A është shpifje fjala “horr”?
FRANO KULLI

Fjala “horr” mbahet mend nga prononcimi i parë i Kryeministrit, zotit Edi Rama, për një oficer policie, i cili kishte denoncuar atë ngjarjen e dhunshme, plot ndërlikime, që prej ditësh ka pushtuar gjithë hapësirën tonë publike. Ende pa u harruar ajo, dje zotëria e tij ka lajmëruar se: Shumë shpejt do të ketë një paketë antishpifje…E ka bërë këtë njoftim në stilin e tij, brenda një komenti në “Tëiter”, lidhur me rastin në fjalë dhe e ka përsëritur për së dyti, pa sqaruar ende se ç’lëndë do të ketë brenda kjo paketë. Porse e nënkuptuar si një ligj a si një si paketë me ligje, e munguar deri tani, që do të administruaka shpifjen. Shpifjen, sipas zotit Kryeministër. Po nëse do të jetë me të vërtetë e tillë, a do ta përfshijë kjo paketë edhe vetë zotin Kryeministër? A mund të jetë edhe Kryeministri pré e fjalëve të tij, nëse në kuptimin e ligjit që ai ka ndërmend të bëjë fjalët e përdorura prej tij në publik të çmoheshin si shpifje ?
Fjala “horr”, në fjalorin e gjuhës shqipe shpjegohet: si( fjalë sharëse), njeri me vese, njeri pa cipë, pa nder, rrugaç. Fjalë, zakonisht e përdorshme në atë që emërtohet si fjalor i rrugës ndërmjet njerëzve me nivele fillestare të edukatës. Dhe si e tillë, krejt e padenjë për një burrë shteti, i cili ka në administrim mjete shumë më efikase pushteti për të bërë detyrën e vet të lartë. Kurse Kryeministri ynë e ka përdorë këtë epitet për një punonjës të shtetit, që drejton dhe jo vetëm kaq, por ka kërcitur dhëmbët, duke bluar me to kërcënimin se: “Do ta ndjekim këmba-këmbës kudo”. Atë “horrin”, sipas tij. E gjitha kjo është një mizanskenë e pështirë, krejt e pakëndshshme edhe për një person me akses modest publik, kurse për formatin e njeriut në pozitën më të lartë publike, siç është Kryeministri, krejtësisht e papranueshme. Mirëpo, Kryeministri ynë, në strategjinë e tij të dhunës si mposhtje e lirisë nëpërmes fjalës së pari dhe mbjelljes në ndërkohë të frikës së bëzajtjes, e ka bërë zakon të keq që nëpërmjet talljes e përçmimit, që më së shumti buron prej rëndesës së pushtetit që ka sesa prej forcës së talentit ligjërimor, tashmë shantazhon këdo që i del kundruall punëve të tij udhëheqëse. Fundja, ç’ka bërë ai oficeri i Policisë që ti do ta ndjekësh këmba-këmbës kudo, zoti Kryeministër? Përpos se ka denoncuar një krim, një krim sipas tij të favorizuar prej bashkëpunëtorëve tuaj në punët e shtetit. Bashkëpunëtorë deri në rangjet më të larta, krejt afër teje, denoncon ai. Dhe për këtë, thotë se ju ka vënë në dijeni, ju. Dhe njëkohësisht, edhe kryetarin e Parlamentit e Presidentin e Republikës. Për një ngjarje të rëndë, shumë. Dhe nga zyrat tuaja të larta nuk ka dije për publikun rreth të vërtetës së ekzistencës apo jo të një letre të tillë. Ai polici yt “horr”( njeri me vese, njeri pa cipë, pa nder, rrugaç), të ka dhënë indicien, të vërtetën e vet. Të vërtetën që, po të vërtetohet (dhe njerëzit në shumicë, përveç teje dhe njerëzve përreth teje e arsyetojnë dhe e besojnë si të vërtetë), të çon te “këmbët” e tua. Të çon te njëri prej bashkëpunëtorëve tuaj më të afërt. Të çon te kryetari i grupit tënd parlamentar, i cili po akuzohet, më së paku si favorizues i padrejtë i një njeriu me pushtet të kupolës tënde politike. Dhe ju, zoti Kryeministër, keni lëshuar gjithë lehtarët e propagandës së pushtetit që lehin e lehin gjithë këtyre orëve e ditëve vetëm përmbas gjurmëve, duke sharë e anatemuar “lajmësin” kur “ujkun” e kanë aty… Ndaj, mua më duket se ne kemi nevojë për një ligj që do të na mbrojë ne njerëzve në shumicë nga përdhuna e shpifjeve të prijësve tanë, që buron prej mbipushtetit që marrin dhe jo nga fjala e lirë, të cilën, edhe pa bërë ligj të ri, ju e dhunoni përditë me zhargonin tuaj fyes për median, zoti Kryeministër. Median, përfaqësuesen e zërit të publikut. Për atë median, e cila ende i ka rezistuar tundimit prej “shkopit dhe karotës” suaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



