tjetër ajo është një nga dritaret e pakta profesionale nga ku opozita shpërndan për opinionin kauzën e saj, për zgjedhje të lira dhe rrezikun e shndërrimit të Shqipërisë në një vend të kontrolluar nga mafia e narkotrafikut dhe oligarkët financiar, klientë të kryeministrit.
Nëpërmjet shkrimeve dhe analizave profesionale, të shkruara nga emra me reputacion, që nuk janë as të djathtë dhe as të majtë; as PD-istë dhe as “rilindas”, misioni i fjalës së lirë dhe rrëfimit të së vërtetës te SYRI.net duket se ka turbulluar dhe acaruar keqas kryeministrin e Shqipërisë. Në pamundësi për ta blerë, i dështuar me kërcënimet dhe shantazhet e shumta, është gjetur një mënyrë “efikase” në dukje, për ta goditur dhe sfumuar sado pak zërin e SYRI.net
U bë më shumë se 2 muaj faqja e SYRI.net Facebook sulmohet sistematikisht, nëpërmjet mijëra raportimeve të shumta dhe të koordinuara që organizohen direkt nga laboratori i përpunimit mediatik të kryeministrit. Një furtunë e vërtetë raportimesh për lajmet tona dhe komentesh negative prej kohësh sulmon faqen tonë në Facebook, e cila brenda një kohe rekord është një nga 2-3 më të mëdhatë në hapësirën shqipshkruese.
Me qindra individë të forumit rinor të PS-së pjesëtarë të administratës janë urdhëruar, që të raportojnë dhe komentojnë negativisht çdo lajm që hedhim ne. Miliona janë vënë në dispozicion të këtij operacioni të paprecedentë, që ka vetëm një qëllim; shuarjen apo sfumimin sa të mundin të zërit tonë. Si pasojë e kësaj nuk ka javë, që faqja jonë të mos bllokohet të paktë 3 ditë në mënyrë sistematike nga Facebook, i cili tashmë si një gjigant botëror mediatik e kryen këtë procedurë automatikisht, pa vërtetuar dot të vërtetën. Dhe kjo nuk po ndodh vetëm me ne, por edhe me ata pak zëra që përçojnë të vërtetën për kryeministrin e Shqipërisë dhe klikës që ai ka instaluar me shpejtësi.
Dhe ky sulm vërtetohet lehtësisht kur ne duke qenë një ndër 2 – 3 faqet më të lexuara në trojet shqiptare, para nisjes së fushatës së PS-së dhe protestës së opozitës, vlerësoheshjim me notën 5 më e larta në cilësinë e shërbimit nga Facebook, por më pas vërshimi i raporteve, komenteve dhe vlerësimeve negative na ka bërë brenda këtyre muajve Facebook, në mënyrë automatike FB të na ulë vlerësimin.
Ne jemi duke punuar me zyrën qendrore të Facebook, që kjo situatë absurde që cenon rëndë parimet bazë të lirisë së medias të zgjidhet sa më shpejt. Por me këtë rast jemi të detyruar të vëmë në dijeni gjithë trupin diplomatik në Tiranë dhe kancelaritë kryesore në Europë dhe SHBA, për këtë operacion malinj vrastar të kryeministrit të vendit. Të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe me organizatat ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e medias.
Por këto nuk janë të vetmet sulme. Prej më shumë se 1 viti SYRI.net sulmohet në mënyrë periodike. 3-4 herë në javë ndodhin sulme ndaj domain dhe uebit me qëllim që ta rrëzojnë atë, e të mos funksionojë, por kjo gjë nuk është bërë e mundur për shkak dhe të kompanisë me të cilën bashkëpunojmë me qëllim që të mos dëmtohet puna jonë.
SYRI.net tashmë është një autoritet në realitetin e mediave shqiptare, i pranuar si i tillë nga qindra mijëra lexues dhe këtë e ka arritur vetëm me profesionalizëm dhe integritet profesional. Kryeministri i Shqipërisë po përpëlitet më kot, që të na dëmtojë me këtë furi raportimesh dhe komentesh të urithëve të tij, por në fakt vetëm sa na forcon dhe na farkëton që të qëndrojmë edhe më të fortë përballë censurës që ai kërkon të vendosë në media.
SYRI.net nuk është as anti Ramë, as anti Rilindje, as në shërbim të opozitës, as… por është dhe do të mbetet përçues i të vërtetës, sado e hidhur që të jetë ajo, për këdo pa përjashtim.
SYRI.net
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



