Një grusht njerëzish kanë 60% të parave të vendit, 900 mijë shqiptarë me 100 lek në llogari

Paratë e Shqipërisë janë të përqendruara dhe kjo krijon edhe hendekun e madh mes popullit të thjeshtë dhe të pasurve, duke minimizuar në maksimum shtresën e mesme. Gjithashtu, në këto kushte, jeta për një qytetar të thjeshtë punëtor bëhet shumë e vështirë dhe blerja e të mirave materiale shndërrohet në një mision heroik.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të depozitave (ASD), kursimet në banka u rritën në vitin 2022, por pjesa më e madhe e tyre zotërohen nga një numër shumë i vogël individësh, që në zhargonin e popullit, një pjesë e tyre quhen oligarkë. 35% e depozitave që qytetarët kanë hapur nëpër banka, kanë maksimumi 100 lekë.

Në fund të vitit 2022, vetëm për individët, depozitat e sigurueshme ishin 1.16 trilionë lekë (9.8 miliardë euro), ose gati 82% e totalit të depozitave të sigurueshme në vend. Depozitat e sigurueshme, sipas ASD-së përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme.

Në total janë 2.6 milionë individë, që kanë depozita, por rreth 900 mijë depozitues kanë maksimumi 100 lekë në llogarinë tyre. 1.53 milionë depozitues të tjerë kanë më pak se 2.5 milionë lekë në llogaritë e tyre. Shuma e depozitave që u korrespondon këtyre depozituesve arriti vlerën 480.8 miliardë lekë në fund të vitit 2022.

Këta individë, që kanë më pak se 2.5 milionë lekë në banka përbëjnë 60% të totalit të depozituesve, por zotërojnë vetëm 41% të shumës totale të depozituar nga individët në banka. Sipas ASD-së, 114,798 individë kanë depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë. Ata përbëjnë vetëm 4.4% të totalit të depozituesve, por zotërojnë 680.8 miliardë lekë, ose 59% të totalit të depozitave të sigurueshme të individëve.

Ky është një fakt i qartë sesi ekonomia është e përqendruar te një numër i ulët njerëzish, që sipas një skeme të mirëorganizuar, vijojnë të pasurohen çdo ditë e më shumë në kurriz të rrogëtarëve, që me pagën e tyre mezi kalojnë muajin për shkak të çmimeve të larta.

Publikuar nga Publik Media