E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Agaçi, engjëlli që djallos punët me Ramën
Sot

Agaçi, engjëlli që djallos punët me Ramën

Basir Çollaku

Njeriu i kudoshëm, i mistershëm, punëmbaruar, hijegriu i qeverisë, lajmëruesi për të bërë qokat  pazhurmshëm nëpër drejtësi sipas midesë së kryeshefit, sekretari i Ramës, Engjëll Agaçi, ka qenë dje afro 60 minuta në zyrat e Prokurorisë së Posaçme.

Sekretari në detyrë, u gjend si xhaketë zyrtare e Ramës, i ardhur nga Italia, nga një zyrë avokatore me shumë histori dosjesh të botës së drejtësisë, zyrë nëpër të cilën kanë kaluar shumë e shumë çuna problematike vendas dhe të huaj. Kjo për shkak të detyrës natyrisht.

Po më vonë?

Ndoshta miqtë e vjetër janë si vera e vjetër, mirësohen me kohën, paçka se e shkuara ka gjithnjë telashe, ndikuese. Agaçi dhe bashkiaku Veliaj, janë dy nga arsyet thelbësore juridike për të cilën Francesko Becchetti, arriti të fitojë gjyqin në Arbitrazh duke rrëmbyer 150 milionë euro shqiptarëve, për dëmin ndaj biznesit mediatik në Tiranë. A e kishte djallosur Rama apo Engjëlli këtë çështje, sot jemi të qartë, se nuk ishte punë e dreqosur e Mehmetit pa dijeninë e Enverit.

Madje mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës, për të ngritur një Komision hetimor parlamentar, të investigoheshin se deri ku kishin shkuar duart e qeverisë në këtë histori, e cila merr miliona euro shqiptarëve, për teka personale të Ramës, Agaçit, Veliajt.

Tjetër histori shqiptaro-italiane, në lëmin e Mafias, ka qenë dhe pyetja kohëgjatë, nëse Engjëll Agaçi kishte miqësi me gjeneralin e Guardia di Finanzzia Fabrizzio Lisi, akuzuar dhe arrestuar për lidhje me Ndranghetën, dyshuar si pjesë e punëve me vëllezërit Habilaj, ku u përfshi edhe ish-ministri ynë i brendshëm, aktualisht në qeli, Sajmir Tahiri?!!

Prokuroria e Posaçme ka dëshmuar një ngathtësi të pazakonte në hetimin e dosjes së Inceneratorëve, dosjes më të madhe aktualisht në inventarin e saj të kallëzimeve penale, për korrupzin, abuzim, vjedhje marramendëse parash. Anemia e saj megjithë mbështetjen e pakufizuar diplomatike e cila anon nga kontrolli dyfishtë me qeverinë, ka holluar kontributin mbi të drejtën dhe ndëshkueshmërinë.

SPAK ka thirrur, të premten e 14 tetorit, Agaçin, por nuk ka njoftuar përsenë, ndonëse të gjitha pyetjet mbërrijnë te inceneratorët, ku Sekretari i Përgjithshëm, ishte dhe një ndër dëshmuesit në Komisionin Hetimor parlamentar. Mund të ketë prokurorë e gjyqtarë jot ë paktë, madje edhe në SPAK, të cilët e kanë ndjerë dorën e engjëllit në procesin e djallëzuar të vettingut dhe si borxhlinj, punojnë me frena dore.

Me këtë episode ndoshta edhe të sforcuar, Prokuroria e Posaçme ka mundur të hyjë në Këshillin e Ministrave, më afër kryeministrit Edi Rama, se asnjëherë tjetër. Përpjekjet e Agaçit për të zbehur deri në asgjësim përgjegjësinë e tij dhe të shefit të tij, në dosjen gjysmë miliardë euro, janë titanike dhe kjo është prova e pavarësisë së pretenduar të Prokurorisë së Posaçme.

Ftesa ndaj engjëllit të Ramës për të parë se sa janë dreqosur ligjet dhe vendimet e qeverisë duke masakruar fiananca publike për plehrat, pak orë pasi është liruar deputeti Alqi Bllako, bartin hipoteza jo të pakta. Ndoshta i sapoliruari mund të ketë shitur pak eprorët, për hatër të përkujdesjes ndaj kalamajve, siç u motivua arsyeja komike zyrtare e daljes nga burgu?!

Kapitulli ka një fjalëkryq në pritje.

Kemi Omerta apo Bilbiloje në zyrat e prokurorisë, kjo është çështja.

Ish-zëvendëskryeministri ministër, Arben Ahmetaj, kryebashkiaku i kryeqytetit Erion Veliaj, pretendues për të mbetur në detyrë e jo në qeli, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Ermiona Sako, janë ftesat e munguara të Prokurorisë, për të cilat mund të ketë dhënë ndonjë përgjigje Agaçi të premten. Nëse prokurorët nuk kanë takat profesional, të thërrasin Erion Veliajn dhe Edi Ramën, atëherë ata janë duke mbyllur hetimin, me kurbane periferike, duke u bërë pjesë e një dënmi gjysëm miliardë eurosh parash publike.

Asnjë student drejtësie, asnjë jurist mesatar, nuk e kupton se përse neni 28 për organizatat kriminale, nuk është bërë akuzë zyrtare për Inceneratorët dhe ministra, bashkaikë, sekretar i përgjithshëm, kryeministër, nuk janë ende të pandehur?!

Kjo është djallosje.

Këtë, nuk e rregullon dot një ftesë 60 minutëshe e Engjëllit, kryesekretarit të Ramës. NDaj paratë vërshojnë pandërprerë në llogaritë  Gugallës, Zotos, Mërtirit në arrati, për ti rimarrë mbrojtësit e tyre në qeveri dhe prokurori.

Dhe vështron i habitur Neni 28 kur ndër të tjera thotë se:

 ‘.. Organizata kriminale është forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilën bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale…’

A flitet kaq hapur shqip në Prokurori është kryepyetja..

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.