Adriatik Dosti

Më tërhoqi fort vëmendjen sot një shkrim i gjatë i Blushit, postuar në faqen e tij në Facebook me titullin: “E pse qenka i ndershëm Albin Kurti…”.
Të them të drejtën, shkrim më të poshtër të një shqiptari të Shqipërisë ndaj një shqiptari të Kosovës nuk kisha lexuar deri më sot.
Sapo e mbarova së lexuari këtë pacavure, që do të ketë çuar në ekstazë dy armiqtë e betuar të Kosovës – dhe veçmas të Kurtit – Vuçiçin në Beograd dhe Ramën në Tiranë, s’më hiqeshin nga mendja fjalët e arta të Konicës: “E keqja më e madhe shqiptarit i vjen pikërisht nga shqiptari”; po ashtu edhe ai pohim tronditës i At Zef Pllumit në librin “Rrno për me tregue”, ku mes dhimbjes pyet: “Si ka mundësi që një vend kaq i vogël sa ky i yni të prodhojë kaq shumë rrugaçë?”
Dhe meqenëse kishe shkruar aq gjatë për të na bindur se Albin Kurti nuk është askund i ndershëm, po të përgjigjem më shkurt – jo si avokat i kryeministrit të Kosovës, por si një shqiptar i ndershëm, patriot, atdhetar, nacionalist, demokrat, antikomunist dhe si një penë që kurrë nuk e ka konceptuar Shqipërinë veçmas pa Kosovë e Çamëri.
Albin Kurti, o Blush, është minimumi më i ndershëm se ti – në të gjitha drejtimet, e veçanërisht si shqiptar dhe si politikan – për 1001 arsye:
- Është i ndershëm sepse deri më sot është i vetmi politikan shqiptar që i ka treguar vendin kriminelit serb Vuçiç.
- Është i ndershëm sepse i ka vënë kufirin tek thana antishqiptarit Edi Rama, duke mos e lënë të fusë hundët në punët e Kosovës.
- Është më i ndershëm se ti e se ju, o Blush, sepse Albini dhe populli i tij e duan bashkimin kombëtar, ndërsa ju vdisni për përçarjen kombëtare. Albini është shërbyes i vendit të tij, ndërsa ju keni lindur dhe do të vdisni këlyshë e shërbëtorë të serbit e grekut.
- Është më i ndershëm se ju sepse e do me gjithë zemër vendin dhe popullin e vet, ndërsa ju prej kohësh e keni tradhtuar, shitur dhe vjedhur Shqipërinë, duke i përzënë dita-ditës shqiptarët nga atdheu i tyre.
- Është i ndershëm sepse po bën shtet, ndërsa ju e shndërruat Shqipërinë në xhungël.
Jo gjithmonë Amerika ka të drejtë, o Blush. Këtë e pohojnë edhe vetë amerikanët, kur thonë se Amerika nuk ka as miq e as armiq – ka vetëm interesa. Apo kur pranojnë se ta kesh Amerikën mike është e frikshme, por ta kesh armike është e tmerrshme.
Dhe jam i sigurt se edhe ti vetë i di këto, por soji yt është gatuar i tillë që as guxon t’i mendojë e jo më t’i thotë publikisht. Se po linde në frikën e lepurit – lepur do vdesësh.
- Albini, o Blush, është i ndershëm sepse nuk ka vilë në Dardhë si puna jote, as llogari bankare të fshehura në emrin e gruas – si rasti yt.
- Është më i ndershëm se ti sepse nuk ka ndërruar 100 parti politike, siç ke bërë banalisht ti.
- Është i ndershëm sepse nuk është hajdut, si 90% e kolegëve, shokëve e miqve të tu, veçanërisht politikanë.
- Është i ndershëm sepse ka zhveshur publikisht, lakuriq, banditët e politikës kosovare: hajnat e të korruptuarit M. Krasniqi, Limajn, Pacollin, Hotin, Thaçin, Mustafën, Abdixhikun, e veçmas injorantin Ramush Haradinaj.
- Është i ndershëm sepse u ka hedhur në fytyrë publikisht patriotizmin e tyre fals dhe filo-amerikanizmin qesharak të Isa Mustafës, Thaçit, Ramushit, A. Hotit e plot të tjerëve dhjeramanë të politikës kosovare.
- Është i ndershëm sepse që në fillim nuk pranoi atë lloj gjykate që donin t’ia impononin ndërkombëtarët, ku viktima dënohet më shumë se krimineli.
- Është i ndershëm sepse kurrë s’ka qenë pjesë e bandave kriminale që gjatë luftës e pas saj nisën të vrasin shokët e tyre – ndaj edhe sot, me të drejtë, janë në Hagë.
- Është i ndershëm sepse kurrë nuk ka ndërmend të pranojë Asociacionin që duan aq fort edhe amerikanët, sepse – ta them troç, o Blush – kjo do të thotë krijimi i një “Republika Srpska” të dytë në territorin e Kosovës, dhe rasti i Bosnjë-Hercegovinës nuk ka nevojë për koment.
- Është i ndershëm sepse kërkon, si askush tjetër më parë, njohjen e Kosovës nga Serbia si kusht kryesor për vazhdimin e dialogut dypalësh.
- Është i ndershëm sepse kërkon barazi të plotë në çdo tryezë e raund bisedimesh me Serbinë dhe ruan me fanatizëm dinjitetin e vendit dhe të popullit të tij – edhe kur kjo nuk u pëlqen BE-istëve e atlantikasve.
- Është i ndershëm sepse ktheu normalitetin në Mitrovicë e në krejt Veriun e Kosovës, edhe pse u përplas me lloj-lloj poshtërsish tipike serbe e ndërkombëtare.
- Është i ndershëm sepse i nxori lakuriq, me harta e thika në duar, ata që bënin pazare për ndarjen e territoreve të Kosovës: Vuçiçin, Ramën, Macronin e Batonin.
- Është i ndershëm sepse po i vë në bankën e të akuzuarve ata që shitën tokat e Kosovës Malit të Zi – me Ramushin në krye.
- Është i ndershëm sepse ua plasi bombën në dorë serbëve dhe ndërkombëtarëve në rastin kriminal të Banjskës.
- Është i ndershëm sepse, përkundër ndërkombëtarëve dhe fatkeqësisht edhe amerikanëve, kërkon reciprocitet në çdo gjë me Serbinë.
- Është i ndershëm sepse denoncoi i pari publikisht marrëveshjen fallco të Washingtonit, imponuar nga presidenti amerikan Trump e firmosur nga Vuçiç e Hoti.
- Është i ndershëm sepse e thotë qartë: “Si ka mundësi që Amerika t’i shpallë antiamerikan kombin dhe popullin më pro-amerikan në botë?”
- Është i ndershëm sepse është kundër asaj që kërkojnë amerikanët dhe ndërkombëtarët që po i servilosen kaq frikshëm Serbisë – “mirënjohjes së lirisë me litar në grykë”.
- Është i ndershëm sepse, kur Rama priste me tapet të kuq në mes të Tiranës kriminelin serb Vuçiç, kryeministrit të Kosovës i mbyllte dyert dhe i thoshte se “bashkë s’kemi më për çfarë të flasim”, pa iu qurravitur e pa u ulur në gjunjë, dhe për burrni nuk e shiti kurrë në pazar – siç Rama e meritonte.
- Është i ndershëm sepse palaçove e karagjozëve të BE-së, që prej dekadash luajnë me fatet e kombit dhe popullit tonë, u ka treguar vendin – edhe pse sanksionet e “miqve tanë” ndaj Kosovës dhe ndaj vetë Kurtit janë më të ashpra se ato ndaj Rusisë agresore.
- Është, së fundmi, më i ndershëm se çdo soj, lloj e racë juaja, o Blush, sepse e rrëzuan një herë me një grusht shteti tipik amerikan – nga fundërrinat e tipit Grenell – dhe populli i Kosovës e rivotoi sërish, edhe më fort, për ta pasur në krye të qeverisë së vet.
Të duhen arsye të tjera, o Blush, për t’u bindur pse Albin Kurti qenka kaq i ndershëm? Flas në përgjithësi, krahasuar me racën dhe llojin tuaj. Sepse, po ta krahasoja veçmas me ty, ai është – ehuuu, ku e ku – më i ndershëm sesa guxon të mendosh edhe ti vetë, qoftë edhe në ëndrrën tënde me kokë krisur.
A.R.D
Replika e Ben Blushit
Adriatik,
Dikur ishe në krahun tim kur ky vend po digjej dhe natyrisht nuk e harroj dot që, megjithëse merreshe me sport, njësoj si ne të tjerët e konsideroje “sport” antikombëtar qeverisjen e viteve 1996-1997.
Flas për kohën kur ti ishe gazetar te Koha Jonë dhe unë isha kryeredaktor. Që atëherë kam ruajtur një mendim të mirë për karakterin tënd të hapur, të çiltër dhe solidar. Ti ishe gjithmonë i qeshur kur ne ishim të ngrysur; gjithmonë i dashur kur ne ishim të ftohtë.
Prandaj u habita kur më je drejtuar si “ish-mik”. Nuk e di pse mund të jem “ish-mik” i një miku të dikurshëm. Por, kur lexova çfarë ke shkruar më poshtë, e kuptova: mesa duket, për të më fyer rehat, siç edhe ke bërë duhej të krijoje pak distancë. Është si ata që marrin pak hov për të thyer xhamin e dikujt me gurë: duhet të marrësh vrull që ta çosh topin në rrjetë. Këtë ke bërë edhe ti, edhe pse, në portën time, nuk e ke shënuar dot golin. Ke dalë huq. Ja pse.
Ajo që nuk kuptoj nga shkrimi yt janë dy gjëra.
Së pari, ku e gjen këtë vrull për t’u marrë me sojin, sorollopin, familjen, racën time etj.?
Kjo nuk është as burrërore, as e drejtë. Soji, raca dhe familja ime njihen prej katër brezash që i kanë dhënë këtij vendi kulturë, libra, alfabet, shkencë, filma, letërsi, poezi, romane dhe, mbi të gjitha, kurajë e shpresë, siç e ke parë edhe ti, nga afër, tek unë: një djalosh 28-vjeçar që në vitin e tmerrshëm 1997 drejtoja gazetën më të madhe të vendit mes plumbave. Mjafton t’ua tregosh njerëzve çfarë kemi bërë në 1997 dhe nuk ke pse merresh me “rracën” time.
Edhe sikur të ishte ndryshe, rraca dhe soji nuk mbajnë përgjegjësi për veprimet e askujt. T’i përmendësh dikujt sojin është e ulët dhe, si ish-kryeredaktori yt, unë nuk do ta kisha botuar kurrë një shkrim të tillë për arsye etike. Komunistët akuzonin njerëzit nga soji, por ti e konsideron veten antikomunist nuk mund të marrësh veset e tyre.
Së dyti, nuk kuptoj thelbin e shkrimit tënd: më krahason me Albin Kurtin, duke thënë se ai është më i ndershëm se unë.
Adriatik, ti e di që unë nuk kam qeverisur asnjë ditë as Kosovën, as Shqipërinë, ndaj nuk kam pasur mundësi t’i bëj dëm asnjërës. Ndërsa Albini, prej pesë vitesh në pushtet, me kokëfortësi ka shkatërruar marrëdhëniet e Kosovës me krijuesit e saj me BE-në dhe SHBA-në. A të duket normale kjo?
Pra, krahasimet që bën nuk më takojnë. Unë nuk kam takuar kurrë Vuçiçin, nuk kam shitur detin, nuk kam dhënë koncesione apo tendera, nuk kam ndryshuar ligje për miqtë e mi, as kam bërë ndonjë nga gjërat që mund t’i kenë bërë qeveritë shqiptare ku unë nuk kam qenë.
Besoj se e di – siç e di kushdo – që u largova në mënyrë demonstrative nga PS pas 20 vjetësh, kur ajo parti u mbush me banditë dhe rrugaçë, me të cilët jam përballur publikisht.
E di se në Kuvend kam mbajtur mbi 100 fjalime kundër partisë ku bëja pjesë dhe qeverisë së saj. Deri sot nuk kam parë askënd të flasë në atë mënyrë as nga brenda PS-së, as nga opozita, e cila ende sot përdor idetë e mia, edhe pse i artikulon keq. Pikërisht për këtë arsye ika, sepse idetë e mia për vendin nuk përputheshin më me metodën e qeverisjes së asaj kohe.
Për këtë shkak krijova një parti të re, Libra. Për gjashtë muaj ajo mori 20 mijë vota, por sistemi zgjedhor nuk më lejoi të hyja në Kuvend (flasim për vitin 2017). Me ato vota sot do të kisha një mandat e gjysmë. Kur provova me fakte që PS dhe PD më kishin masakruar votat në bashkëpunim, i çova në prokurori; kur pashë që nuk ndodhi asgjë, u tërhoqa nga politika aktive dhe vendosa të shkruaj libra – siç po bëj ende – dhe të punoj për të mbajtur familjen time, si çdo burrë tjetër.
Që atëherë shkruaj herë pas here mendimet e mia, edhe për Kosovën, duke kërkuar me çdo kusht bashkimin e saj me Shqipërinë – projekt që besoj se Albin Kurti e ka dekurajuar.
Ti thua se kam ndërruar shumë parti. Kjo nuk është e vërtetë: kam qenë vetëm në dy. Në PS ku ika kur shkrimtarët u zëvendësuan me banditë (skena publike, të dokumentuara në Elbasan, i gjen në YouTube) dhe në Libra, nga e cila dhashë dorëheqjen si kryetar kur nuk morëm rezultatin e dëshiruar.
Kjo është, pak a shumë, jeta ime politike dhe asnjë nga akuzat që ngre nuk më takon. Në 33 vitet e fundit kam qenë pjesën më të madhe të kohës gazetar, shkrimtar dhe opozitar – siç më ke njohur që në fillim.
Kaq për mua, Adriatik.
Besoj se më detyrohesh një ndjesë për gjërat e pavërteta që ke sajuar. Shiko çfarë ke bërë, që ta kuptosh në gjuhën sportive: ke akuzuar për gabimet e skuadrës një njeri që rri në tribunë e thotë pse skuadra nuk po luan mirë. Edhe sikur unë të kem gabuar, nuk kam faj pse nuk bëhet gol. Prej shumë kohësh, Adriatik, unë nuk jam më në fushë.
Edhe diçka: mos beso shpifjet që mund të kesh dëgjuar për mua. Është njësoj si të komentosh një ndeshje nga shtëpia pa e parë: dikush të thotë se u bë gol, ti e thua në radio, por në fakt nuk ka qenë gol sepse gazetarin e ka mashtruar dikush tjetër. Ti je gazetar i vjetër dhe nuk duhet t’i bësh këto gabime.
Të përshëndes,
Miku yt, Ben Blushi







