E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Analiza/ “Studentët në Shqipëri si jelekverdhët në Francë? Pse Rama gabon si Macron duke kërkuar negociata me…”
Sot

Analiza/ “Studentët në Shqipëri si jelekverdhët në Francë? Pse Rama gabon si Macron duke kërkuar negociata me…”

NGA GENC BURIMI

genc-burimi-2

Nuk është e sigurt nëse ka një marrëdhënie midis lëvizjes së jelekëve të verdhë në Francë dhe lëvizjeve të protestës që kanë përfshirë një sërë vendesh në Europë, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Por një gjë është e sigurt. Këto lëvizje po ndodhin në të njëjtin moment (Shqipëri, Belgjikë, Holandë, Serbi, Bullgari, Suedi etj.), ashtu si në kohën e revolucionit studentor francez të majit 1968, i cili pati impakt në mbarë Europën.

Ndryshimet janë megjithatë të mëdha, siç do ta shohim në këtë shkrim në rastin e manifestimeve të studentëve në Shqipëri. Por një emërues të përbashkët e gjen pa sforco në të gjitha këto protesta. Ato shprehin hendekun gjithnjë e më të madh midis anës legale dhe anës legjitime të masave që merren nga qeveritë dhe parlamentet. Çdo ligj, çdo rregullore që del nga një pushtet i zgjedhur demokratikisht, është legal. Por kjo nuk do të thotë se vendimet që marrin pushtetet janë gjithmonë legjitime, gjë që çon në lëvizjet spontane të protestave, të cilat po shumëfishohen kohët e fundit falë edhe rrjeteve sociale.

STUDENTËT NË SHQIPËRI PA PLATFORMË POLITIKE

Ndryshe nga lëvizja e jelekëverdhëve në Francë, ku hapur shkohet deri te kërkesa për rrëzim të Presidentit Makron dhe po imagjinohet tani një organizim i tipit partiak që t’u lejojë jelekëverdhëve të hyjnë në zgjedhjet europiane të qershorit të ardhshëm, në Shqipëri studentët duken shumë më të moderuar. Po të lexohet “manifesti” i tyre me tetë pikat e kërkesave, nuk gjen aty asgjë politike, gjë që më kujton kërkesat e para te ne, ish-studentëve të dhjetorit 1991. Në fillim patëm thelbësisht vetëm kërkesa për përmirësim kushtesh në auditorë dhe në konvikte. Shumë ditë më vonë, me afrimin e intelektualëve në radhët tona, integruam kërkesa të tipit politik dhe institucional, siç qe ajo më e rëndësishmja për atë epokë, pluripartizmin. Kjo do të thotë që nuk është e pamundur që kërkesa të tilla të karakterit politik të mos u bashkëngjiten kërkesave aktuale të studentëve. Por është fakt se tani për tani këto kërkesa mbeten vetëm ekonomike. Te jelekëverdhët në Francë, po ashtu si në Shqipëri, kërkesat fillestare qenë ekskluzivisht të tipit ekonomik. Në Shqipëri, siç dihet studentëve u shërbeu si shkëndijë bërja me pagesë e disa kategorive provimesh, pikërisht provimet që kalohen për herë të dytë si në rastin e “ ngelësve”. Në Francë, flakën fuçisë me barut ia vuri shtimi i një takse ekologjike mbi çmimet e karburanteve të tipit naftë. Kjo taksë për shpëtuar “planetin” po hynte në fuqi në momentin më të keq, kur çmimet e karburanteve po ngriheshin tashmë në tregjet botërore. Midis shpëtimit të planetit dhe shpëtimit të “qeses” personale, njerëzit, sidomos ata që jetojnë në provincat franceze dhe që automjetin e kanë mjet të vetëm për të shkuar në punë, nuk hezituan gjatë se cilin kah do të merrnin. Veshën nga një jelek të verdhë si simbol i përdoruesve të abuzuar të automjeteve dhe bllokuan dhe po bllokojnë ende pjesë të ndryshme të Francës. Ata organizojnë çdo të shtunë një dyndje të egërsuar në Paris për t’iu kundërvënë elitave pushtetare aty, të cilat s’e kuptojnë se ç’përfaqëson makina për të punuar e mbijetuar, pasi në Paris parisienët kanë gjithçka, metro, RER, autobusë dhe Uber. Në Francë, shumë shpejt kjo lëvizja “ekonomike” ka devijuar në lëvizje politike, e cila vë në pikëpyetje tani dhe organizimin vetë të demokracisë franceze. Ekuacioni që shtrohet është sesi të përafrohet ana legale e një ligji me anën legjitime të tij. Përgjigjja duket e thjeshtë. Duke u konsultuar sa më shumë me njerëzit për ligje dhe masa që mund të krijojnë ndarje të thella në opinionin. A do të thotë kjo se po përjetojmë një krizë të demokracisë përfaqësuese (që konsiston në dërgimin e përfaqësueseve të popullit në Parlament) dhe kjo formë demokracie që mbizotëron në të gjitha demokracitë perëndimore duhet përzier sa herë është e mundur me forma specifike të demokracisë direkte, siç janë referendumet e herëpashershme në Zvicër? Këtë debat filozofik kanë hapur pa e kuptuar jelekët e verdhë në Francë. Po në Shqipëri jemi ende shumë larg nga këto lloj tematikash, që mund të konsiderohen si post-demokratike.

Protesta-studentet-coverCILA ËSHTË PËRGJIGJJA E PUSHTETIT?

Nëse në Francë lëvizja ekonomike e jelekëve të verdhë devijoi në lëvizje politike dhe biles degjeneroi në dhunë ndaj institucioneve, kjo ndodhi nga vonesa e pakuptueshme e qeverisë dhe e Presidentit Makron për t’iu përgjigjur menjëherë kërkesave të para të protestuesve që kërkonin anulimin e taksës së re ekologjike mbi karburantet (+ 7 centimë euro për litër naftë). Pushteti bëri dy gabime. E para është se tha një jo të vendosur dhe e dyta është se kërkoi për të negociuar një përfaqësi të jelekëve të verdhë, ndërkohë që si në Shqipëri këta të fundit mbronin idenë se s’kanë asgjë për të negociuar, por për të imponuar më forcën ë manifestimeve. Gabimin e parë Makron e pagoi shtrenjtë, jo vetëm me shkatërrimet në Paris, porse dy javë me vonë qeveria u detyrua ta anulonte taksën, për të cilën u betua se s’do ta hiqte. Veçse, gjatë kësaj kohe jelekëverdhët e kishin transformuar kërkesën e tyre ekonomike në politike dhe tani Franca ka hyrë në qorrsokak. Gabimi i dytë i pushtetit, kërkimi medoemos i një përfaqësie nga jelekëverdhët i shtyu këta të fundit të vetorganizoheshin jo për të zgjedhur një përfaqësi sepse konsiderohen të gjithë njësoj, por për të formalizuar kërkesa të karakterit politik.

Po në Shqipëri si po vepron Rama? Ashtu si Makron, ai po gabon në dy pika. E para, ka kaluar një javë dhe ende qeveria shqiptare nuk u ka dhënë sadisfaksion protestuesve. E dyta, edhe Rama së bashku me ministren e Arsimit insistojnë për të pasur në tryezë negociatash një përfaqësi nga studentët. Gabim ky që pashmangshmërisht do ta çojë rininë shqiptare drejt politizimit të kërkesave të saja. E vetmja pikë pozitive në reagimin e Ramës në krahasim me Makronin është se që në fillim u ka thënë studentëve se ua pranon kërkesat, biles duke u plotësuar edhe kërkesa të tjera që nuk janë shprehur në tetë pikat e studentëve.

GABIMET NË KOMUNIKIM

Një tjetër gabim që i bashkon Ramën me Makronin janë pasaktësitë surrealiste në komunikimin e disa statistikave, ndërkohë që kanë një ushtri me këshilltarë që paguhen për t’u dhënë shifra dhe fakte të besueshme. Duke folur si kodra pas bregut, pushtetarët në këtë rast e rëndojnë edhe më shumë pozitën tashmë super të rënduar, në të cilën ndodhen sepse njerëzit i marrin ose si arrogantë, ose si gënjeshtarë. Kështu, Makron apo ministrat e tij u munduan shpesh t’u thoshin francezëve se, me gjithë shtimin e taksës ekologjike, çmimi i karburanteve në Francë mbetet nga më të ulëtit në Bashkimin Europian. Por menjëherë dolën kundërfakte që tregojnë se Franca radhitet në 5 vendet e para me karburantet më të shtrenjta në grupin e 28 vendeve Studentët në Shqipëri si jelekëverdhët në Francë? anëtare të BE-së.

Po ashtu, Rama ose ministrja e Arsimit në Shqipëri e bazojnë retorikën e tyre në faktin që çmimet e regjistrimit në universitetet publike në Shqipëri (nga 150 mijë deri 450 mijë lekë të vjetra në vit) s’janë “hiçgjë” krahasuar me vendet e tjera. Kryeministri merrte si shembull dje, edhe vende fqinje, si Mali i Zi, duke thënë se aty u paguaka 1500 euro në vit, gjë që është totalisht e pavërtetë. Për ciklin e parë universitar, studentët paguajnë zero euro. Për ciklin e dytë paguajnë 1500 euro, por qeveria malazeze ka nxjerrë një ligj për ta bërë falas dhe ciklin e dytë universitar më 2020-n. U duhet thënë shqiptarëve e vërteta. Shumë vende në Europë, arsimin e lartë publik e kanë falas. Rama mund të kishte marrë si shembull në rajon Greqinë, që e ka arsimin e lartë për grekët dhe studentët e BEsë falas. Ashtu siç është falas arsimi i lartë në Turqi, Qipro, Maltë, Gjermani (në shumë lande) apo në të gjitha vendet nordike (Danimarkë, Suedi, Norvegji, Finlandë). Në vende të tjera, shumica në Europën Lindore, regjistrimi në shkollë të lartë është gati falas, me një shumë simbolike si në Çeki (19 euro në vit), Slloveni (29 euro në vit), Poloni (35 euro në vit). Në hartën e Institutit Europian të Statistikave për Arsimin e Lartë “Eurodyce”, që analizon 43 shtete të Europës, Shqipëria figuron në grupin e vogël prej pesë shtetesh me tarifat më të larta të ciklit të parë universitar, pasi këto tarifa prekin pa dallim të gjithë studentët. Janë pesë shtete në Europë që i “masakrojnë” kështu studentët pa bërë përjashtime në tarifa në funksion të notave apo të të ardhurave dhe ato janë Shqipëria, Zvicra, Portugalia, Britania e Madhe, Holanda.

PROPOZIME PËR NJË DALJE NGA KRIZA

Prandaj, ky debat, i kemi apo s’i kemi tarifat e larta në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera, është totalisht i pakuptimtë dhe qeveria bën mirë të mos i hyjë këtij shtegu. Për të dalë nga kriza aktuale, ja masat që do i propozoja qeverisë:

Ta konsiderojë këtë vit shkollor si vit i bardhë me tarifë zero për të gjithë studentët në universitetet publike, si një formë moratoriumi derisa të reflektohet për një formulë të qëndrueshme. Domethënë, konkretisht, t’u kthehen paratë një më një të gjithë atyre që kanë paguar regjistrimin në fillim të këtij viti shkollor.

Vitin e ardhshëm të hyjë plotësisht në fuqi ligji i reformës së arsimit të lartë. Që do të thotë, që ashtu si shumica e shteteve ne Europë, edhe në Shqipëri studentët me mesataren më të lartë si dhe ata me të ardhurat më të ulëta të mos paguajnë fare tarifë regjistrimi në shkollë të lartë ose të paguajnë një tarifë simbolike.

Të krijohet një kategori studentësh, si në Francë, por dhe në disa vende të tjera, ku shteti u jep rrogë studentëve të shkëlqyer që frekuentojnë shkolla publike prestigjioze, ku hyhet vetëm me konkurs dhe nga ku dalin shërbyesit e ardhshëm të shtetit për në administrata, institucione arsimore, spitale apo në ndërtime veprash publike. Këto celula ekselence të krijohen ose brenda universiteteve publike, ose të krijohen si shkolla të larta publike më vete të tipit ‘Grande Ecole’ si në Francë, ose t’u besohet ky mision universiteteve private si një shërbim publik me koncesion

Për dyfishimin e buxhetit të arsimit të lartë, që është një tjetër kërkesë e protestuesve, të krijohet një taksë për arsimin e lartë, që duhet ta paguajnë ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha. Në shkëmbim të kësaj takse, këto ndërmarrje do të kenë përfaqësuesin e tyre në bordet e universiteteve, ku do të mund të influencojnë kurrikulumet në funksion të nevojave të biznesit. Në Perëndim, të gjitha ndërmarrjet paguajnë një taksë për formimin, s’ka pse të mos jetë njësoj në Shqipëri. Por, ama, pagesa e kësaj takse do t’u japë të drejtë ndërmarrjeve të marrin një subvencion total ose të pjesshëm kur ata dërgojnë punonjës të tyre në universitet për t’i formuar ose specializuar siç është rasti i masterave.

Për sa i përket përfaqësimit të studentëve në Bordet e Universiteteve, Rama u tall dhe sërish u gabua, duke thënë se kjo nuk ndodh në Perëndim, por vetëm në Kinën e revolucionit kulturor. Në universitetet franceze, në bordet e universitete marrin pjesë me ligj katër grupe interesash, profesorët (8 deri 16 përfaqësues), bashkëpunëtorët e jashtëm (8), studentët (4 deri në 6) dhe personeli teknik (4 deri në 6). Të krijohen kushtet që në universitetet shqiptare studentët të votojnë për përfaqësuesit e tyre në bordet e administrimit.

MUNGESA E ZGJIDHJES MUND TË ÇOJË NË KRIJIMIN E NJË PARTIE POLITIKE STUDENTORE.

Nëse nuk ecet drejt zgjidhjes, nuk e shoh (dhe biles e inkurajoj), se çfarë mund t’i pengojë këta studentë që manifestojnë sot, të krijojnë një parti te tyre politike. Lëvizja studentore është sot apolitike në kuptimin që studentët nuk refuzojnë të shërbejnë si kapital politike për partitë –çakej të opozitës. Nëse arsimi i lartë është në këtë gjendje të bastarduar sot, përgjegjësinë e mbajnë të gjitha partitë që kanë udhëhequr dhe udhëheqin këtë vend që prej 28 vjetësh, domethënë PS, PD dhe LSI. Ashtu si dhe në Francë, edhe në Shqipëri lëvizjet e protestës tregojnë një divorc të qartë midis individëve që protestojnë të paorganizuar dhe partive politike tradicionale, të cilat shihen me mosbesim ngaqë nëse nuk kanë ditur të sillnin zgjidhje në të kaluarën, përse do ia dalin me mirë në të ardhmen. Por nëse studentët që sot qëndrojnë larg politikës, në një moment të caktuar vlerësojnë se ky pushtet nuk dëgjon, i injoron apo ua plotëson verbalisht kërkesat pa ndërmarrë asnjë lëvizje konkrete në terren, atëherë studentët, ashtu si jelekëverdhët në Francë, pas disa kohësh, fare mirë, mund të depozitojnë statuset për krijimin e një partie të tyre dhe të sfidojnë si pushtetin, ashtu dhe opozitën, që në zgjedhjet e ardhshme vendore. Duke marrë bashkitë në dorë dhe në pritje që të marrin një ditë dhe Kuvendin në dorë, studentët mund të kërkojnë kompetenca të reja për bashkitë që këto të hyjnë në bordet e administrimit të universiteteve të instaluara në qytetet e tyre, për të influencuar në politikat e tyre tarifore dhe pedagogjike. Studentët e zgjedhur në bashki mund të kërkojnë po ashtu që dhe taksat e ndërmarrjeve të mesme e të mëdha për arsimin e lartë të menaxhohen nga bashkitë dhe këto të fundit të bëjnë një rishpërndarje në formë burse për studentët e familjeve më të varfra apo për studentët më të shkëlqyer. Kush më mirë se bashkitë ka një vizion konkret se çfarë ndodh në territorin e tyre?

Gjithçka është pra e hapur dhe kjo do të varet nga shpejtësia apo ngadalësia që kjo qeveri do t’u japë që sot kërkesave të studenteve. Po u veprua shpejt, kjo çështje do të mbyllet siç filloi, duke i çuar një mesazh të fortë qeverisë, që në të ardhmen të mendojë dy herë para se të shpallë VKM-ra të pastudiuara. Por nëse Rama vonon, ai duhet të parashikojë t’i bëjë një vend në tryezën e reformës zgjedhore edhe partisë së re, që mund të lindë nga gjiri i studentëve…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.