E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rusja që u dënua me 10 vjet burg në Shqipëri rrëfen gjithçka: Gardianët na shihnin nga vrima e çelësit…
Sot

Rusja që u dënua me 10 vjet burg në Shqipëri rrëfen gjithçka: Gardianët na shihnin nga vrima e çelësit…

Taisa Pisha

Taisa Pisha ka jetuar në Shqipëri përgjatë viteve ’57-’90, dhjetë prej të cilave i ka kaluar në burg. Gjithçka  ç’ka jetuar, ajo i ka përshkruar në një libër autobiografik “Shpresuam dhe mbijetuam”. Aty është treguar gjithçka, nga denoncimet, dhuna, spiunimet… gjithë elementët që i ishin kthyer në mënyrë jetese.

Libri u botua në rusisht dhe u përkthye më pas për t’u botuar në shqip, sipas amanetit të autores, e cila është ndarë nga jeta 3 vite më parë, raporton “Panorama”. Taisa ishte me origjinë hebreje, por e lindur në Rusi. Ajo u njoh me Gaqo Pishën në Moskë, ndërsa të dy ishin studentë dhe erdhi me të në Shqipëri ku u emërua pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Në vitin ’76 akuzohet për spiunazh dhe dënohet me burg. Menjëherë pas ’90-s, Taisa largohet me dy djemtë e saj në Izrael.

…Frika e kthen njeriun në rreckë, e privon nga mundësia për të rezistuar. Por ja që e gjithë puna e hetuesve bazohej te frika, te trembja. Shumë kemi lexuar e mësuar për rolin e ekonomisë në ecjen e ngjarjeve shoqërore (falë Marksit), jo më pak është thënë nga idealistët për rolin e ideve (falë Kantit), por askush nuk përmend frikën, çfarë roli ka luajtur ajo në fatet e njerëzve. Frika makabre, si i ka ndryshuar, thyer, sakatuar ajo njerëzit dhe ngjarjet.

Frika…kjo sustë komanduese e historisë! Nën ndjesinë e frikës i kalova të gjitha vitet e burgut, megjithëse ne vazhdimisht rrekeshim të rezistonim, ta mposhtnim frikën. Mua, njeriun aq të shoqërueshëm, frika dhe burgu më ndryshuan shumë. Tani jam bërë njeri krejt tjetër, e mbyllur, me shumë vështirësi afrohem me njerëzit. Kanë kaluar shumë vite, që pas lirimit nga burgu, por akulli i frikës në shpirtin tim ende nuk ka shkrirë. Edhe tani, që po shkruaj këto radhë, frika e vjetër ende më shoqëron.

Gardianët i bënin punët pa zhurmë, ecnin, afroheshin te dera për të parë nga vrima se ç’bëhej në qelitë, aq lehtë, sa nga brenda nuk e kuptoje dot se dikush të shihte nga vrima e veshur me rrjetë. Befas, në mes të kësaj qetësie, dëgjoheshin gërvima të frikshme, rropamë që të bënin të dridheshe, të kërceje përpjetë, teksa zemra niste të rrihte më shpesh. Dera hapej kanat dhe një zë i vrazhdë të thoshte: “Ej, ti, çohu!” Ecje nëpër korridor, në gjysmëterr, muret dhe dyert ishin të lyera me bojë kafe, shumë dyer, të gjitha pranë e pranë, te të gjitha ishin varur dryna masivë.

Gjithçka ishte menduar mirë, çdo vogëlsirë ishte sajuar e tillë që të të thyejë, të të shtypë, të të frikësojë. Njeriu me çdo gjë mund të mësohet, por unë kurrë nuk u mësova dot me zhurmën e shulave dhe drynit, me gërvimat e derës, kur hapej e mbyllej, me kërcitjet e kapakëve të vrimave në dyert e qelive. Gjatë paraburgimit s’kishte takime, ishte terr dhe dezinformim i plotë, as libra, as gazeta, as letër, as laps. Që të mos çmendesha, të merresha me diçka, sajoja gjithfarë: nxirrja nga dysheku i pistë një kallam kashte dhe “shkruaja” me të në dysheme, kombinoja fjalë çfarëdo, njëfarë fjalëkryqi. Kur hapej dera, mjaftonte një lëvizje e shpejtë për të kthyer gjithçka në një dorë kashtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.