Sa më shumë të gërmosh aq herë të dalin skandale të përbindshme në aferën korruptive të AKSHI. Zbulohen lidhjet e drejtorit të ri të AKSHI, i cili ashtu siç kemi dëshmuar më parë, duket se është emëruar në atë detyrë si garant i vijimit të aferës.
Më 14 prill 2026 është krijuar shoqëria aksionare shtetërore “Albanian Digital Solution” sh.a. (ADS), me aksionar të vetëm Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm, Igli Tafa. Sipas dokumentacionit të depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në të njëjtën ditë janë miratuar akti i themelimit, statuti i shoqërisë, emërimi i administratorit, këshillit mbikëqyrës dhe audituesit ligjor.
Ky proces ngre pikëpyetje serioze mbi ligjshmërinë e procedurës së ndjekur dhe mbi faktin nëse janë respektuar kompetencat institucionale që ligji i rezervon qeverisë dhe organeve përkatëse shtetërore.
Në dokumentacionin e publikuar nuk rezulton asnjë vendim i Këshillit të Ministrave, Kryeministrit apo ministrit përgjegjës që të autorizojë Drejtorin e Përgjithshëm të AKSHI-t për të ushtruar i vetëm të drejtat e aksionarit shtetëror dhe për të themeluar shoqërinë.
SHPJEGIMI I ZGJERUAR LIGJOR
Nga akti i themelimit, statuti dhe ekstrakti historik i QKB rezulton qartë se ADS është krijuar si shoqëri aksionare me aksionar të vetëm AKSHI-n. Megjithatë, sipas nenit 31 të ligjit 43/2023, kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm kufizohen në drejtimin e institucionit, përfaqësimin e tij në marrëdhënie me të tretët dhe zbatimin e politikave të miratuara, por jo në ushtrimin automatik të kompetencave të aksionarit shtetëror për krijimin e shoqërive të reja pa autorizim specifik.
Në mungesë të një akti delegimi nga Këshilli i Ministrave ose ministria përgjegjëse, lind dyshimi se themelimi i ADS është realizuar përtej kompetencave të lejuara ligjore, duke cenuar parimin e ligjshmërisë dhe hierarkisë së akteve administrative.









