E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Berisha këmbëngul/ “Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë”
Sot

Berisha këmbëngul/ “Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë”

PD zyrtare do të ankimojë në Gjykatën e Lartë, vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën.

Konfirmimi ka ardhur nga kreu i PD-së, Sali Berisha pas mbledhjes së kryesisë.

“Vendimi i Edi Ramës për të prishur vendimin e Gjykatës së Faktit, që u firmos nga 3 gjykatës të marrë peng, do hyjë në analet e drejtësisë shqiptare dhe botërore, si njolla më e zezë e turpit. Se shkeli një parim nga Roma e lashtë gjer më sot, se në një proces nuk mund të jetë kurrë palë ai që nuk ka qenë palë.

Ky është rasti i parë në historinë e botës.

Por palë ishte Edi Rama. Pala e vërtetë ishte Edi Rama. Për të mos i lënë një turp historik, vetes, edhe avokati tha se nuk jemi palë.

Nuk kishte rëndësi, sepse ata kishin firmosur vendimin para se të hapej procesi.

Ndaj dhe mbi të gjithë qëndrimet e PD-së, do të diskutojmë gjerësisht në këtë mbledhje, do diskutojmë në forumet e saj. Por duhet t’u njoftoj se vendimi në tërësi i juristëve është që ky akt, ky vendim të dërgohet për rekurs në Gjykatën e Lartë.

E them unë, që njerëzit mund të habiten se si ta dërgojmë ne te Sadushët. Ne do e dërgojmë në Gjykatën e Lartë. Do kërkojmë përjashtimin e Sadushit nga gjykimi.

Nuk presim asgjë tjetër, se urdhri është po ky, por ne do ndjekim procedurën në gjykatën ndërkombëtare. Sepse ka ndodhur një gjë që në një vend anëtar të Këshillit të Europës, në një vend të lirë në botë, nuk ndodh që të shpallet palë ajo që nuk është palë.

Rregulli për ta dërguar në gjykatë ndërkombëtare çështjen, kërkon që të ezaurohen shkallët e gjykatave të vendit”, ka thënë Berisha.

Ndërkohë gazetari Aulon Kalaja ka bërë jjë arsyetim logjik dhe ligjor duke bërë një letër të hapur për Anëtarët  e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Aulon Kalaja

Letër e hapur, drejtuar Anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Në dispozitivin e vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm është vendosur prishja e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe dergimi i çështjes për rigjykim në po atë gjykatë. Marrë parasysh këtë dispozitiv, “Partia Demokratike e Rithemelimit” duhet të bëjë rekurs të veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

Këto vendime, pra ato që vendosin prishjen dhe kthimin për rigjykim, nuk presin rradhen e gjykimit të zakonshëm nga Gjykata e Lartë por duhet të gjykohen brenda 30 diteve nga data regjistrimit të çështjes në Gjykatën e Lartë.

Për t’a trajtuar situatën në mënyrë më të shtjelluar, sjell në vëmendje ligjin procedural, i cili duket se është neglizhuar nga të gjithë ato që konkludojnë se ky vendim gjyqësor sipas nenit 466 shkronja “ç” dhe nenit 467 të Kodit të Procedurës Civile është vendim gjyqësor i formës së prerë. Kështu shkronja “ç” e nenit 451 të Kodit të Procedurës Civile parashikon se:

“Vendimi i gjykatës merr formë të prerë kur:

…ç) vendimi i gjykatës është lënë në fuqi, ndryshuar ose është pushuar gjykimi në shkallë të dytë.”

Sikurse lexohet qartësisht dhe në mënyrë të paekuivoktë nga ky rregullim ligjor, konkludohet se vendimi gjyqësor i gjykatës së apelit sipas shkronjës “ç” të nenit 466 dhe 467 të Kodit të Procedurës Civile, në rastet kur ndaj tij mund të ushtrohet rekurs dhe/ose kur është ushtruar rekurs, nuk është i formës së prerë. I tillë do të shndërrohet vetëm kur të ketë disponuar Gjykata e Lartë mbi rekursin e ushtruar, qoftë në mënyrë përfundimtare apo në mënyrë jopërfundimtare.

Asnjë proces gjyqësor që është gjykuar apo po gjykohet në Gjykatën e Rrethit, në kushtet kur e njëjta çështje varet për gjykim në Gjykatën e Lartë, nuk do të duhet të kishte rinisur dhe nëse ka nisur duhet të shuhet, pasi gjykimi nuk mund të vijojë kur vërtetohet se ekziston ndalesa e gjyq-varësisë e parashikuar si e tillë nga neni 58 i Kodit të Procedurës Civile.

Ky vendim i Gjykates së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nuk ka zhberë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e për rrjedhjojë nuk është i formës së prerë, kjo mbeshtetur në shkronjen “ç” të nenit 451 të Kodit të Procedures Civile, të cituar më sipër.

Vetem vendimi i lenies në fuqi, ndryshimit apo pushimit të çështjes në shkallë të dytë konsiderohet vendim i formes së prerë nga ato vendime që mund të japë Gjykata e Apelit. Në asnjë mënyrë vendimi i ndermjetem i prishjes dhe kthimit për rigjykim të çështjes, sikurse është në rastin konkret.

Në vazhdën e këtij arsyetimi, përmes këtij vendimi nuk është pamundësuar vetem regjistrimi i “Partisë Demokratike e z. Berisha”, në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, por është pamundësuar gjithashtu regjistrimi i “Partisë Demokratike e z. Alibeaj”. Kjo pasi, deri sa të marrë formë të prerë ky vendim i ditës së djeshme, situata është e njëjtë sikurse ka qenë nga dita kur është pranuar ankimi i “Partisë Demokratike e z. Alibeaj” nga gjyqtarja e vetme e Gjykatës së Shkallës së Parë.

Vendimi i ditës së djeshme, sipas nenit 451 të Kodit të Procedures Civile, do të marrë formë të prerë vetem nese nuk rekursohet nga “Partia Demokratike e z. Berisha” ose, në rastin se “Partia Demokratike e z. Berisha” ushtron rekurs, pasi Gjykata e Lartë të marë një vendim.

Thenë në mënyrë më të thjeshtë, vendimi do të ishte i formës së prerë vetem nëse Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm do të vendoste ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe do të rrëzohej kërkesa e “Partisë Demokratike e z. Berisha” për regjistrimin e ndryshimeve në statut.

Do të ishte gjithashtu vendim i formës së prerë nëse do të prishej vendimi dhe do të vendosej pushimi i çështjes, apo nëse do të vendosej lenia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Vendimi në fjalë është një vendim prishje. Pra nuk është asnjë vendim nga ata që përmend shkronja “ç” e nenit 451 të Kodit të Procedures Civile, e për më teper, rekursi potencialisht i ushtruar nga ana e z. Berisha, do të pezullonte efektet e vendimit të djeshëm dhe nuk do të mund të gjykohej nga Gjykata e Shkallës së Parë, derisa Gjykata e Lartë të dilte me një vendim.

Tiranë, më 4 mars 2023. Aulon Kalaja.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.