Basha: Donika Prela grisi flet-arrestin për Vangjush Dakon
Kryetari i PD-së Lulzim Basha, akuzon Donika Prelën, drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, se “është autorja e grisjes së fletarrestit për Vangjush Dakon”.

Pas aksionit të policisë që, sipas burimeve zyrtare, çoi në pranga pjesëtarë nga katër grupe kriminale, Basha e quajti Dakon “peshkun e madh”, ndërsa akuzoi Prelën se ka shkatërruar hetimet që implikojnë kryebashkiakun e Durrësit.
“Peshku i madh i kësaj çështje quhet Vangjush Dako, të tjerët janë peshq të vegjël të cilët po serviren si pjesë e përpjekjes së Edi Ramës, Fatmir Xhafës dhe Donika Prelës, për të shpëtuar peshkun e madh të kësaj dosje Vangjush Dakon dhe për të shkatërruar provat, hetimet, të cilat çojnë dhe duhet të çojnë në arrestimin një orë e më parë të Vangjush Dakos”, tha Basha në një prononcim për gazetarët një ditë më parë. “Peshqit e vegjël që kanë arrestuar mbrëmë, do të lirohen dhe akuzat do t’u lehtësohen. Është e gjitha pjesë e një përpjekje të Prokurorisë të kapur nga krimi dhe nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafa. Sot ne faktikisht nuk kemi një Prokurori të Krimeve të Rënda, kemi një celulë kriminale e cila i shërben pikërisht këtij plani: që duke i servirur opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtare disa peshq të vegjël të cilëve prapë se prapë do t’i lehtësohen akuzat dhe do të lirohen, siç ka ndodhur në të gjitha rastet e derisotme, të mbyllet hetimi për Vangjush Dakon dhe të paktën katër depuetët të tjerë socialistë, si pjesë e kësaj dosje hetimore”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



