“Po, në PS Veliaj e Xhafaj po komplotojnë… ju them që nuk e kanë të gjatë, do t’i var”
Rama i është përgjigjur këtë ditë të fundit të vitit një pyetje që ka qarkulluar shpesh nëpër korridoret politike e mediatike, se në ambientet prapa “perdes” në PS, ka një përplasje të ashpër mes Kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
Kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje Rama sot, por duke përdorur tone ironie dhe talljeje përkundrejt vërtetësisë që prezumonte pyetja e bërë nga gazetari. Rama gjithsesi ka dhënë një përgjigje që në të paktën, mund të quhet mjaft e “gjallë”.
“Po, ka komplot në PS dhe jam shumë i shqetësuar për këtë komplot lëvizje konspirative që synon gjëra shumë më të rënda që nuk i ndaj dot me ju, jemi duke menduar për një gjyq popullor dhe dënime të rënda, shumë të rënda, internime, dhe nuk diskutohet që koka është kryetari i bashkisë së Tiranës, ai është në krye të këtij komploti i mbështetur nga ish ministri i Brendshëm, ka edhe të tjerë por nuk ua them dot, dyshohet dhe për institucione të tjera në këtë konspiracion.. ka të dhëna që ka edhe studim shkencor të doktoreshës Kryemadhi për goditjen e qeverisë dhe më vjen keq që më kapët gafil por jam i detyruar ta pranoj.
Por ju siguroj që ky grup nuk e ka të gjatë, Veliaj mund të mbjellë pemë sa të dojë, por në një pemë do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore nuk e kanë të gjatë dhe do të jetë pjesë e një vepre që do të shkruaj dhe do t’ua jap me autograf’-tha Rama.
A ja ka lënë hapur derën “kampionit” Saimir Tahiri? Si përgjigjet Edi Rama
Rama është pyetur nëse dera e Partisë Socialiste është ende e hapur për Saimir Tahirin, nëse ky i fundit do të shpallet i pafajshëm nga gjykata.
Kreu i qeverisë është shprehur se fillimisht të gjithë duhet t’i kërkojnë falje për akuzat dhe llumin e hedhur ndaj tij dhe se derisa drejtësia të flasë për të, dera e PS është e mbyllur.
“Kërkojini falje si fillim për çfarë i bëtë, bazuar tek thashethemet e dy përfaqësuesve të llumit, që jua dhanë juve si fakte dhe ju mbushët dynjanë dhe madje arritët në pikën që na akuzuat pse nuk e çuam në burg. Kërkojini falje jo se e them unë, por sepse Prokuroria e Katanias i shkoi deri në fund hetimeve dhe nxori që gjithçka ishte kazan dhe për atë kazan ju kërkuat llogari përse ne nuk i hoqëm imunitetin që e mbron deputetin nga burgu. Prokuroria ta çojë deri në fund hetimin, deri sa drejtësia nuk ka thënë fjalën e fundit, Saimir Tahiri nuk është pjesë në PS”, tha Rama gjatë bashkëbisedimit të fundvitit me gazetarët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



