Alarm në Shqipëri, e-mail kërcënues ndaj 150 institucioneve
“Do vrasim shqiptarë derisa Kosova të njihet si tokë serbe”
Një mesazh me kërcënime për sulme dhe pretendime për vendosjen e një bombe ka alarmuar disa institucione shqiptare. Dërguesi pretendon se përfaqëson Milicinë Serbe dhe paralajmëron hakmarrje ndaj shqiptarëve për çështjen e Kosovës.
Një valë kërcënimesh elektronike ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare këtë të premte, pasi rreth 150 adresa elektronike të institucioneve në vend kanë marrë një e-mail me përmbajtje kërcënuese.
Në mesazhin e dërguar, autori prezantohet si “udhëheqësi i Milicisë Serbe” dhe pretendon se ka vendosur një mjet shpërthyes në godinën e institucionit që ka marrë mesazhin. Sipas kërcënimit, shpërthimi do të ndodhte brenda një ore nga momenti i dërgimit të e-mailit.
Përmbajtja e mesazhit shkon përtej paralajmërimit për një shpërthim të mundshëm, duke përfshirë kërcënime të drejtpërdrejta për vrasjen e shqiptarëve. Autori e lidh pretendimin për hakmarrje me qëndrimin ndaj statusit të Kosovës, duke deklaruar se sulmet do të vazhdojnë derisa Kosova të njihet si territor i Serbisë.
Në tekstin e e-mailit thuhet:
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”.
Pas marrjes së kërcënimit, Policia ka nisur veprimet për identifikimin e personit që fshihet pas dërgimit të mesazhit. Autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të verifikuar pretendimet e bëra në e-mail.
Deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes, mbetet e paqartë nëse pretendimi për vendosjen e një mjeti shpërthyes ka bazë reale apo bëhet fjalë për një kërcënim të dërguar përmes postës elektronike. Identiteti dhe motivet e autorit nuk janë bërë të ditura.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




