Basha i bindur për arritjen e zgjedhjeve të parakohshme: Ta bëjmë natën ditë, që 11-ta të jetë…
“Mesazhin për protestën e 11 majit, kryetari i opozitës është kujdesur 48 orët e fundit ta përcjellë personalisht në një tur të ngjeshur takimesh në të gjithë vendin.
Përgjatë të enjtes, Basha zhvilloi takime në Pogradec, Gjirokastër dhe Mallakastër, duke u fokusuar në bllokimin që në 6 vitet e fundit Europa i ka dhënë Shqipërisë.

“Është e qartë që me Edi Ramën nuk ka asnjë lloj zhvillimi, asnjë lloj përparimi, asnjë lloj ideje. Miqtë e tij, që vijnë për qokat e fundit para se t’u mbarojë mandati, nuk e shpëtojnë dot nga ky realitet. Është Edi Rama pengesa kryesore për Shqipërinë europiane. Është Edi Rama pengesa kryesore për hapjen e negociatave. Përse? Sepse është Kryeministri i lidhur me krimin, është Kryeministër i kapur në vjedhje. Në cilin vend të Europës kapet Kryeministri, duke vjedhur votat dhe largohet populli? Jo, në Europë, kur kapet qeveria duke vjedhur, ikën qeveria, shkojnë fajtorët në burg, nuk largohet populli emigrant”, deklaroi Basha.
PROTESTAT
Kryetari i opozitës premtoi se qëllimi kryesor i opozitës në betejën që ka nisur është transformimi politik i vendit, sipas standardeve europiane. “Nuk është thjesht beteja për rotacionin politik, sepse ai është i pashmangshëm, por është beteja për të drejtat dhe vlerat europiane, duke nisur me votën e lirë. Nuk ka Europë për vendet që s’kanë votën e lirë dhe që qeverisen nga krimi. Nuk ka Europë në një vend, që nuk respekton kriteret minimale të shtetit të së drejtës. S’ka Europë në një vend ku qeveria është bërë njësh me krimin dhe u ka dhënë oligarkëve të gjithë buxhetin e shtetit, tenderat dhe gjithçka. Beteja dhe zotimi ynë i parë është transformimi politik i vendit, sipas standardeve europiane. Ne demokratët jemi të qartë e të vendosur. Në Europë shkohet me zgjedhje të lira dhe me balancim pushteti e drejtësi të pavarur. Prandaj është e rëndësishme të jemi të gjithë bashkë, të gjithë në këmbë, më shumë se në çdo betejë tjetër që kemi zhvilluar këto 12 javë, më të vendosur, më të bashkuar”, tha kreu i PD-së.
ZGJEDHJET
Kryetari i opozitës, Basha, garantoi qytetarët e Gjirokastrës se në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje dhe vendimi për zgjedhje të parakohshme është marrë. Ai ftoi të gjithë qytetarët të bashkohen në betejën e opozitës për proces të lirë dhe të ndershëm. “Miqtë e mi, na takon ta udhëheqim këtë betejë deri në fitore. Gjysma e betejës ka mbaruar: zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë dhe do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Tani na pret gjysma tjetër e betejës. Në javët e ardhshme, duke nisur me këtë të shtunë të 11 majit, do të përcaktohet fati i 5, 10, 15 viteve të ardhshme të Shqipërisë. Shqipëri e frikës, e nënshtrimit, e krimit, e korrupsionit, Shqipëri e duvakut oriental aziatik, apo Shqipëri e shpresës, lirisë dhe demokracisë, e ndarjes së pushteteve, e Kushtetutës, e sovranit, e zgjedhjeve të lira e të ndershme! Kjo do të përcaktohet nga beteja jonë, më datë 11, këtë të shtunë dhe në ditët e ardhshme përcaktohet fati europian i Shqipërisë. Si kurrë ndonjëherë shqiptarët janë bashkuar me ne, ndaj le ta bëjmë natën ditë, orën minutë, që 11-ta, e shtuna që po vjen, të jetë një goditje vendimtare për fitoren e shpresës mbi frikën. Për fitoren e lirisë mbi robërinë, për fitoren e dritës mbi errësirën”, deklaroi kreu i PD-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



