A mund të rikthehet shpresa e humbur nesër?
Naim Noka
Opozita shqiptare mëkatare dhe halleshumë ka thirrur një protestë nesër. Situata është e maisur aq rëndë sa duket sikur nuk do të ketë kurrë një dritë në fund të tunelit. Këtu nuk flitet më për rotacion pushteti.
Shqipëria po kalon një periudhë të errët të demokracisë. Këtu është zhbërë sistemi i vlerave në çdo aspekt. Nuk ekzistojnë sindikatat. Shoqëria civile financohet nga buxheti i shtetit. Mediat janë më të varurura se kurrë ndonjëherë në 3 dekada.Shqiptarët vegjetojnë kafeneve dhe rrjeteve sociale duke shtuar iluzionet dhe aty shfryjnë atë pak vrer e yndyrë që u ka mbetur. Po jetojmë në drejtësinë private dhe pirate të politikanëve dhe të fortëve.Hendeku mes dy botëve ka kaluar çdo imagjinatë. Situta ekonomike është katran me bojë , më zi se boja që u përlye mjekra e kryeministrit Rama nga shiringa e deputetit demokrat. Duket ashiqare që zorzopi thërret kapeni zorzopin.Po jetojmë në pasigurinë e sistemit bankar shqiptar. Ka humbur akademiku,mësuesi, mjeku, psikologu, peshkatari, kasapi, hidrauliku, elektriçisti, këpucari, bujku, bariu. Duket sikur shoqëria jonë po ja kalon edhe fantazive të filmave në Hollivud. Rrallë ngrihesh në mengjes dhe shikon pak nur jete rrugëve të atdheut tim. Duket sikur ora ka ndalur në sallatën politike të një njeriu që e quan veten piktor, diplomat, Konicë, Nol, Kaqol, opozitar, kazan, orator, doktor, gazetar, drejtor, timonier, bankier, eseist, instagramist, fejsbukist dhe në fund bamirës. I duket vetja humorist, komedian, showmen, garip i katundit dhe se i gjithë universi shqiptar lavirret sipas oreksit dhe humorit që e kap në mëngjes. Nuk ka patentë, por është shofer dhe nuk pranon askënd ti flasë shoferit. Edhe pse e di tashmë se ai ka të sigurtë vetëm greminën bashkë me ne. Po nesër ? Qytetarët duhet të shkojnë në protestë për arsye thelbësore dhe egzistenciale. Rama e siguroi Tepsinë me llokma vetëm për vete dhe spiropalët e tij, saqë nuk po ja tret stomaku dhe tani zorra e trashë qorre nuk ja mba më as një minut.
Nesër Mos të dalin në protestë ata që jetojnë më mirë
Ata që paguajnë pa problem çmimit e energjisë. Ata që nuk paguajnë naftën më shtrenjtë se gjermani.
Ata qe dinë se çfarë ushqimesh konsumojnë përditë. Ata që e dinë mirë se me çfarë mielli gatuhet buka e përditshme, le të rrinë në shtëpi e në kafen e lagjes
Studentët që e nisën protestën me pushime dhe duan arsim më cilësor dhe me çmime të përballueshme nga të gjithë, duhet të zgjedhin ose paktin me të madhin ose protestën nesër.
Nesër punëtorët e fasonerisë skllevërit modernë pas punës duhet të jenë në protestë.
Në protestë të dalin bujqit dhe blegtorët, nëse do ta kenë kuptuar arsyen në këto vite.
Opozita ka plot gabime por ka mbetur e vetmja alternativë , gjysmë dritë e gjysmë mjergull për të kthyer pak normalitet në këtë vend. Nuk kemi më kohë për eksperimentet kineze që pushteti buron nga populli por i takon Rilindjes dhe platformës “Shqipëria që duam” në callsenterin e kryeministrit.Jo të callsentrave si biznese suksesi në këto vite që po mbajnë me bukë rininë tonë.
Shqiptarët sërish duhet të ngrihen dhe t’i tregojnë vendin, kryredaktorit të Kazan ERTV-së. Por cila është frika për opozitën e njëmijëproblemeve? A mundet që nga nesër të ringjalle shpresën e vdekurt në këtë vend?A mundet që deputetët e opozitës të marrin me vete mandatet dhe nga një shkrepëse dhe të mos largohen pa vendosur rregulla të qarta për sistemin politik?! A mundet të krijojnë frymën pozitive se nesër nuk do të jenë kopja e shëmtuar e Krykadriut Rama? A mundet të bëjnë një pakt të thjeshtë me këtë popull të raskapitur nga eksperimentet e politikes 30 vjeçare?Të jetojmë normalë në token tonë ? A mundet ta bejmë shtepinë tonë të banueshme me rregullat dhe shpresën e një europiani? Po mundemi. Nesër nuk shkohet për të protestuar për zërin që i ngjiret leht Lulit dhe gërthitjet e Monës, por për të rikthyer shpresën se ky vend mund dhe do të bëhet normal nga shumica e njerzëve të ndershem që janë partiakë ose jo por e duan me zemër Shqiperinë e fëmijëve të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



