E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Alarm për sistemet digjitale të Administratës Publike!
Sot

Alarm për sistemet digjitale të Administratës Publike!

Fiskalizimi dhe shërbimet online në vështirësi, pikëpyetje mbi Albanian Digital Solution

Vetëm pak ditë pasi Shqipëria u promovua për renditjen e saj në fushën e sigurisë kibernetike, problematikat e raportuara gjatë ditëve të nxehta të gushtit po ngrenë pikëpyetje serioze mbi funksionimin e disa prej sistemeve kryesore digjitale të administratës publike.

Në qendër të vëmendjes është Albanian Digital Solution (ADS), kompania shtetërore e krijuar për administrimin dhe zhvillimin e një pjese të infrastrukturës digjitale, e cila drejtohet nga Igli Tafa dhe është nën pronësinë e AKSHI-t.

Krijimi i ADS-së u paraqit si një hap drejt një administrimi më efikas të shërbimeve digjitale, në një periudhë kur AKSHI është përballur me hetime dhe akuza të rënda që lidhen me procedurat e prokurimit dhe drejtimin e mëparshëm të institucionit.

Premtimi ishte për shërbime më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset.

Por situata e raportuar në terren duket ndryshe.

Sistemet me probleme, qytetarët dhe bizneset presin online

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me sistemin e fiskalizimit, për të cilin prej kohësh raportohen problematika teknike dhe vështirësi në funksionim.

Problemet me serverët dhe komunikimin elektronik mund të ndikojnë drejtpërdrejt te bizneset, të cilat varen nga sistemi për lëshimin dhe fiskalizimin e faturave, deklarimet dhe arkëtimet.

Në raste mosfunksionimi, aktiviteti ekonomik mund të bllokohet ose të ngadalësohet ndjeshëm.

Por fiskalizimi nuk është i vetmi shqetësim.

Problematika raportohen edhe në shërbimet elektronike të Qendrës Kombëtare të Biznesit, në platformat e lidhura me sektorin e shëndetësisë dhe në sisteme të tjera që përpunojnë të dhëna të qytetarëve dhe informacion sensitive.

Kjo situatë ngre një pyetje thelbësore: sa e qëndrueshme është infrastruktura digjitale mbi të cilën sot është zhvendosur një pjesë e madhe e marrëdhënies së qytetarit dhe biznesit me shtetin?

ADS nën presion për funksionimin dhe kostot

Në këtë situatë, përgjegjësia bie edhe mbi Albanian Digital Solution dhe drejtimin e saj.

ADS u krijua pikërisht për të ofruar kapacitete të specializuara dhe për të garantuar funksionimin e sistemeve kritike. Megjithatë, problematikat e vazhdueshme krijojnë dyshime nëse modeli i ri po arrin objektivat për të cilat u ngrit.

Nga ana tjetër, kostot për sistemet digjitale të administratës vijojnë të mbeten të konsiderueshme.

Qytetarët financojnë përmes taksave ngritjen, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e këtyre platformave. Për këtë arsye, pritshmëria minimale është që shërbimet të jenë të aksesueshme dhe funksionale.

Dixhitalizimi u promovua si mënyra për t’i dhënë fund radhëve në sportelet e administratës.

Por kur sistemet nuk funksionojnë, radha fizike thjesht zëvendësohet me një tjetër: qytetarët nuk presin më para sportelit, por para kompjuterit apo celularit, për orë dhe ndonjëherë për ditë të tëra.

Ndërkohë, mbetet e nevojshme që AKSHI dhe Albanian Digital Solution të bëjnë transparente shkaqet e problemeve, sistemet e prekura, kontratat e mirëmbajtjes dhe kostot që paguhen për garantimin e funksionimit të tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.