KQZ dhe DHL shkelën kontratën
Tiranë, 24 Maj 2025 – publik.al
Partia Demokratike ka ngritur sot një tjetër akuzë të fortë ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke e cilësuar procesin e votimit të emigrantëve si një farsë 11 milionë euroshe. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja për Antikorrupsionin e PD-së, Genta Vangjeli, ka bërë publike një sërë shkeljesh të pretenduara në kontratën e lidhur mes KQZ-së dhe kompanisë DHL International Albania, për dërgimin dhe kthimin e zarfeve të votimit nga jashtë vendit.
Shkelje të rënda të kontratës
Sipas PD-së, kontrata e lidhur me vlerë 11 milionë euro me TVSH parashikonte qartë që DHL të mos përdorte nënkontraktorë. Megjithatë, në komunikime publike të zyrtarëve të Partisë Socialiste – përfshirë Taulant Ballën – janë promovuar emra si Speedex, Courier Center dhe ACS Courier si pjesë e procesit të shpërndarjes së zarfeve në Greqi.
Këto njoftime, të shpërndara nga PS dhe Ambasada shqiptare në Athinë, bien ndesh me vetë kushtet e kontratës, si dhe me Kodin Zgjedhor, që ndalon përdorimin e operatorëve të tjerë lokalë për këtë shërbim.
Përgjegjësia direkte e KQZ dhe Celibashit
PD thekson se përgjegjësia kryesore bie mbi Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili – sipas Vangjelit duhej të kishte monitoruar dhe ndërhyrë që në momentin e parë të shkeljes së kontratës.
Sipas akuzave, shpërndarja e zarfeve është bërë pa respektuar identitetin e votuesve, pa kërkuar dokument identifikimi dhe në shumë raste pa asnjë gjurmim zyrtar të dërgesës. Kjo bie ndesh me rregullat e miratuara nga vetë KQZ për procedurën e votimit nga jashtë vendit.
“Kjo farsë 11-milionëshe nuk është thjesht një problem teknik, por një skandal financiar dhe elektoral, që i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë miliona euro dhe ka dështuar të garantojë një proces të drejtë dhe transparent për diasporën,” – u shpreh Genta Vangjeli.
PD paralajmëron ndjekje ligjore
Në përfundim, PD deklaroi se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar përgjegjësi ndaj KQZ-së dhe kompanisë DHL, duke theksuar se dështimi i këtij procesi përbën shkelje të Kodit Zgjedhor, ligjit për prokurimin publik dhe vetë kontratës nr.1358/20, të nënshkruar më 4 Prill 2025.
“Kemi të bëjmë me një mashtrim të qëllimshëm dhe një menaxhim katastrofik të një procesi që duhej të garantonte të drejtën e votës për shqiptarët jashtë vendit. Kjo është e papranueshme,”përfundoi Vangjeli.