Analiza/ Disa fakte e të dhëna mbi zgjedhjet
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka bërë një analizë mbi zgjedhjet vendore të 14 majit, ku opozita pati një humbje të thellë.
Manjani ka listuar disa fakte dhe të dhëna të dala nga sondazhet, ku politikani më i pëlqyer ishte kryeministri Edi Rama dha nga radhët e opozitës, Sali Berisha.
Sipas tij, kjo shpjegon dhe arsyen se përse Rama përdori imazhin e tij në fushatë, ndërsa për rezultatin e zgjedhjeve deklaron se është më i thellë sesa vjedhja.
Përsa i përket kërkesës për dorëheqjen e Berishës, ai del kundër, pasi shprehet se kjo do të dobësonte opozitën.
Megjithatë, ish-ministri deklaron se me kaq pëlqyeshmëri, Berisha nuk ka shans të jetë prijësi i opozitës drejt pushtetit.
Analiza e plotë:
Mirë pra, meqë insistoni tek moçal-argumenti se kush lider është më i mirë e kush duhet të ikë, po përpiqem të sjell në vëmendje disa fakte dhe të dhëna.
Në prag të zgjedhjeve, pa filluar ende fushata zyrtare, u mat popullariteti i liderve politikë në vend.
Pas 10 viteve në pushtet, ku 6 i ka sundim absolut, Edi Rama hyri në zgjedhje si politikani më i pëlqyer në vend me 45% pëlqyeshmëri.
Pas tij vinte Erion Veliaj me 37% pëlqyeshmëri.
Në radhët e opozitës pëlqyeshmëria ishte:
Berisha me 27% pëlqyeshmëri.
Meta me 12% pëlqyeshmëri.
Basha dhe autorizimsat e tijme 5-7% pëqyeshmëri. (Përqindje bakshishishi)…
Pra, qartësisht politikani më i pëlqyer në vend ishte Edi Rama. Besoj, kjo ishte arsyeja që ai vendosi në logon elektorale fytyrën e tij, përballë atyre të opozitës.
Berisha, megjithëse më i pëlqyeri nga liderët e opozitës, nuk arriti t’i afrohej Ramës. Pëlqyeshmëria e tij, sigurisht nuk është e mjaftueshme për të fituar imazhin dhe perceptimin popullor.
Në total, populli shqiptar ka pëlqyeshmëri të ulët dhe shumë të ulët për liderët e opozitës dhe ka më shumë pëlqyeshmëri për liderët e pushtetit.
Ky perceptim parazgjedhor u konfirmua edhe në zgjedhje.
Na pëlqen apo jo, por kështu është, përtej debatit mbi lirinë e zgjedhësve apo krimit zgjedhor, i cili nuk mbulon dot diferencën e madhe në pëlqyeshmëri. Rezultati është më i thellë se vjedhja. Vetëm diferenca në pëqlyeshmëri e shpjegon këtë gjë. Shihni me vëmendje edhe pjesëmarrjen e ulët që prap lidhet me pëlqyeshmërinë.
Ai që di të votojë nuk ka qeveri që e ndal e as ta blejë.
Në këto kushte opozita duhej të bënte çmos të forconte imazhin e kandidatëve duke zbehur atë të liderve. Por temë tjetër kjo.
Tani, nëse ky realitet injorohet nuk ka asnjë shans që të ndryshojë gjë në të ardhmen.
Ata që thonë të ikë Berisha, domethënë më i miri ndër ta, ose janë më të urryerit në pëlqyeshmërim ose luajnë lojën përçarëse të pushtetit. Domethënë le të shpërndahen edhe ata pak demokratë militantë që ende mblidhen rreth tij dhe të këndojë qyqja pastaj. Këtë thonë me pak fjalë.
Nga ana tjetër, Berisha me kaq pëlqyeshmëri nuk ka shans të jetë prijësi i opozitës drejt pushtetit.
Opozitarët e tjerë mbetet veç të luajnë me porta të vogla, por edhe atë sport po e luan më mirë Toma. Vështirë që në konkurim të lirë ata të marrin edhe mandatet e tyre tashmë…
Ndaj, nuk kanë kuptim më debatet mes vetes. Ngrihuni lart e shihni të vërtetën në sy.
Për mua, kërkohet projekt i ri, me objektiv afatgjatë dhe organizim kapilar. Në këtë projekt nuk ka vend më për lidera, por për ekipe. Në këtë projekt nuk duhet të ketë më debat fytyrash e xhaketash, por vend për të gjithë inventarin e atyre që nuk duan monizmin.
Mbi të gjitha duhet një program i qartë që të përfaqësojë shqiptarët e sotëm jo ata të së shkuarës.
Etj, etj… janë një sërë gjërash që duhen bërë.
***
Sa më takon jam gjithnjë e më i bindur se kthimi në rrugën drejt Europës është projekti ynë më i rëndësishëm.
Një qeveri europiane do ta ndihmonte Shqipërinë të dilte nga ky kolaps vicioz nga monizmi në monizëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



