E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
ANALIZA/ “Shkolla që themeloi Rama, aty ku adhurohet shefi dhe vartësit thonë ‘sa i madh është, sa bukur e tha’”
Sot

ANALIZA/ “Shkolla që themeloi Rama, aty ku adhurohet shefi dhe vartësit thonë ‘sa i madh është, sa bukur e tha’”

AGRON GJEKMARKAJ

gjekmarkaj

E ka zakon të vjetër Edi Rama ta shuajë etjen në krojet e gurrës popullore. Si Floçka e detit edhe ai lahet në to e kreh mjekrën në pasqyrat e folklorit. Madje, sa ka mundur këtë ves ua ka mësuar si zanat edhe cucave e djelmurinave të Rilindjes. Po t’i vëresh me kujdes, edhe ata flasin për shejtanë, xhindër, pyje e derra, sherrbudallenj plot me referenca nga fjalët e urta. Pak herë e keni dëgjuar Taulant Ballën të flasë si babëlok, pa iu dridhur qerpiku, duke ndarë të mirën nga e keqja si kandar perëndie?

S’e ndieni Damian Gjiknurin që ia terezit si guru katundi me nënkuptim, hë se zoti e bën mirë? Po Arben Ahmetaj që si fallxhore të lexon dorën dhe fundin e filxhanit e mbi to ndërton vizionet ekonomike nuk ju lë pa mend? Po Lezja mbi buldozer si monalizë e rrahur shtrëngatash me shikim zhbirues e fjalën hepuar urtie, a nuk duket si sojnikja përmbi gur të themelit teatror? Tani po bën pak pushim, por edhe Saimir Tahiri në kohë të vet për çdo rast e kishte gati një nga të popullit ngarkuar me një barrë mend.

Rama në këtë pikë është ku e ku më sqimatar dhe i kalkuluar se dishepujt e sprucuar nga tabani! Diferenca e duhur ndërmjet atij që komandon dhe atyre që binden e karakterizon. Kur në motin e largët 2005, pas ca hesapesh, mori PS-në e dërrmuar nga humbja, Rama rrotull tij kishte ca riosha me syrin cakërr, të etur për gjithçka me temp spartanësh! Ata nuk kishin sy, veshë as gojë, vetëm shqisën e bindjes. Ajo funksiononte si sahat Zvicre, duke e bërë gojën, veshin dhe syrin të thoshin, të dëgjonin dhe të shihnin atë që i duhej Edi Ramës.

Nuk ishin të ditur sa të bezdiseshin nga krenaria, por as aq injorant sa të mos kuptonin se vetëm kështu ndërtohet një e ardhme në tokë të shqiptarëve. Si një dërrasë e zezë mbi të cilën shkruante dikur Saimir Tahiri, ashtu paraqitej krejt ndërgjegjja e grupit të Rilindjes, mbi të cilën shkruante Edi Rama pleudarinë e vet politike. Kryeministri aktual pati meritën të kuptojë më mirë se paraardhësit e tij, se në një vend si Shqipëria qeveriset më lehtë duke ulur nivelin kulturor të shoqërisë nëpërmjet përfaqësuesve që iu cakton, ndërsa një parti sundohet ku e ku më me efikasitet.

Kësisoj, atyre u ofron iluzionin e të ngjashmit dhe vetes rehatinë e pakundërshtisë. Për fat të keq, në këtë pikë ai ka suksesin e tij më të madh. Nuk do të kujtohet as për reformat pesë me hiç, për të cilat qesh me vete, për kullat e teatrin e rrënuar si varri i nënës mbretëreshë, nuk do të kujtohet për premtimet e pambajtura e kanabisin as për koncesionet, e më the e të thashë, por bash për shkollën politike që krijoi. Suksesi është me pash po të gjykosh nga ndjekësit dhe perspektiva në horizont.

Ai si askush më parë nuhati levantinët të gatshëm për çdo sakrificë dhe na i turri në shpinë. Batalioni i surratqerpve, shakllabanve, dylmeve, cucave sybiruca e sportistëve me gjysmë mushknie u lëshue mbi ne duke na lëmue veshët me gjuhën dhe frazeologjinë popullore. Kush thotë që s’ka admirimin e opozitës për këtë maestro, gënjen. Kush thotë që Edi Rama nuk po kopjohet, është qorr e shurdh. Dje, Artur Zheji me të drejtë fliste për Kastën dhe se si logjika filozofike me udhëheqës si Rama, i vetmbyt. E ja ndodhi. Po pastaj! Po shkolla që themeloi në PS? Po admirimi i lidershipit të PD-së për këtë model me listën e tij ku dreqin do na çojë? Po LSI me deputetë-studentë të mirë me hëngër bukë me reçel, byrek e qofte, çfarë i ofrojnë këtij vendi?

Me të drejtë, shumëkush shqetësohet se vendi ka mbetur pa gjykata dhe çdo gjë varet nga Kryeministri, i cili del e thotë më mirë djepin bosh se shejtanin me të. Në fakt, djepi është plot e tundet në Kryeministri. Balanca e shtetit të së drejtës është prishur, ndërsa Rama e zgjidh gjithësa me një hua nga mençuria popullore. Një ditë, reforma do mbarojë… E majta si në 1945-n do bëjë gjykatat popullore. Rama do rrijë ca vite në pushtet. Do kërcënojë e burgosë ata që trazojnë. Por një ditë do të plaket, do venitet. Do shëtisë në bahçe në Surrel i bindur që Shkolla që themeloi do jetojë ku e ku më gjatë se ai dhe se ne.

Lehtësia e papërballueshme e kësaj shkolle do të jetë tipari identifikues i qeverive tona për do dekada të mira. Kjo shkollë urren pyetjen pse, ka zët integritetin dhe ndëshkon me kamxhik rebelimim intelektual. Të mëson folklorin. Hokat, qyfyret dhe batutat. Leksioni kryesor është se si adhurohet shefi. I dyti, drejtësia e veprimeve të tij nuk diskutohet. E treta, lëvdoje gjithmonë, kudo e me të gjithë dhe më kryesorja e dijeve dhe bindjeve që një si ky Shqipëria s’e ka pasur e s’do ta ketë kurrë. Thjesht, ky është fati i bashkëkohësisë! Dita fillon me adhurimin e parë për frazën e fundit. Atë pra, më mirë djepin bosh se shejtanin në të! Sa bukur e tha… Sa i madh!/Panorma

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.