E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shkrirja e ASA-s/ Fuga: Ngrini flamurin në gjysmështizë, goditje vdekjeprurëse për kulturën
Sot

Shkrirja e ASA-s/ Fuga: Ngrini flamurin në gjysmështizë, goditje vdekjeprurëse për kulturën

Ditën e djeshme, akademiku Artan Fuga publikoi një letër publike për kryeministrin Edi Rama, ku rendiste 10 argumente kundër projektvendimit që shkrinte Akademinë e Studimeve Albanologjike.

Por sot qeveria miratoi shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Fuga ka bërë një tjetër reagim lidhur me këtë vendim, me të cilin jep edhe një mesazh për Ramën.

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ai deklaron se sot duhet ngritur flamuri në gjysmështizë, pasi pretendon se po luhet me historinë.

Ai thekson se shkrirja e ASA-s është një goditje vdekjeprurëse për kulturën kombëtare.

Reagimi i plotë:

Mbaroi!

Vijeni flamurin në gjysmë shtizë sot!

Mos kujtojë njeri se nuk e dija që letra ime më shumë do ta ndizte zjarrin e pasionit shkatërrues. Por, të lutesh për kulturën kombëtare nuk është kurrë turp. Është nder. Unë mund edhe të lyp për këtë. Di edhe të tjera gjëra të bëj.

Me durim.

Qysh sot, Shqipëria, pas ndofta një shekulli, nuk do të ketë më institut për albanologji, as një Qendër albanologjike si institucion më vete.

Hendeku është bërë greminë.

Kultura kombëtare ka marrë kështu një goditje vdekjeprurëse.

Pallavrat pa lidhje në shërbim të lobive antikombëtate nuk e mbulojnë dot gjëmën e ndodhur.

Shihni programet mësimore të gjimnazit, aprovuar nga Ministria e Arsimit, një keqtrajtim i ndyrë i trashëgimisë letrare, filozofike, artistike, kulturore kombëtare, një minim me tritol administrativ i traditave tona që duhej të mbanin lidhur popullin me atdheun.

Është një platformë e tërë!

Dhe pyesin gjoja të habitur: Përse ikin shqiptarët nga atdheu, nuk ikin serbët, nuk ikin boshnjakët, nuk ikin maqedonasit! Ja përse ikin. Se na kanë tharë çdo gjë kombëtare.

Është një disfatë tjetër. Shumë më e ndershme ama se ajo e atyre që me të tilla fitore do të kenë turpin me vete.

Mund të luash me pushtetin, por me historinë kurrë.

Kujtesa nuk do ta harrojë. Ka pasur kohë edhe me errëta dhe hiri është ndezur përsëri./ CNA.al

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.