E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A ka jetë në Shqipëri?!
Sot

A ka jetë në Shqipëri?!

Çdo shqiptar ka minimumi një smatphone, nga i cili lehtesisht mund të lundrojë në internet, të lexojë lajme, të shohë dokumentarë të ndryshëm,të shoqërizohet në rrjetet sociale me njerëz të ndryshëm.
Nuk kam shqyrtuar ndonje studim, por mund të jemi ndër popujt që ndjekin më shumë aktualitetin dhe lajmet politike.
Si rrjedhoje kohën më të madhe të një shqiptari në internet dhe rrjetet sociale e zënë lajmet politike, aktualiteti, showbizi, sporti, të cilat kryesisht i ndjekin në dhjetra mediume online.
Çfarë shohin dhe çfarë lexojnë në to?!
Politikë, politikë, politikë! Çfarë tha kryeministri, sa rrugë, shkolla e spitale ndërtoi sot në facebook. Çfarë tha lideri i opozitës, si e akuzoi kryeministrin, kur do ta rrëzojë nga pushteti…etj. Po presidenti çfarë bën, me se merret!
Aksidentet, vrasjet, vetëvrasjet, raportohen “live”, raportohen “lajmi i fundit”, investigim të viktimave, si u vra, si vdiq, çfarë kishte shkruar në rrjetet sociale para se të ndodhte aksidenti/vrasja/vetvrasja. Pastaj i bëhet një biografi e plotë familjare. Rastet paraqiten me çdo detaj. Vrasjet, për pronësi, për pazare droge, për një vijë uji, për çështje nderi, emrat zbardhen me “iniciale” (emër, mbiemër, foto…).
Lajmet e tjera shumë të rëndësishme:
Showbiz: vipat, si janë, si u shkon jeta familjare, divorcet, tradhëtitë. Sa paguhen. Ku i bëjnë pushimet. Kush, sa kg silikon ka përdorur…!
Lajmet e sportit, kjo është një kategori që ka nje publik të caktuar, rrjedhë informimi normale.
Arti dhe kultura, janë mbyll emisionet, shkruajnë shumë pak ose aspak në mediumet e tjera.
Emisionet me karakter social. Bamirësi, qarje, ekspozim të skajshëm të hallexhiut, pasi përdoren lotët e tij në dy-tre puntata për audincë, i zgjidhet edhe halli ndoshta! Të tilla emisione nuk i mësojnë hallexhiut peshkimin por ia japin të gatshëm peshkun sa për emision, halli është aty, varfëria gjithashtu.
Reportazhe nuk ka më!
Me pak fjalë, Shqipëria në mediume të ndryshme dhe rrjete sociale ka: Politikë, show biz, vrasje, krime, përdhunime, tradhëti, divorce, dasma, pushime luksoze, mjerim, art-politik…pesimizëm. Përfundimi, zero edukim!
Media është biznes dhe biznesi funksionon sipas aksiomës kërkesë – ofertë! Po nuk është ky misioni ama.
Në Shqipëri ka edhe jetë përtej kësaj që shohim ne në rrjetet sociale dhe mediumet e shumta.
Ka bujq, të cilët punojnë, disa shumë të suksesshëm dhe modele për tu ndjekur, disa të tjerë rropaten për një kafshatë.
Ka shqiptarë që jetojnë në fshatra buzë dedit dhe nuk kanë bërë dot kurrë 10 ditë pushime. Sikundër tëtjerë që kanë vizituar destinacione tepër të mira. Të dyja variantet falë punës. Nuk i le puna, por mund edhe mos ta përballojnë dot ekonomikisht.
Në Shqipëri ka zejtarë duarartë, të cilët prodhojnë pak ndoshta, por prodhojnë bukur, me pasion.
Në Shqipëri ka biznesmenë të cilët kanë ngritur me djersë punë të lavdërueshme, kanë punësuar njerëz, nuk njohin dhe nuk kanë pirë kafe ndoshta kurrë me një politikan, e të kenë përfituar një tender.
Ka ekonomistë shumë të zotët, punojnë studiojnë, mbajnë ekonomi biznesesh shumë të suksesshme.
Ka mësues të nderuar, në fshatra e qytete. Mësues të përkushtuar, dinjitozë, modele për tu ndjekur.
Ka mjekë në fshatra e në qytete, të cilët nuk dinë gjë tjetër veçse humanizmit e përkushtimit.
Ka minatorë e naftëtarë të cilët kanë një jetë në galera.
Në Shqipëri ka jetë, ka modele që ia vlejnë të ndiqen, ka shembuj pozitive dhe frymëzues, ka shumë njerëz të ndershëm, të ditur, punëtorë.
Shqipëria ku punohet, ka nder, ka moral, ka modele frymëzimi, ka pozitivitet, mund të mos shesë klikime, audiencë për një medium biznes, por kjo nuk do të thotë se në Shqipëri ka vetëm politikë, krime, showbiz…!
Në Shqipëri ka jetë! Kjo jetë, ky pozitivitet duhet të ekspozohet më shumë, pozitiviteti do të jetë më mirë për vendin dhe shoqërinë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.