E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Akil Kraja/MODELI I ANTI-HERONJVE VELIAJ E TAHIRI
Sot

Akil Kraja/MODELI I ANTI-HERONJVE VELIAJ E TAHIRI

Nën dritën skandaleve të njëpasnjëshme, bindja tanimë është pothuajse e plotë që ish-Ministri i brendshëm, Saimir Tahiri, ka përfituar dhe ka qënë bashkëpunëtor i skemës kriminale të kanabizimit të vendit gjatë katër viteve të shkuara. Ish-ministri dikur hero, tanimë është kthyer në një anti-hero. E vërteta e sotme zbulon gënjeshtrën e djeshme.

Partia Socialiste humbi një hero që duhet zëvendësuar sa më parë. A mund të ketë politikë pa heronj për t’u idealizuar, duartrokitur, votuar, ndjekur? Sipas arsyetimit se i mbyturi të mbyt, Rama po ikën së bashku me Tahirin. Ata janë sot e shkuara, ndërkohë Veliaj shihet si i vetmi i mbijetuar. Ai është sot krye-heroi i “Rilindjes”, shpresa e fundit e partisë.

Por realiteti është krejt tjetër. Ashtu si Tahiri, dhe Veliaj s’është veçse një anti-hero.

Veliaj është Kryetari i Bashkisë nën drejtimin e të cilit vdiq 17-vjeçari Ardit Gjoklaj, teksa punonte në Sharrë në të zezë për të blerë librat e shkollës. Një vdekje që ende sot e kësaj dite, është tërësisht e mohuar nga ai, ndërkohë që Sharrën vazhdon t’a paraqesë si një histori suksesi. Ky është Veliaj i kullave 40 katëshe dhe pse premtoi moratorium; Veliaj i inceneratorit të mbetjeve; Veliaj i ri-kioskëzimit të Tiranës, i tarifave të rritura për ujë, transport e pastrim; Veliaj i fasadave por dhe i konçesioneve për kompani nën-sekuestro; Veliaj i dhunës ndaj shitësve ambulantë; Veliaj i sheshit 20milion eurosh; Veliaj i dasmave në kështjella të financuara nga kursimet e mamasë… Si Tahiri, Veliaj veç gënjen.

Teksa po bien njëri pas tjetrit, heroi i “Rilindjes” po del një anti-hero.

Me rënien e Tahirit, ra i gjithë miti propagandistik i virtyteve të modelit qeverisës Rama. Përballja me realitetin italian rrëzoi përrallën shqiptare të “Rilindjes”. Një përrallë ku heroi doli të jetë një kriminel, mashtrues, i korruptuar, një shkelës banal i ligjit, një i droguar me vese e jetë të dyfishta.

E njëjta situatë dyzimi dhe në administratën publike. Heronjtë e të bërit shtet po dalin njëri pas tjetrës anti-reformistë, amatorë e zhvatës. Për katër vite me rradhë ata paskan qenë shkaku kryesor që reformat nuk ecnin në drejtimin e duhur. Si t’i lexojmë ndryshe spastrimet dhe dënimet kolektive të drejtorëve, imponimin e dorëheqjeve nën trysninë e pseudo-denoncimeve anonime, akuzat se tepsinë e paskan bërë vetëm ata poshtë, nënpunësit civilë? Mos vallë, krye-prijësi i luftës rilindase nënkupton që betejën e të bërit shtet e humbi për shkak të ushtarëve të tij? Kjo do të ishte një sjellje burracake, një sjelle tipike anti-heroi, apo jo?

Këtu është dhe burimi i kësaj situate. Të dy, si Tahiri e Veliaj, kërkuan të personifikonin një realitet të gënjeshtërt i cili ekziston vetëm në rrëfimet propagandistike të qeverisjes Rama. Heroi Tahiri, ashtu si heroi Veliaj, ishin një mashtrim bazuar mbi mashtrime. Modeli i tyre politik ishte një “skemë ponzi” ndërtuar mbi pazare dhe interesa okulte. Mjafton një kushëri apo një shofer mëndje-lehtë, dhe skema piramidale e këtyre anti-heronjve politikë bie menjëherë.

Ngjashmëritë mes Tahirit dhe Veliajt janë të mëdha.

1) Politika e “përrallave”: Që të bëhesh hero, nevojitet një luftë dhe akte heroike, nevojitet një mit, një legjendë, një histori trimërie, nevojiten sakrifica. Ndaj si Tahiri dhe Veliaj ndërtuan secili historitë e tyre. Njëri u bë hero mbi përrallën e luftës ndaj kanabisit, tjetri mbi përrallën e të bërit punë në Tiranë. Ndërkohë të dy ishin të kapur njëri nga mafia e kanabisit, tjetri nga mafia e ndërtimit. Njëra dorë lan tjetrën, ndërkohë që fitimet e kanabisit lahen në beton.

2) Politika e “super-starëve”: dy heronjtë e Rilindjes abuzuan me imazhin publik të pozicioneve që ata mbulonin duke çbërë institucionin dhe glorifikuar personin. Trupi i tyre u kthye në një objekt fetishizmi nëpërmjet bluzave me logo “supermeni” apo përdorimit si dekor të fëmijëve e të uniformave blu. Me kronika të stisura e të realizuara nga stafet e tyre PR, njëri filmohej me xhinse në luftën ndaj kanabisit në terren, tjetri me këmisha sportive në kantieret e Tiranës ndërkohë që ndodhet jashtë shteti prej javësh. Si Tahiri ashtu dhe Veliaj, kanë bërë gjithçka që të perceptohen si heronj “super-star”.

3) Politika e “çensurës”: Intervista e Zaganit ashtu si dhe reportazhi investigues mbi skandalin e Sharrës, janë dy shembujt më flagrant të çensurës ushtruar nga Tahiri dhe Veliaj. Njëri duke siguruar bashkëpunimin e policisë, tjetri lejet e ndërtimit, të dy arritën të çensuronin çdo zë kritik ndaj tyre në mediat shqiptare. Nën petkun e politikanëve të rinj e modernë, ata i bënin gazetarët të pranonin pa hezitime ftesat e tyre për udhëtime jashtë shteti apo për udhëtime me helikopter. Gazetarët në këmbim kthenin në “lajm” dhe detyrat më bazike për të cilën Tahiri e Veliaj paguheshin nga taksat tona, duke humbur kështu çdo pavarësi editoriale, etikë profesionale apo sens moral në shërbim të të vërtetës.

4) Politika e “fasadës” : pjesë e përrallës së përgjithshme të “Rilindjes”, dy heronjtë Tahiri e Veliaj u bënë avoketërit më të zjarrtë të politikës së fasadave të qeverisjes Rama. Duke bërë kështu, ata përfituan për vite të tëra imunitetin e plotë politik brenda PS-së. Në ndryshim nga Blushi apo dhe nga personalitete të larta socialiste të cilët kanë shprehur herë pas here dhe kritika ndaj Ramës, dy heronjtë super-star nuk kanë guxuar asnjëherë të vetme të thonë një gjysëm-fjale mbi kursin e gabuar të “Rilindjes urbane”, për investimet miliona euroshe në palma që thahen, mbi futjen e ligjit të importit të mbetjeve, për mungesën e fondeve për rrugët kombëtare, për lëngimin e ekonomisë apo eksodin masiv të shqiptarëve. Bashkëfajësia e Tahirit dhe Velijt është e plotë në çdo dështim të qeverisjes Rama.

Pasi kalon përtej përrallës, zhvesh petkun e super-starit, heq censurën dhe sheh përtej fasadave, realiteti është krejt tjetër. Tahiri dhe Veliaj u ofruan elektoratit shqiptar si heronj ndërkohe e vërteta rezulton të jetë tmerrësisht e zymtë, pothuajse e pabesueshme, meskine, kriminale e korruptive në nivele skandaloze. Heronjtë rezultuan anti-heronj, përfaqësues të nivelit më të ulët e banal të politikës, shfrytëzues deri në çmenduri të posteve të tyre ku njëri rezulton bashkëpunëtor i krimit që duhet ta luftonte, ndërkohë tjetri zhvatës i qytetit që duhet t’i shërbente. Nuk është e largët dita kur skandali Tahiri do të ndiqet dhe nga skandali Veliaj, ata janë të dy e njëjta farë…

Akil Kraja
Anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.