E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A ngjall shpresë opozita për zgjedhjet e 2025?!
Sot

A ngjall shpresë opozita për zgjedhjet e 2025?!

Naim Noka

Kjo  strategji  e opozitës,  7 muaj para zgjedhjeve parlamentare edhe pse Rama ka udhëhequr nga  skandali në skandal për një dekadë, duket thjeshtë një mision i pamundur dhe  shumë afër dështimit.

Ndërsa Sali Berisha tenton të projektojë  nga shtëpia ku ndodhet i ngujuar pa e ditur sa mund të vazhdojë kështu, një panoramë të një opozite të organizuar dhe energjike për zgjedhjet e 2025-ës, realiteti duket shumë më i zymtë.

Flamur Noka dhe Edi Paloka  dy qendrestarët fanatikë të doktor Berishës nuk mjaftojnë për  të koordinuar fushatën në të gjithë vendin, një detyrë që është shumë e vështirë në realitetin e zymtë politik.
Çdo opozitë tjetër minimalisht  do të kërkonte  të kishte figura të freskëta, me vizion të qartë dhe me  energji të reja për t’u përballur me sfidat e mëdha.

Në mungesë të liderit demokrat, a japin këta emra drejtues  të opozitës ,shpresë për ndryshimin që ka nevojë elektorati përtej demokratëve fanatikë, qytetarëve që u ka ardhur në majë të hundës nga keqqeverisja abuzive e Ramës  në gjitha aspektet e një jete normale.

Vendosja e Luçiano Boçit në Shkodër dhe Ervin Salianjit në krye të Elbasanit ngjan më shumë si një riorganizim i detyruar sesa një përpjekje për të ripërtërirë forcat e opozitës. Po t’i shtosh kësaj zhvendosjen e Gazment Bardhit në Fier, larguar nga Elbasani, ku kishte ndërtuar një profil të dukshëm,  duke u përballe me bandat e këtij qyteti  tregon një konfuzion të thellë në strategji. Elbasani ka një peshë themelore në rezultatin elektoral final, bashkë me Tiranën dhe Durrësin.
Vendimet janë bërë më shumë për të qetësuar ujrat brenda partisë sesa për të ndërtuar një front të fortë kundër qeverisë aktuale.

Sali Berisha vazhdon të bëjë lëvizje taktike, por sa efektive mund të jenë ato në qarqet e mëdha, si Tirana apo Durrësi, kur PD duket se është më shumë e zënë me mbajtjen e status quo-së së vjetër sesa me krijimin e një alternative për shqiptarët?

Emërimi i Belind Këlliçit në Tiranë, një figurë që humbi zgjedhjet për bashkinë,  i cili për hir të vërtetës ka bërë ndoshta betejën me fortë politiko-juridike, duke denoncuar me fakte bëmat korruptive të “Drejtorëve” të Veliajt  dhe duke vënë edhe SPAK-un në vështirësi  duke e   detyruar  të hapte hetim penal  për kryetarin  e bashkisë ErionVeliaj. A nuk do të ishte më mirë që Tirana dhe Durrësi  dhe Elbasani  të kishte një  Bord  Drejtues ku të kishte figura përfaqësuese femra qoftë nga politika, fjala vjen Jorida Tabaku të ishte bashkë me Këlliçin?  Ilir Alimehmeti dhe figura me integritet  nga shoqëria civile dhe bota e biznesit dhe të paangzhuar politikisht të ishin në bordin politik duke zgjëruar influencën tek masa e votuesve gri në Tiranë, Durrës dhe Elbasan?  Ivi Kaso në Korçë, edhe pse një djalë me integritet do të duhej të mblidhte afër vetes, figura me integritet nga qarku  për të shtuar frymën opozitare . Po kështu në Fier dhe Vlorë. Gaz Bardhi e di që Fieri voton majtas, por si duhet maksimalizuar vota opozitare  duke rekrutuar figura lokale me integritet dhe të besuar. Leskaj e di që në Vlorë ka shumë pakënaqësi dhe shumë nga qytetarët  do të donin të votonin opozitën por  sa i aftë është Leskaj që të mbledhë  rreth vetes djemtë dhe vajzat e reja  dhe intelektualët e Vlorës? Opozita që po vuan mungesën e lidershipit të vërtetë dhe kapacitetit për të thithur personalitete të reja e me ndikim duket se po shkon në luftën “vrastare” me Ramën “përbindësh” që ka  të gjitha pushtetet , lekun pa hesap dhe një patronazhizëm të frikshëm duke filluar nga administrata, mesuesit, policia, mjekët  deri tek bizneset.

Përjashtimi i grave nga drejtimi i qarqeve, duke lënë jashtë loje gra   dhe figura të njohura dhe me integritet , vetëm sa thellon perceptimin se PD është kthyer në një parti e burrave të vjetër, që e kanë humbur kontaktin me realitetin dhe kërkesat e elektoratit të sotëm.

Kjo lëvizje dëshmon për një vizion të cunguar, ku barazia gjinore dhe përfaqësimi i denjë i të gjitha shtresave sociale mbetet thjesht propagandë.

Sali Berisha shpall stinën e protestave dhe kërkon një qeveri teknike, por sa vlen kjo strategji, kur partitë opozitare vazhdojnë të luftojnë mes veti për pozicione dhe poste? Kodi elektoral kërkon bashkëpunim me partitë e vogla opozitare. Agron Shehaj mund të ishte së paku një bashkëpunim i sinqertë me PD-në.
Një opozitë që duhet të fokusohej në hartimin e politikave të reja, në ofrimin e zgjidhjeve për krizat ekonomike dhe sociale, tani duket më shumë si një PD që lufton për mbijetesë politike sesa për fitoren e zgjedhjeve.

Me  një lider  të ngujuar  dhe me një ekip të përçarë dhe të dobët, zgjedhjet e 2025-ës duken si një betejë e humbur që tani. Kjo opozitë  ngjall pak shpresë, dhe çuditërisht duket se e vetmja gjë që i intereson është ruajtja e pushtetit brenda radhëve të veta. Uroj të jem gabim dhe pesimist i veçuar por edhe Nard Ndoka do të ishte kryeministër më i vlefshëm për  vendin pas tre mandateve të Ramës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.