….Në prag të vizitës së Hrushovit, “Zëri i Popullit” e përshkroi atë si “nxënësi besnik i V.I. Leninit, udhëheqësi militant dhe i shquar i PKBRSS (Partisë Komunist të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike) dhe i shtetit sovjetik, i cili ia ka kushtuar të gjithë aktivitetin dhe energjitë e tij rrugës së lavdishme të marksizëm – leninizmit, forcimit të PK së lavdishme të BRSS-së dhe shtetit sovjetik, forcimit të unitetit dhe kohezionit të vendeve të kampit socialist, luftëtar i paepur në mbrojtje të paqes në botë”. Më tej gazeta vijonte: “Nikita S. Hrushov është shoku më i madh dhe më i dashur i popullit shqiptar, i cili gjithmonë ka dëshmuar një bujari të veçantë duke ndihmuar popullin shqiptar që të ndërtojë me sukses jetën e lumtur socialiste”.

Vizita e Hrushovit në Shqipëri (25 maj – 4 qershor të vitit 1959) tejkalonte kohëzgjatjen e të gjitha bujtjeve të tij të shumta në vendet e tjera të bllokut me përjashtim të asaj në Kinë, në tetor 1954. Meqenëse kjo ishte vizita e parë e një udhëheqësi sovjetik, që nga ajo e Zhukovit në vitin 1957, zgjatja e saj në kohë ndoshta kishte për qëllim që të kompensonte ndonjë ndjenjë të neglizhencës në të kaluarën nga ana e udhëheqësve shqiptarë. Por, ndoshta më e rëndësishmja, ajo kishte si synim t’i jepte Hrushovit kohën dhe mundësinë për të krijuar një ide më të qartë dhe kuptuar më mirë Shqipërinë, problemet, liderët e saj si edhe për të fshirë çdo mbetje të mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Delegacioni, i përbërë nga nëntë anëtarë, ku përfshiheshin Hrushovi, Ministri i Mbrojtjes, Malinovski dhe anëtari i presidencës Mukhidinov, u nda në tre grupe për të vizituar vendin gjatë pesë ditëve të para të vizitës. Më 30 maj, të tre grupet u kthyen në Tiranë, ku u bë edhe një komunikatë e përbashkët në të cilën u njoftua se Bashkimi Sovjetik kishte rritur kreditë afatgjata në Shqipëri që nga viti 1957 në shumën 526 milionë rubla (131.6 milionë dollarë). Më 31 maj, të gjithë anëtarët e delegacionit me përjashtim të Hrushovit dhe Malinovskit u kthyen në BRSS. Këta të dy e kaluan pjesën tjetër të vizitës së tyre në Shqipërinë Jugore, duke vizituar Vlorën, Sarandën dhe Gjirokastrën, dhe instalimet detare dhe ushtarake në këto zona.
Deklarimet publike të Hrushovit gjatë vizitës kishin të bënin me tri tema: l) Lëvdatat për shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre; 2) Brengosja për sigurinë e Shqipërisë ndaj fqinjëve të saj, dhe 3) Shqetësimi për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai e mburri Hoxhën duke e quajtur “djali i lavdishëm i popullit shqiptar, Marksist -Leninist i shquar dhe mikun tonë të dashur” dhe Shehun si “organizator i zotë, i cili është i përkushtuar ndaj çështjes socialiste dhe mik i Bashkimit Sovjetik!” Ai paralajmëroi fqinjët e Shqipërisë dhe siguroi liderët shqiptarë se vendi i tyre kishte “të gjitha forcat e kampit socialist në anën e saj”. Duke kërcënuar instalimin e bazave të raketave në Shqipëri, nëse Greqia ka në plan të vendosë bazat e raketave atje, siç kishte bërë Italia, ai propozoi krijimin e një zone të lirë pa raketa bërthamore në Ballkan dhe Adriatik.
Ndërsa premtoi ndihmë të vazhdueshme ekonomike, ai tregoi pak zhgënjim me rezultatet e ndihmës së deritanishme. Ai kërkoi t’i inkurajonte shqiptarët që të bënin përpjekje më të mëdha për të shfrytëzuar burimet e tyre dhe për ta kthyer vendin në një “kopsht me drurë frutorë” duke u përqendruar në rritjen e llojeve të ndryshme të frutave dhe më pak grurë.

Vizita i ofroi Hrushovit shumë kohë për t’i testuar liderët shqiptarë në mjedisin e tyre dhe të përpiqet të sheshojë çdo diferencë dhe mosmarrëveshje të mbetur. Pas kthimit të tij në Moskë, më 6 qershor, në një fjalim, Hrushovi, duke iu referuar posaçërisht Shqipërisë, u ndal në dobinë e kontakteve personale mes udhëheqësve të partisë dhe qeverisë, jo vetëm për të sheshuar dallimet dhe mosmarrëveshjet, por edhe si një mjet për t’i parandaluar ato.

Situata paraqitej në publik se marrëdhëniet midis dy vendeve ishin forcuar më tej. Udhëheqja shqiptare u gëzua me vizitën e Hrushovit, e cila shtoi edhe prestigjin e vendit dhe atyre personalisht. Në fjalën e tij të mikpritjes më 25 maj, Hoxha i referohej Hrushovit si një mik i dashur dhe e siguroi atë se “populli shqiptar ju mirëpret me zemër dhe krahë hapur”. Shehu ishte po aq i përzemërt në lëvdatat e tij për Hrushovin dhe kontributet e tij ndaj Marksizmit-Leninizmit dhe Shqipërisë. Gjatë vizitës Hrushovi u bë edhe qytetar nderi i Shqipërisë. Një muaj pas largimit, Bashkimi Sovjetik njoftoi zgjerimin e një kredie të re afatgjatë për Shqipërinë prej 300 milionë rubla.

Sidoqoftë, vizita nuk ishte ndoshta aq e suksesshme sa edhe u shfaq publikisht. Hrushovi është i zhgënjyer me prapambetjen e ekonomisë shqiptare. Hoxha ndërmori një turr vizitash në fshat, në qershor, pas largimit të Hrushovit, në përpjekje për t’ju imponuar fshatarëve shqiptarë një program të rritjes së sipërfaqeve të mbjella me pemë frutore, sipas edhe bindjes së plotë të Hrushovit. Gjithashtu, Hrushovi me gjasë u bë më i vetëdijshëm për qasjen dogmatike që Hoxha dhe Shehu kishin ndaj problemeve të tyre, dhe ndoshta nuk u impresionuan nga aftësia e tyre për të udhëhequr një program që do ta kthente Shqipërinë në një “kopsht të bukur”. Liderët shqiptarë po ashtu u shqetësuan nga këmbëngulja e Hrushovit që ata të linin mënjanë frikën ndaj Jugosllavisë dhe të drejtonin vëmendjen ndaj problemeve të brendshme. Fakt është se Hrushovi kishte kërkuar ndalimin e polemikës anti-jugosllave, e kjo mund të vërehet në dështimin e të udhëheqësve sovjetikë dhe shqiptarë për të kritikuar në fjalimet e tyre publike Jugosllavinë. Për më tepër, në javët e mëparshme dhe përgjatë vizitës, blloku dhe shqiptarët vunë re se udhëheqësit shqiptarë po silleshin më miqësorë ndaj diplomatëve jugosllavë – një dukuri kjo e pazakontë. Në gusht, ministri shqiptar për Jugosllavinë, i cili ishte tërhequr një vit më parë, u kthye në Beograd. Deri në muajin shtator nuk filluan të shfaqen dallime të reja dhe të mbetura. Hoxha ashtu si edhe Shehu ishin me pushime për disa javë gjatë verës. Hoxha nisi pushime të gjata në Bullgari dhe Çekosllovaki më 10 korrik dhe nuk u kthye në Tiranë deri më 11 shtator. Shehu gjithashtu kaloi një muaj në BRSS duke filluar nga mesi i muajit gusht.
Shfaqen dallimet sino-sovjetike (kinezo-sovjetike)
Këto muaj, dallimet sino-sovjetike (Traktati i Miqësisë dhe Aleancës sino-sovjetike, është traktati i aleancës i lidhur ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Bashkimit Sovjetik më 14 shkurt 1950), sidomos mbi strategjinë ndërkombëtare komuniste, po bëheshin më të theksuara dhe më të dukshme. Më 9 shtator, TASS lëshoi deklaratën e saj të pashembullt të neutralitetit në mosmarrëveshjen kufitare sino-indiane (kinezo – indiane) dhe i bëri thirrje të dy palëve për ta vëzhguar çështjen. Në të njëjtën ditë, “Zëri i Popullit” botoi një editorial ku sulmoi fort Jugosllavinë për mbështetjen e Indisë në kontestin kufitar të Sineve (Kinës) dhe Indisë, duke e quajtur qëndrimin jugosllav një “fushatë shpifëse ndaj Kinës”. Më 20 shtator, Hoxha, duke u kthyer nga pushimet, rifilloi me zell polemikat kundër Jugosllavisë. Ndërsa shprehu gatishmërinë për të zhvilluar marrëdhënie normale shtetërore dhe për të promovuar tregtinë, ai tha se në baza ideologjike “ne kurrë nuk do të pajtohemi” me revizionistët jugosllavë që i shërbejnë kapitalizmit me veprime të tilla të turpshme “si duke vazhduar të fabrikojë intriga dhe të dërgojnë diversionistë” ndaj Shqipërisë.

Në fundit të shtatorit pati një rritje të papritur të interesit shqiptar në Kinë. Më 16 shtator Mihal Prifti, ish-ambasadori i BRSS, u emërua ambasador në Kinë dhe më 1 tetor u themelua shoqata e miqësisë shqiptaro-kineze në Tiranë. Homologia e saj ishte krijuar në Pekin një vit më parë. Gjatë kësaj periudhe (23 shtator-12 tetor), Shehu kryesoi një delegacion të partisë dhe qeverisë shqiptare për të ndjekur festimet me rastin e 10-vjetorit të Kinës Komuniste. Pas kthimit të tij, një tendencë e Shqipërisë për të mbështetur pozicionin kinez në çështjet e diskutueshme tregon në një farë mase se lidershipi shqiptar filloi politikën e kthimit pas në marrëdhëniet e dobëta me sovjetikët. Para shqyrtimit të afinitetit të pikëpamjeve mes Pekinit dhe Tiranës, ndoshta do të ishte e dobishme që së pari të shqyrtoj rrjedha e marrëdhënieve Kinezo – Shqiptare që nga themelimi i dy regjimeve.



