Basha apel të rinjve shqiptarë: Pas 21 vitesh, ka ardhur koha që…
Kreu i PD, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në homazhet për pishtarit të demokracisë, Azem Hajdari, u ka bërë apel të rinjve shqiptarë për ta mbyllur siparin e dhimbshëm të sakrificës së liderit të dhjetorit, dhe të hapin rrugën e vlerave dhe drejtësisë
Basha tha se amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike.
“Sot shqiptarët nderojnë Azem Hajdarin, liderin e lëvizjes studentore të ’90, që u vra mizorisht nga kriminelët e veshur me uniformën e shtetit.
Amaneti dhe sakrifica e Azem Hajdarit janë përjetë shembull frymëzimi për të çuar deri në fund idealin e një Shqipërie europiane dhe demokratike, ku qytetarët janë zotë të fateve të tyre me një politikë të ndarë nga krimi, ku kriminelët të jenë para drejtësisë dhe pas hekurave dhe fatet e vendit të merren me përgjegjësi të plotë nga ata që shqiptarët i gjykojnë me votë të lirë dhe të ndershme.
Sot në këtë 21 vjetor akoma është aktuale plaga e hapur, krimi vijon që të ketë mbrojtjen dhe postet shtetërore.
E sotmja është po kështu edhe një thirrje për bashkim mes të gjithë shqiptarëve të ndershëm, demokratëve dhe socialistëve të ndershëm që kurrë nuk e kanë pranuar politikën e lidhur me krimin dhe vjedhjen me ligj si politikën e vetme për t’u bërë bashkë për të hapur rrugën e Shqipërisë si gjithë Europa.
Ka ardhur koha që rinia shqiptare ta mbyllë tranzicionin dhe të hapë rrugën e vlerave, demokracisë, lirisë dhe barazisë para ligjit. Ky është nderimi më i madh për Azem Hajdarin dhe qindra të tjerë”, tha Basha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco












