E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Agonia e një sistemi
Sot

Agonia e një sistemi

AV. DENISA DAKA

Skandali në Gjykatën e Fierit, ku të gjithë bashkë pamë sesi një gjyqtar kërkonte para e favore seksuale në këmbim të një vendimi kujdestarie, suportuar nga një psikologe Gjykate, nuk është i pari në morinë e shumë episodeve e ngjarjeve të tjera që ndodhin çdo ditë në dyert e gjyqësorit shqiptar. Një mori episodesh të tjera përcillen çdo ditë nga qytetarë të shumtë, pranë organeve të vetingut tashmë, raste flagrante të etikës e mungesës së profesionalizmit të togave të zeza, ndërsa prej vitesh pluhuri i harresës ka mbuluar shqyrtimin e çdonjërës prej tyre. Fakti i të bërit publik të këtij rasti, i cili konsiderohet skandal në këto përmasa, u bë shkak të çojë në pranga këta të fundit.

Është e dhimbshme dhe e pafalshme absolutisht për gjithë çfarë ndodh e ç’ka ndodhur përgjatë 28 viteve, në “tempullin e drejtësisë”.

Mijëra qytetarë, përgjatë këtyre viteve, janë rrekur të gjejnë mundësi e alternativa pa fund për të blerë lirinë, kujdestarinë e fëmijëve, shtëpinë a pronën e tyre, vendin e punës humbur padrejtësisht e në shumë raste dhe nderin a qetësinë e mohuar a nëpërkëmbur, përmes një kalvari përpjekjesh titanike.

Fare pak syresh gjyqtarë a prokurorë janë larguar apo pezulluar nga detyra pas konstatimit të rasteve flagrante krejt, ndërsa askush nuk është detyruar të shpërblejë dëmin e shkaktuar apo të kërkojë ndjesë publike në favor të të dëmtuarve, të cilët padrejtësisht kanë mbajtur mbi supe kusuret e zullumeve të tyre.

Në shumë raste, gjyqtarë e prokurorë janë suportuar e mbështetur ndër vite jashtë çdo kriteri nga organet mbikëqyrëse, çka ka sjellë një perceptim tejet të rëndë e të skajshëm para publikut, duke i konsideruar në shumë raste këto institucione, bashkëpunëtore në krim.

Të tjerë syresh, qytetarë të shumtë, pa mundur të gjejnë fijet e duhura për të zgjidhur problemet e tyre, kanë vuajtur pa limit pamundësitë a dështimin për të fituar të drejtën, përballë një sistemi të kalbur e problematik që kundërmon prej vitesh.

E ndërsa vetingu po vijon me hapa të ngadaltë e SPAK do të marrë dhe ca kohë të ndezë motorët për të nisur, dhjetëra syresh gjyqtarë e prokurorë të korruptuar e joprofesionalë anembanë Shqipërisë vijojnë qetësisht “punët” e tyre.

Në morinë e proceseve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga organet e vetingut, kriteri i integritetit dhe profesionalizmit kaloi në shumë raste tangjent krejt, ndërsa në mendjen e shumëkujt lanë gjurmë veç pasuri të shumta a llogari të fshehura a të padeklaruara, të dhuruara me bujari nga familjarët e tyre.

Do të ish frytdhënëse dhe efikase, që çdo ankesë e ligjshme dhe e drejtë e çdo qytetari drejtuar paskësaj organeve të vetingut, të vinte menjëherë në lëvizje këto të fundit, për të nxjerrë përballë ligjit secilin prej tyre, duke i bërë nder këtij sistemi, qytetarëve të këtij vendi posaçërisht.

Në rast të kundërt, mbledhja dhe arshivimi i ankesave për t’u shqyrtuar në një kohë (pa kohë) për secilin prej tyre, përveçse do të krijonte një precedent të rrezikshëm do t’u jepte mundësi e shans sërish këtyre të fundit, të vijonin me dëmet e tyre pa limit.

Ndërsa një pjesë e togave të zeza i bëjnë nder këtij sistemi, shumë syresh duhen larguar sa më parë për t’i kthyer shansin e mundësitë e humbura gjithsecilit prej nesh.

Të gjithë bashkë shpresojmë që vullneti i mirë dhe qasja e duhur ndaj këtij fenomeni të rëndë, një sistem rregullash përmes institucioneve të pavarura që garantojmë zbatimin e ligjit, të nxjerrë nga agonia një sistem të tërë, i cili po shkallmon e prish jetë njerëzish çdo ditë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.