Basha ka humbur referendumin, brenda PD
Zgjedhjet formale në Partinë Demokratike përfunduan, dhe do t’i japin kryetarit në detyrë të drejtën, të sundojë mbi një PD të vdekur, që i mungon sot e tutje, modeli i zgjedhjeve, mungesa e zgjidhjeve, dhe rezultati që është një referendum kundër Bashës.
PD ka vrarë sot përfundimisht modelin dhe kulturën e zgjedhjeve. Një parti e madhe, që ka themeluar pluralizmin politik në Shqipëri, 27 vite më pas, prodhon një model koreano-verior për zgjedhje brenda partisë, duke duke fyer kauzën për zgjedhje të lira dhe të drejta, që shpesh herë kjo parti e ka paraqitur si argument pas humbjeve në zgjedhje parlamentare.
E vërteta është se PD është ndëshkuar shpesh herë nga mungesa e zgjedhjeve të lira në vend, për të fituar pushtetin, por ky është rasti kur PD po ndëshkon demokratët dhe anëtarët e vet nga mungesa e zgjedhjeve të lira për të zgjedhur kryetarin e tyre.
Duke bërë zgjedhje pa rregulla, pa kandidatë, pa program bashkimi për partinë dhe mbi të gjitha, zgjedhje bazuar në përjashtimin e shumicës së lidershipit historik të partisë, PD ka prodhuar një model zgjedhjesh, se si vidhet partia, por jo si fitohet ajo. Dhe kjo do ta ndjekë pas si mallkim deri në shuarje.
Nga ana tjetër, këto zgjedhje nuk vlejnë si zgjidhje për problemin themelor që ka PD. Kjo parti sot vuan nga ndarja e thellë dhe mungesa e besimit që ka shumica e partisë tek Lulzim Basha. Këto zgjedhje jo vetëm që nuk e zgjidhin këtë problem, por e thellojnë me arrogancën në të cilën po shpallen si zgjedhje.
Qetësia e PD ka humbur përfundimisht dhe sot e tutje, ajo do të harxhojë energji pa fund me kundërshtarët brenda saj dhe ata që e refuzuan kryetarin brenda partisë. I gjithë ky debat do të vlejë për ta rritur dëshpërimin dhe për ta vrarë shpresën që kjo parti do të vijë ndonjëherë në pushtet. Vetëzgjedhja e Lulzim Bashës në krye të partisë, nuk zgjidh as çështjen e bashkimit të partisë, as shpresën e rimbëkëmbjes së partisë dhe as çështjet e aleancave strategjike mbi të cilat do projektohet rikthimi. Lulzim Basha është ende i paqartë, nëse duhet të bëjë aleat të tij strategjik Ilir Metën apo Edi Ramën dhe mbi të gjitha është ende i paaftë të mbrojë secilën prej këtyre opsioneve. Ai nuk di ç’të bëjë me këtë post, përveç faktit që ta përdorë për ndonjë hall të tij.
Së fundmi këtyre zgjedhjeve mbi të gjitha nuk u vlen rezultati.
Edhe pse tërësisht të manipuluara, ata që i gatuan nuk guxuan dot të mbushin as gjysmat e kutive. Pra nëse zgjedhjet do t’i konsideronim një referendum për Lulzim Bashën brenda partisë, ai e ka humbur në start referendumin dhe nuk e ka votëbesimin e anëtarëve të partisë, edhe në këtë proces të keqmanipuluar.
Rezultati më tej nuk vlen për asgjë, pasi vota për Bashën nuk është votë për shpresë, por votë për mbijetesë të tij, votë e bazuar mbi parimin e viktimizimit dhe shpikjes së grupeve armiqësore, apo skemave konspirative “për marrjen e partisë”.
Ky nuk është një rezultat që dëshmon se Basha ka mbështetje në PD, edhe pse në pakicë, por një rezultat që tregon se brenda PD shumica kundër Bashës, është më e qartë se pakica e frikësuar dhe deprimuar, që shkoi e votoi pro tij.
Ai është sot kryetar i një pakice të dëshpëruar, që mendon se duke pasur vulën mund të zgjidhë ndonjë hall të tyre në opozitën e gjatë. Por rezultate të tilla pjellin një vdekje të shpejtë “klinike” të një partie, dhe nuk e gëzon dot askush. As ata që mendojnë se duke pasur vulën, kanë në dorë partinë.
Basha ka sot kundër, edhe ata që shpresuan tek ai, katër vjet më parë dhe nesër do ketë dhe ata që dolën votuan sot kokulur. Demokratët sot nuk kanë zgjedhur dot një kryetar, por kryetari në detyrë, i ka përzgjedhur ata, për t’i përdorur edhe katër vjet.Te
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



