E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Aleati më i madh i Edi Ramës është Partia Demokratike
Sot

Aleati më i madh i Edi Ramës është Partia Demokratike

Denis Dyrnjaja

Në ditët e tronditjes së thellë që pësoi qeveria nga protesta e pamenduar e studentëve, shfaqet një “delfin shpëtues” politik për Edi Ramën. Por nëse protesta ishte surprizë, delfini shpëtimtar i kryeministrit nuk është surprizë. Delfini ka ngjyrë blu si ajo e detit, është i qetë, madje aq i qetë sa me mosveprimin e tij po e ndihmon qeverinë të kapërcejë këtë situatë që nëse precipiton mund të çojë edhe në rrëzimin e saj. Por si po e ndihmon Partia Demokratike, Edi Ramën?! Thjeshtë fare, duke qenë një opozitë e pabesueshme. Aq e pabesueshme sa e di dhe vetë që nëse do t’i afrohej protestës së studentëve, do të pësonte një diskreditim më të keq se ai që i ndodhi kur tentoi të bashkëngjitej e më pas të “rrëmbente“protestën e armëve kimike. Që të refuzohet qeveria kjo është gjëja më normale pasi protestuesit konfrontimin me qeverinë e kanë, por që të mos qaset opozita kjo është shumë e rëndë dhe tregues i besimit të ulët që kanë njerëzit te alternativa politike e mazhorancës që qeveris. Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Kombëtar lideri demokrat tha se opozita është në krah të protestuesve të Teatrit, Astirit dhe në fund edhe të studentëve. Kjo renditje nuk është rastësore, por domethënëse pasi për PD, protesta e studentëve nuk është primare, sepse nuk është një protestë e saj dhe opozita nuk është e mirëpritur nga studentët. Gjithsesi mospërmendja fare do ta poziciononte PD-në edhe më keq në raportin politik me publikun, ndaj Basha përmend herë pas here edhe protestën e studentëve për sy e faqe. Çdo akt ose veprim publik që nuk është prodhuar dhe kontrolluar prej nesh, nuk është në interesin tonë. Kjo është deviza e pathënë, por lehtësisht e kuptueshme nga qëndrimi opozitar.

Por pse PD-ja është kaq e vakët ndaj protestës? Ajo është një parti që lindi nga protesta, që ka ruajtur bërthamën e saj me protesta ndër vite. Pergjigjia është e thjeshtë. Sepse PD ka humbur besimin se është një alternativë ndryshe nga PS dhe se Lulzim Basha është ndryshe nga Edi Rama. Në këndvështrimin njerëzor ata janë krejtësisht të kundërt, por në trajtimin e pushtetit, qokave financiare dhe shpërndarjes së llokmave të pushtetit janë si vëllezërit siamezë. Oligarkët e djeshëm janë sot sërish në veprim dhe kanë gati urat e kominikimit, nëse Basha merr pushtetin. Por këtë njerëzit e kanë kuptuar dhe kanë krijuar një neveri ndaj qeverisë dhe opozitës ndaj thonë jo politikë, jo politikë, jo politikë, sepse në fakt thonë jo qeveri, jo opozitë. Ata nuk duan fjalë të bukura dhe fytyra mashtruesish qe qeshin sepse nuk dinë të qajnë, sepse nuk e dinë çfarë është halli. Ata nuk duan aktorë të shpërfytyruar të politikës që bëjnë sikur po zgjidhin problemet që i kanë shkaktuar ata me vendimet, veprimet dhe mosveprimet e tyre.Ndaj me pozitën e saj kompromentuar, opozita është shndërruar në aleat të Edi Ramës. Se po te ishte opozita me moralin dhe kreditet e pastra dhe të vërteta do të ishte pjesë e natyrshme dhe e integruar e protestës se studentëve dhe çdo proteste tjetër dhe populli do ishte në rrugë i gjithi madje edhe pas opozitës. Por duke mos qenë, dhe duke mos patur fuqi reale ndikuese jo fuqi grabitqare për të vjedhur protesta se ato duket që i ka dhe shumë të forta madje, kjo opozitë po i jep oksigjen Kryeministrit dhe mundësinë t’ju shfaqet studentëve si opsioni dhe mundësia e vetme. Studentët duan ta kërkojnë largimin e Edi Ramës, por kur mendojnë se kush është alterativa e re e qeverisjes, thonë jo politikë, jo politikë, jo politikë… sepse nuk duan që nga një qeveri që i gënjeu këta 5 vjet të përfundojnë në një qeveri mashtruese që do t’i gënjejë edhe 5 vitet e ardhshme. Ky është oksigjeni për Edi Ramën sepse ai e di se gjithmonë mes dy të këqinjve, ai fiton. Opozita po e ndihmon që ai të jetë prapë oferta më e mirë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.