Zbulohet ‘foleja’ e lojërave të fatit në Durrës, arrestohet 35-vjeçari
Policia e Durrësit ka goditur një rast të dyshuar të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit, duke finalizuar operacionin e koduar “Fati i lojërave”.
Gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të këtij operacioni, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Durrës kanë zbuluar një lokal në lagjen nr. 14, i cili dyshohet se ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit.
Në përfundim të veprimeve, Policia ka arrestuar në flagrancë një 35-vjeçar, i dyshuar si organizatori i aktivitetit të paligjshëm, ndërsa pronari i lokalit është proceduar penalisht.
Lokal i përshtatur për poker dhe baste
Sipas Policisë, në ambientet e lokalit u konstatuan tavolina pokeri dhe 15 aparate celularë, në të cilët ishin evidentuar faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale, uniformat blu sekuestruan tavolina pokeri, çipsa dhe 15 aparate celularë, të cilat dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm.
Kontrollet u kryen pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për ambiente që mund të përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Arrestohet organizatori, procedohet pronari i lokalit
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi F. T., 35 vjeç, banues në Durrës.
Sipas hetimeve paraprake, 35-vjeçari dyshohet se kishte marrë me qira lokalin në lagjen nr. 14 dhe e kishte përshtatur atë për zhvillimin e lojërave të fatit, përmes tavolinave të pokerit dhe aparateve celularë.
Ndërkohë, Policia ka nisur procedimin penal ndaj shtetasit M. M., 24 vjeç, pronar i lokalit.
Ai dyshohet për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokalit për zhvillim të paligjshëm të lojërave të fatit”. Sipas Policisë, pronari ia kishte dhënë ambientin me qira 35-vjeçarit pa lidhur një kontratë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



