Brukseli i ftohtë dhe integrimi i largët si tranziti i Lubjanës
Në Brukselin e ftohtë ku rreh zemra e Europës fryjnë mjaft korente, kokëcarje e kriza, nga Brexit e pasojat që po sjell largimi i Britanisë, emigracioni, Gjermania që ende nuk ka një qeveri pas zgjedhjeve, partitë e ekstremit të djathtë e ato populiste që janë kundër BE e po rriten kudo, e plot halle të tjera, duket se ka mbetur një zakon për tu kujtuar për Ballkanin Perendimor.
Një grup këshilltarësh kuvendi e politikanë të rinj janë ftuar në një vizitë dy ditore për të njohur Parlamentin Europian, një punë e përkorë kjo e Institutit Shuman, që e drejtojnë ca të rinj hungarezë mjaft të zotët.
Nëse je ndjekës i lajmeve, ti di shumë cka ndodh në atë godinë hijerëndë prej raportimeve profesionale të Erisa Zykës. Prapë, ka disa gjëra dhe një klimë që mund ta ndjesh e prekësh nga afër nga takimet me pjestarë të stafit të europarlamentarëve dhe me anëtarë të zgjedhur të PE.
Janë ndihmësit, asistentët, këshilltarët që bëjnë gjithë punën.
Ata e pranojnë në një farë mënyrë se në rastin e Shqipërisë e kanë neglizhuar punën e drogës dhe krimit dhe kanë nisur ta marrin seriozisht tani që dëmi u bë, pasi paraja e kanabisit bleu masivisht votat.
Pra dy vlerat themelore të Bashkimit Europian, demokracia dhe shteti ligjor, kanë rënë.
“Tahiri issue”, po, e kanë dëgjuar.
Po heshtja dhe mosreagimi i BE, i PE, i zemrës së Europës për aferën e madhe kriminale të drogës në Shqipëri e kanë goditur disi imazhin e Brukselit në një vend si Shqipëria, ku fjala e Europës ka peshë të madhe, dhe pritshmëria është po aq e madhe.
Igori nga Bosnja thotë se mosndërhyrja e BE në cështjet e pafundme e të koklavitura që ka ky vend, i ka cuar në 40 përqind mbështetësit e simpatizantët e Brukselit atje.
Të avashtë, të ngathët, burokratë, udhëheqësit europianë nuk ngjan se japin shumë shpresë.
Kur e pyet Andor Delin, një europarlamentar hungarez, se cili mund të jetë fati i integrimit, fjalë që e ke dëgjuar për herë të parë kur ishe 14 vjec, dhe mbetet një gjë njësoj e largët edhe tani që ti po bën 40, ai thotë me humor e elokuencë që nuk duhet humbur besimi.
Jep shembullin e tij. Kur kam qënë 20 vjec thotë, mezi kam nxjerrë një vizë për të kryer ca studime në Gjermani. “Ja ku jam sot, anëtar i Parlamentit Europian”.
Deli mendon se vendet e Ballkanit kanë shumë punë për të bërë, dhe do të pranohen një ditë në grupime, dy e nga dy, ose në bllok, pasi vota e shteteve anëtare, sidomos kur është me referendum si në Hollandë, nuk mund të vihet dendur në provë.
Teksa dosje, drafte, e raporte vërtiten andej këndej, Bashkimi Europian bëhet efemer dhe më i pakapshëm. E ardhmja e të qënit anëtar, po ashtu.
Po kjo nuk e pendon Xhim Begenë e disa tregtarë të tjerë, të bëjnë aheng në një shesh të lezetshëm pranë katedrales së Katerinës në Bruksel, një godinë impresionuese që ka marrë 23 vjet të ndërtohet në fund të shekullit të tetëmbëshjetë.
Ndoca tenda po ekzpozojnë e shesin aty produkte shqiptare që u valëvitet flamuri kombëtar pa pushim falë erës së ftohtë që nuk ka ndërmend të ndalet.
Era nuk ndalet, po kjo nuk e ndal rakinë, verën, birrën dhe ullinjtë shqiptare të shiten e të kërkohen nga belgët e turistët që kalojnë aty pari.
Kur kthehesh, tranziti i Lubjanës është në të vërtetë një alegori e problemeve të integrimit. Avioni vonohet me 2 orë e gjysëm dhe askush nuk jep një shpjegim për të qënë.
Takon një nëpunës administrate që po kthehet nga një trainim pranë një kompanie të madhe ndërkombëtare që paska vendosur ti ngrejë zyrat dhe përfaqësinë për Europën, në Beograd. 4000 vende pune. Ty të vjen ndërmend pastaj lideri ynë global që mundohej të bënte hokatarin me Vucic, i cili po e kthen vendin e tij qendrën më të madhe ekonomike në rajon, ndërsa Rama nuk ka sjellë ende një investitor të vetëm, edhe pse po hyn në vitin e 5-të qeverisjes.
Shfaqet dhe një burrë i gjatë që sikur të mos i mjaftonte shtati, ngre edhe më shumë kyet përpjetë duke pritur që ata njerëz të popullit të tij në tranzit, ta njohin e ti tregojnë respekt. Po askush nuk e bën. Se kush mund ta bëjë për Ilir Beqën, që u sul me babëzi bashkë me Edi Ramën mbi paratë e shqiptarëve e ndanë qindra milionë euro me miq, koncesione që nuk u bënë kurrë shërbime për qytetarët.
E pastaj presim integrim, thotë dikush duke përplasur nofullat.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




