U dorëhoq apo e dorëhoqën
Ergys Mertiri
Dorëheqja e Xhafajt ishte edhe më e shëmtuar se qendrimi i tij në këtë post pas skandaleve të njëpasnjëshme në policinë e shtetit. Ai nuk e dha dorëheqjen as kur i vëllai shkoi në burg, as kur përgjimet e prokurorisë i nxorrën qesharake alibitë e qeverisë mbi babalet, as kur oficeri i policisë Nuhu faktoi kapjen e policisë së shtetit nga gango-deputetë që bëjnë ligjin në zonë me mjete të xhunglës. Xhafa u dorëhoq befas, në një ditë fundjave me diell, i kërcënuar së largu nga disa re të zeza në fund të horizontit, të shtyra drejt tij nga ministri paraardhës, sot nën hetim e me një këmbë në burg. U dorëhoq madje pa na treguar ende një motiv, pa gjetur dot as një pretekst.
Kjo doreheqje është më e shëmtuar se vetë skandalet. Ajo na ndihmon të imagjinojmë se deri në ç’farë mynxyre qendron realiteti i vërtetë pas kuintave, në një kohë kur vetë maja e ajsbergut të pisllëqeve të tyre, megjithëse kaq e frikshme, nuk ka arritur t’i luajë vendit.
Pyetja nëse u dorëhoq apo e dorëhoqën tashme nuk ka rëndësi. Qartazi po shfaqet cdo ditë e me shumë se këtu është dorëzuar shteti dhe horrat kanë mbetur peng tek njëri-tjetri dhe nuk arrijnë të bëjnë dot një kokë turku për të shpëtuar. Kjo është tashmë një nyje gordiane që pritet vetëm me shpatë. I dorëhequri sot duhet të ishte vetëm Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



