A do të hetojë SPAK-u edhe faturat e reja të “Bloom shpk” për Bankers
Nga Alb Talent te Bloom e Laureta Sulajt. Si Bannkers ndryshon kompanitë por vazhdon skema e faturimit fiktiv
Dosja penale për evazion fiskal dhe faturime të dyshuara fiktive tashmë ndodhet në SPAK. Ndërkohë që drejtuesit e mëparshëm hetohen për nxjerrjen e fitimeve përmes kompanive satelite, Bankers Petroleum ka rikthyer nënkontraktimin e stafit me një kompani shqiptare që e shtoi këtë aktivitet vetëm pak përpara marrëveshjes.
SPAK nuk ka më nevojë të pyesë nëse duhet ta hetojë Bankers Petroleum. Dosja e kompanisë më të madhe të nxjerrjes së naftës në Shqipëri ndodhet tashmë në Prokurorinë e Posaçme.
Pyetja është tjetër: A do të kufizohet hetimi te faturat, kontratat dhe drejtuesit e vjetër, apo do të shtrihet edhe mbi marrëveshjet e reja që Bankers po lidh ndërkohë që është nën hetim?
Të dhënat e publikuara ngrenë dyshimin se, ndonëse kanë ndryshuar emrat e kompanive nënkontraktore dhe drejtuesit e Bankers, mekanizmi i zhvendosjes së kostove mund të vazhdojë pothuajse në të njëjtën formë.
Skema që zbuloi Hetimi Tatimor
Hetimi ndaj Bankers Petroleum nisi më 30 dhjetor 2024, pas referimit të bërë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor.
Sipas Prokurorisë së Fierit, gjatë periudhës 2004–2024 kompania kishte deklaruar vazhdimisht humbje, pavarësisht se kishte realizuar shitje dhe eksporte me vlerë mbi 532 miliardë lekë.
Hetuesit ngritën dyshime se kostot e kompanisë fryheshin përmes faturave, kontratave të nënkontraktimit dhe shërbimeve të dyshuara si fiktive. Në këtë mënyrë zvogëlohej artificialisht fitimi i tatueshëm, ndërsa krijoheshin kushtet për përfitimin e kreditimit ose rimbursimit të TVSH-së.
Mes kompanive të përmendura në raportimet mbi hetimin ishin Petro Solution, Qing Long dhe Alb Talent Solutions. Sipas të dhënave të publikuara, këto kompani faturonin rreth 15 milionë euro në vit për shërbime të ndryshme ndaj Bankers.
Dyshimi i hetuesve ishte se një pjesë e shërbimeve nuk kryhej realisht, ndërsa shërbime të tjera faturoheshin me çmime disa herë më të larta se kostoja e tyre.
Pra, nuk bëhej fjalë thjesht për një faturë të parregullt, por për një mekanizëm të dyshuar të zhvendosjes së fitimit: paratë dilnin nga Bankers si “shpenzime”, kalonin te kompanitë nënkontraktore dhe reduktonin rezultatin financiar mbi të cilin llogariteshin detyrimet ndaj shtetit.
Prokuroria e Fierit njoftoi se procedimi përfshinte veprat penale të krijimit të skemave mashtruese me TVSH-në, fshehjes së të ardhurave, pastrimit të parave, shpërdorimit të detyrës dhe moskryerjes së detyrave nga organet tatimore. Në korrik 2025 u miratuan 14 masa sigurie dhe u ekzekutuan nëntë prej tyre. Njoftimi zyrtar i Prokurorisë
Dosja kaloi në SPAK
Në tetor 2025, Prokuroria e Fierit shpalli moskompetencën dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut, pasi gjatë hetimeve u konstatuan elemente të mundshme të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të grupit të strukturuar kriminal.
Fakti që më 31 dhjetor 2025 GJKKO zgjati me tre muaj afatin e hetimeve, me kërkesë të prokuroreve të SPAK-ut Enkeleda Millonai dhe Anita Jella, konfirmoi se çështja ishte marrë zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme. Vendimi për zgjatjen e hetimeve
Ish-drejtori ekzekutiv Hongping Xiao, i arrestuar fillimisht me masën “arrest në burg”, u la më 7 janar 2026 në “arrest shtëpie”. Ndaj tij dhe personave të tjerë të përfshirë vazhdon të vlejë prezumimi i pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjykate.
Por, ndërsa SPAK heton skemën e mëparshme, Bankers duket se ka vazhduar të përdorë nënkontraktimin e stafit.
Pas Alb Talent shfaqet Bloom
Në fillim të vitit 2026, Bankers Petroleum lidhi një marrëveshje për rekrutimin dhe administrimin e stafit me kompaninë shqiptare Bloom, me seli në Fier.
Kontrata është lidhur nga drejtuesi i ri i Bankers, Luntao Chen, i emëruar drejtor ekzekutiv më 19 dhjetor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga vetë kompania. Profili zyrtar i drejtuesit
Dokumenti i regjistrimit tregtar i siguruar nga Publik.al tregon se më 31 mars 2026 Bloom shtoi në objektin e aktivitetit:
“Agjenci rekrutimi për punonjës shqiptarë dhe të huaj, brenda dhe jashtë vendit. Agjenci ndërmjetëse për punësimin e punonjësve shqiptarë dhe të huaj në kompanitë shqiptare dhe të huaja”.
Pak kohë pas shtimit të këtij aktiviteti, kompania hyri në marrëdhënie biznesi me Bankers për rekrutimin e punonjësve.
Kjo përputhje kohore nuk provon vetvetiu një shkelje penale. Nënkontraktimi i stafit është një praktikë e ligjshme kur shërbimi kryhet realisht, çmimi është në përputhje me tregun dhe palët nuk kanë lidhje të fshehta financiare ose pronësore.
Por në rastin e Bankers, kjo marrëveshje nuk mund të trajtohet si një kontratë e zakonshme.
Nënkontraktimi i stafit përmes Alb Talent Solutions është pikërisht një nga mekanizmat që hetuesit e kanë vendosur nën dyshim në dosjen penale. Për këtë arsye, rikthimi i së njëjtës praktikë me një kompani të re kërkon verifikim të plotë.
Çfarë duhet të kontrollojë SPAK?
SPAK duhet të sekuestrojë dhe të verifikojë kontratën mes Bankers dhe Bloom, faturat e lëshuara, transfertat bankare dhe dokumentacionin që provon kryerjen reale të shërbimeve.
Hetimi duhet të përcaktojë:
- Sa është vlera e marrëveshjes mes Bankers dhe Bloom?
- Sa punonjës janë rekrutuar dhe çfarë shërbimesh konkrete janë kryer?
- Sa është kostoja reale e shërbimit dhe sa është shuma e faturuar?
- A janë punonjësit e kontraktuar përmes Bloom persona që më parë punësoheshin drejtpërdrejt nga Bankers?
- A ka lidhje pronësore, familjare, financiare ose faktike mes Bloom, drejtuesve të saj dhe personave të lidhur me Bankers?
- A janë njohur këto pagesa si kosto hidrokarbure nga AKBN-ja?
- A kanë reduktuar faturat ndaj Bloom fitimin e tatueshëm ose detyrimet fiskale të Bankers?
- A është verifikuar kapaciteti profesional i Bloom përpara lidhjes së kontratës?
- Kush e negocioi dhe kush e miratoi marrëveshjen brenda Bankers?
Këto të dhëna do të tregonin nëse kemi përpara një shërbim real të blerë me çmim tregu apo një hallkë të re të skemës së dyshuar të zhvendosjes së fitimit.
Bankers: Kontratat janë në përputhje me ligjin
E pyetur më herët për marrëveshjet me palët e treta, Bankers ka deklaruar:
“Të gjitha kontratat me ofruesit e shërbimeve të palëve të treta, kontraktorët dhe agjencitë e specializuara ekzekutohen në përputhje me protokollet e kontrollit të brendshëm dhe ligjin në fuqi”.
Ky është qëndrimi i kompanisë. Por ligjshmëria e një kontrate nuk përcaktohet vetëm nga ekzistenca e saj në letër. Ajo varet nga realiteti i shërbimit, çmimi, përfituesit fundorë dhe ndikimi fiskal.
Bankers ka kundërshtuar edhe akuzat e ngritura ndaj drejtuesve të saj dhe ka pretenduar se sistemi i rikuperimit të kostove është mbështetur nga vendimi përfundimtar i arbitrazhit të vitit 2024. Kompania ka deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet dhe se të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë. Qëndrimi i Bankers
Shpenzimet prej 236 milionë dollarësh
Problemi i kostove të Bankers nuk kufizohet te nënkontraktimi i stafit.
Më 18 qershor 2024, kompania njoftoi se ishte dhënë vendimi përfundimtar në arbitrazhin lidhur me kostot hidrokarbure të vitit 2012. Sipas raportimeve mbi përmbajtjen e vendimit, rreth 236 milionë dollarë shpenzime nuk iu njohën Bankers.
Korrigjimi i këtyre kostove ndryshon llogaritjen e fitimit dhe detyrimeve fiskale që kompania duhet t’i paguajë shtetit shqiptar. Njoftimi për vendimin e arbitrazhit
Kryeministri Edi Rama deklaroi në korrik 2025 se detyrimi i krijuar arrinte rreth 240 milionë euro. Megjithatë, mbetet e paqartë se sa është llogaritur përfundimisht, sa është kërkuar zyrtarisht dhe sa është arkëtuar.
Krahas kësaj, Bankers përballet edhe me detyrimin doganor të vitit 2019, i raportuar në rreth 120 milionë euro: 30 milionë euro akcizë e papaguar dhe rreth 90 milionë euro penalitete.
Pra, shteti ka përballë një kompani që hetohet për një skemë të dyshuar fiskale shumëvjeçare, ka detyrime të mëdha të kontestuara dhe vazhdon të lidhë kontrata nënkontraktimi që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e deklaruara.
SPAK duhet të ndjekë paratë e reja, jo vetëm faturat e vjetra
Hetimi i Bankers nuk mund të mbyllet duke analizuar vetëm bilancet e viteve të kaluara.
Nëse një mekanizëm i dyshuar vazhdon gjatë hetimit, SPAK duhet ta përfshijë atë në procedim dhe të ndjekë çdo pagesë të re. Përndryshe krijohet situata absurde ku drejtuesit e vjetër hetohen për nënkontraktime të dyshuara si fiktive, ndërsa drejtuesit e rinj lejohen të përdorin të njëjtin model pa kontroll.
Kontrata me Bloom nuk është provë automatike korrupsioni ose evazioni. Ajo është një indicie që duhet verifikuar.
SPAK ka kompetencën, dosjen dhe historikun e nevojshëm për ta bërë këtë. Tatimet kanë të dhënat e faturimit. Bankat kanë gjurmët e transfertave. AKBN-ja duhet të ketë dokumentacionin mbi njohjen ose refuzimin e kostove. Bankers dhe Bloom duhet të provojnë shërbimet e kryera.
Çështja nuk është më nëse Bankers ka përdorur shpenzimet për të ulur fitimin. Këtë dyshim e ka ngritur zyrtarisht vetë prokuroria.
Çështja është nëse skema është ndalur apo vetëm ka ndryshuar emrin e kompanisë që lëshon faturën.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



