E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët e Bërxullës votuan  për PS-në edhe pse protestuan për muaj me radhë për pronat
Politikë

Banorët e Bërxullës votuan për PS-në edhe pse protestuan për muaj me radhë për pronat

Banorët e Bërxullës protestuan për mbi shtatë muaj nëpër rrugë e para institucioneve për të marrë zgjidhje në lidhje pronat, që përfshihen në projektin e rrugës Thumanë-Kashar. Ata kërkojnë dëmshpërblim sipas çmimit të tregut, por deri më tani nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje.

Pjesa ku kalon rruga Thumanë-Kashar përfshin rreth 30 hektarë tokë dhe 20 banesa. Banorët e këtij fshati kishin paralajmëruar se do të bojkotojnë zgjedhjet. Bërxulla përfshihet në Bashkinë e Vorës, ku kandidati i PS fitoi thellë në zgjedhje.

Për të shtuar diferencën ndaj kundërshtarit kontribuoi pikërisht edhe Bërxulla, ku Blerim Shera i PS mori 2266 ose 61.11%, ndërsa Indrit Hoxha i Bashkë Fitojmë mori 1442 vota ose 38.89%. Në total në Vorë, dy kandidatët Blerim Shera dhe Indrit Hoxha e përfunduan garën me 9638 vota për Partinë Socialiste dhe 3471 për kandidatin e Bashkë Fitojmë.

Ky fakt tregon se banorët e Bërxullës ndryshe nga ç’kanë thënë, kanë shkuar në zgjedhje dhe pjesa më e madhe e tyre kanë votuar Partinë Socialiste. Çfarë ka ndodhur në prapaskenë nuk dihet, por fakt është se kjo tërheqje e tyre te kutitë e votimit e zhvlerëson gjithë mundin e shtatë muajve të mëparshëm.

Një version mund të ketë qenë edhe tërheqja e qeverisë, për t’i shpronësuar sipas çmimit të tregut, por kjo ende nuk dihet dhe asgjë nuk është bërë publike. Kjo dilemë vështirë se do të zgjidhet, por ky veprim i banorëve është një moment, që zbeh çdo kauzë të protestave popullore dhe të pavarura.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.