Proku-qeveria nuk prek dot të pandehurin “Ramë-Balla
Kur akuza bëhet Proku-Qeveri, drejtësia është fasoneri. Prokurorët që premtojnë dhe i binden kryeministrit, apo së fundmi edhe kryebashkiakut Veliaj, se do të bëjnë qokat e tyre si t’i duan, duke filluar me mosprekjen e inceneratorit të Tiranës, mjaft të gëzojnë karrierë të siguruar, meritojnë qelitë jo zyrat ku gjenden. Ndërkombëtarët?!
Ata po shohin shpesh e më shpesh ditën e rrogave financiare dhe emocionale, gjithësisht informale
Shpartallimi fatkeq dhe me dashje i drejtësisë, përdorja e saj si një plaçkë private, korrupsioni shpërthyes si përditshmëri, trafiku i drogës i pandërprerë, si normalitet me bilanc në rritje, vrasjet me porosi si në një market lagjeje, dëshmitarë me pendesë të vonuar dhe kontrolluar, hanëzimi paporta i Shqipërisë nga kombëtarë dhe ndërkombëtarë zullumdashës, eksodi biblik i shkretimit njerëzor, e ka kthyer vendin tonë, në një ngordhësirë institucionale, ku kasapi plak i thertores Edi Rama është ende kryeministër.
Pas vendosjes nga opozita të datës 7 korrik, për një protestë kundër gjithçkaje qeverisëse, ka nisur të lëvizë Prokuroria e Posaçme dhe jo vetëm, për të qokosur porositë e lëna rrugës nga Rama. Sajuan genocidistët e sistemit edhe hartën gjyqsore, me një Gjykatë Apeli për të rehatuar në Tiranë mandatpërfunduarit e partisë në KLGj, KLP, pa nami u bëftë me shërbimin e munguar.
Filloi me Nuredinin. Dëshmitar Dumani, pjesë e bandave dhe ekzekutimeve mafioze, nisi të rrëfejë në një kohë të sinkronizuar me thatësirën e rezultateve të drejtësisë. Prokuroria e lejoi rrjedhjen, saktësisht prej saj rrodhën në medie bilbilosjet e të penduarve dhe kur doli makineria jashtë kontrollit, apo ra ndonjë zile e zemëruar nga lart në hyqymet, bëri një urdhër idiot për parandalim botimesh.
Partnerët e BE dhe USA, vërshuan prej afro një viti në Tiranë me dosje të shumta për krimin e organizuar, ku shqiptarët kanë rritur kryesimin ndjeshëm dhe frikshëm. Raportet e ndërkombëtarwve u përmbytën. Shqipëria kapi vendin e shtattë në planet, të parin në Evropën Juglindore, për biznes të paligjshëm të canabis, heroinë, kokainë. Në parlament votohet ditë dhe natë për të vjedhur centimetrat e fundit të pasurisë e pronës publike. Butrinti, Pallati i Brigadave, investime strategjike për oborrtarë e gaztorë, ndoshta dhe godinat e qeverisë, ministrive, bashkive, institucioneve, do të jepen me koncension e me qera 1 euro, ortakevë të MAFIA-s ku aksionere është qeveria. Rikthimi i tollonave ushqimorë dhe produkteve të shportës, mund të jetë punë muajsh, me këtë vrap të pushtetit. Çmimet vendosen të gjitha nga shegertët e kryeministrit, duke e kthyer vendin në një dyqan personal të kreut të ekzekutivit, familjes së tij, miqve të botës së nëntokës. Një vit e dy muaj pas grabitjes së zgjedhjeve parlamentare, nën gjuhën e parasë kriminale dhe plumbave. Proku-qeveria arreston dy nëndrejtorë policie në Elbasan dhe pezullon gjashtë oficerë, për ngjarjen e 21 prillit 2021, ku humbi jetën Pjerin Xhuvani e u plagosën shumë të tjerë nga përplasjet me armë, nën vështrimin e patrazuar të drejtuesve të policisë e forcave speciale, prezent në vendngjarje. Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, 2 ish-zv.drejtorë të Policisë së Elbasanit, bashkë me gjashtë oficerë të tjerë policie, kanë dhënë dëshmi të rreme lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk ishte sekret. Prova kishte mjaftueshëm, madje ditën e ngjarjes. Vonesa ka plot justifikime proceduriale, e megjithatë, veprimi mbetet i cunguar, duke u shndërruar në mosveprim, si element veprës penale nga Prokuroria. Zëvëndësministri sot, drejtori përgjithshëm policisë në kohën e ngjarjes, Ard Veliu, ka konsumuar publikisht vepër penale të shpwrndarjes së të pavërtetave, në krah të prokurorit të çështjes Alfred Shehu, miratues në heshtje. Heshtje shpërblyese me dërgimin e tij në SPAK. Ngjashëm pjesë e kësaj shëmtie hetimore u bë Prokurori Elbasanit, Kreshnik Ajazi vëllai i deputetit socialist.
Kë janë duke mbrojtur?
Lehtësisht dihet. Taulant Balla ishte koordinatori politik, ndërsa në terren bandat lirisht bënin terror me armë dhe para. Prokuroria duhet të ketë jo pak dëshmi dhe prova të njohjes dhe bashkëpunimit mes këtyre bandave dhe drejtuesve politik. Edi Rama kishte dhe ka dijeni të detajuar për sa ka ndodhur. Ai ka mbështetur manipulimin, nëpërmjet shpërblimeve të pasngjarjes. Gradimet e Ard Veliut si zëvëndësministër dhe të Alfred Shehut si prokuror në SPAK, janë urdhra për të heshtur pas gënjeshtrës e manipulimit zyrtar të kësaj dosje të madhe. Opozita nismëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit, pa asnjë rezistencë e fiku këtë Komision. Ai do të kishte shërbyer si presion daj SPAK, për të mos fshehur, harruar e mënjanuar hetimin. Taulant Balla, Ard Veliu, Alfred Shehu, Kreshnik Ajazi, sot do të ishin në përballje me drejtësinë në hetim apo të pandehur. Ata në prag të qelive do të kishin nxjerrë edhe porositë e shefit nga Tirana, se kishin mundësuar licencën për bandat elektorale të qeverisë, të realizonin detyrat e Edi Ramës. Mandatet me çdo kusht, jashtë vullnetit të votuesve. Kjo do të bënte Kryeministrin të pandehur prej muajsh, bashkë me deputetin e tij strategjik në Elbasan. Por SPAK ka rënë nën sëmundjen e vjetër të Prokuorisë dhe tërë sistemit të drejtësisë. Të ngrysë orët e punës sipas klimës politike, jo asaj ligjore. Sot më keq se asnjëherë tjetër, të asaj drejtësie të asgjësuar në rastin më të keq, ose zezërisht të gjithëkontrolluar nga qeveria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



