Artistë palaço e QEPAZE!
Ergys Mertiri

Më vjen keq ta them, por kur shoh disa artistë që shkojnë pas Lali Erit për të vëzhguar punimet e stadiumit, fjala e vetme që më vjen në mend është: Qepaze!
Kjo vizitë është pjesë e një propagande e pastër që Kryetari i Bashkisë po e bën për të shplarë fytyrën e menderosur nga pazaret e fëlliqura korruptive me oligarkët, në kurriz të teatrit. Siç paralajmëroi vetë më parë, kjo vizitë u bë, për t’iu treguar artistëve se sa mirë po shkon projekti “i suksesshëm” i stadiumit, për ti qetësuar ata se po njesoj do të shkojë edhe teatri.
Dhe mesa duket, artistët kanë nevojë të ndriçohen nga Lali Eri, për t’iu hapur sytë e për të kuptuar se çfarë fati madh iu ka trokitur me projektin e tij. Për këtë arsye, ata kanë nevojë të shohin me sytë e tyre “suksesin” e stadiumit dhe madje të fotografohen prej Kryetarit të Bashkësë ngjatë mahnitjes së tyre me veprat e mëdha të Lalit, për t’iu treguar edhe gjithë shqiptarëve sesa të verbër paskemi qenë përballë një bashkie që po robtohet për artistët!
Është e trishtë në çfarë niveli janë në gjendje ta ulin veten ata që pretendojnë të jenë ndërgjegjia e publikut. Në vend që të vijë Kryetari i Bashkisë e t’iu lutet atyre për gjithçka që bën, janë këta që i shkojnë nga pas duke iu lëpirë, duke pranuar të përdoren paturpësisht për propaganda. Kjo do të ishte e shëmtuar edhe sikur Kryetari i Bashkisë të mos kishte asnjë problem me ta, lere më kur gjithçka ndodh në një kohë kur ai po iu shemb teatrin, e ndërkohë ku një pjesë e këtij komuniteti është në protestë, në luftë për mbrojtjen e tij.
E kur artisti nuk ka dinjitet, por shet kaq lirë e kaq shëmtuar fytyrën e vet, çfarë do ti them atij fshatarit të thjeshtë që shet votën një herë në katër vjet?!
Ju nuk jeni artistë, jeni palaço!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



