Topalli godet Ramën: Reforma në drejtësi dështoi, shteti në koma
Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka sulmuar ashpër reformën në drejtësi gjatë fjalës së saj sot në Kuvend, duke e quajtur atë “eksperimentin më të dështuar të shtetit shqiptar”.
Nga foltorja, Topalli tha se pas dhjetë vitesh nga miratimi i reformës, qytetarët kanë humbur plotësisht besimin te drejtësia, ndërsa edhe vetë qeveria ka pranuar dështimin e saj.
“Ndodh që edhe reformat dështojnë. Por kur dështojnë reformat në drejtësi, ky është rreziku më i madh për shtetin. Sepse në momentin që pushteti refuzon të pranojë dështimin, përballemi me një alarm që quhet shtet i kapur,” deklaroi Topalli.
Ajo kujtoi se gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka kaluar periudha të gjata pa institucione kyçe të drejtësisë.
“Për pesë vite kemi jetuar pa Gjykatë Kushtetuese dhe për disa vite pa Gjykatë të Lartë. Kjo do të thotë se kemi jetuar me një shtet në koma,” – tha ajo.
Topalli shtoi se mbi 33% e vendeve në gjykata dhe prokurori janë të paplotësuara, duke theksuar se kjo situatë ka paralizuar sistemin gjyqësor dhe ka vrarë besimin qytetar.
“Nëse në një gjykatë mungon gjyqtari, aty ligji vdes. Nëse mungon prokurori, aty krimi jeton. Dhe kur një vendim gjyqësor merret pas 16 vitesh, drejtësia humbet kuptimin e saj,” theksoi ish-kryetarja e Kuvendit.
Sipas saj, pas një dekade eksperimentesh të dështuara, drejtësia shqiptare ndodhet “në koma institucionale”, ndërsa qytetarët ndihen të pambrojtur përballë një shteti që, në vend që të garantojë ligjin, e shkel atë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



