Kush është gruaja gjermane që kishte transaksione me Agasin?
Hetimet e SPAK për skandalin e AKSHI po zgjerojnë rrethin e personave të përfshirë, ndërsa në fokus ka hyrë edhe një shtetase gjermane e lidhur me një transaksion financiar me Ergys Agasi.
Sipas burimeve nga hetimi, gruaja në fjalë nuk rezulton person publik dhe identiteti i saj mbahet i klasifikuar nga organet e drejtësisë. Ajo është marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitares, pasi rezulton bashkëshortja e një shtetasi gjerman që ka kryer një transfertë bankare me Agasin.
Burri i saj, ndonëse nuk ka depozituar kallëzim penal në Shqipëri, dyshohet se ka qenë subjekt presioni nga rrjeti i strukturuar kriminal që sipas SPAK drejtohej nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Ky rrjet akuzohet për manipulim tenderash publikë, presion ndaj operatorëve ekonomikë dhe raste të rënda si detyrim për tërheqje nga gara dhe rrëmbim biznesmenësh.
Dëshmia e gruas gjermane konsiderohet me rëndësi për të dokumentuar dimensionin ndërkombëtar të transaksioneve financiare dhe lidhjet jashtë Shqipërisë të këtij grupi. Ajo ka dhënë një deklarim të gjatë, i cili mbahet në sekret hetimor dhe nuk është bërë publik.
Hetimet kanë evidentuar se rrjeti i dyshuar operonte përmes ndërhyrjes direkte në procedurat e prokurimit dhe përdorimit të kompanive të lidhura për përfitime miliona euro.
Në këtë fazë, gruaja gjermane mbetet vetëm dëshmitare kyçe, ndërsa roli i saj lidhet ekskluzivisht me transaksionin financiar dhe rrethanat që çuan në marrjen në pyetje nga autoritetet shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



