Berisha : SPAK duhej të urdhëronte Ramën dhe Beqajn të kthenin paratë e vjedhura
Edi Rama dje, me sulmin ndaj gjykatës, kishte si mesazh të prerë: mjerë ai që guxon të prekë pronën time, për të cilën ai vetë është i aftë të bëjë çdo gjë ta amnistojë, siç amnistoi ortakun e tij, Ilir Beqaj.

Ish -kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat i ndalur tek koncesioni i sterilizimit u shpreh se SPAK duhet të urdhëronte Ramën dhe Beqajn që t’i kthenin paratë e koncesionit.
Natyrisht – tha Rama- ata nuk mund të kthejnë asnjë qindarkë, por u shpreh se do jenë qytetarët shqiptarë ata që do t’ia nxjerrin për hunde.
“Neni 118 i Kodit të Procedurave Administrative parashikon se të gjitha pagesat, kontributet që janë tashmë paguar nga pala ose organi publik, duhet të kthehen.
Masat e kthimit të pagesave dhe kontributeve, përcaktohet në aktin e anulimit.
Pra, duhej të ishte SKAP-i i partisë që të urdhëronte Edi Ramën dhe Ilir Beqajn, muratorin e tyre, të rikthenin paratë e vjedhura taksapaguesve shqiptarë.
Por natyrisht Edi Rama dhe Ilir Beqaj nuk mund të kthejnë kurrë qoftë dhe një qindarkë.
Ata po bëjnë gjithçka që të vazhdojnë vjedhjen e tyre.
Janë qytetarët dhe vetëm qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, ata që do u nxjerrin për hunde, paratë e vjedhura Edi Ramës dhe Beqës së tij”, tha Berisha.
Berisha u shpreh se SPAK amnistoi edhe kontratën e korrupsionit të sterilizimit duke mos e shpallur të pavlefshme.
“Në Kodin e Procedurës Administrative parashikohet se pavlefshmëria absolute e aktit, mund të nxirret nga ministri i linjës, ku aktualisht është zonja mëkatare Manastirliu, e cila në kohën e koncesionit, ishte drejtore e QSUT, dhe i ka dhënë koncesionarit, pa qira, pajisje, ambiente, pa paguar drita, ujë, avullin, etj. Natyrisht përkundrejt shpërblimeve personale.
Person tjetër që mund të nxjerrë këtë akt të pavlefshëm është Këshilli i Ministrave. Por largqoftë se Edi Rama mund të ngrihet kundër interesave pasurore të Edi Ramës. Ndaj ai bëri të kundërtën, vrapoi për të mbrojtur vjedhjen e dytë të shekullit.
Personi tjetër që mund të nxjerrë këtë akt të pavlefshëm është ILDKPKI.
Deri më sot, asnjë institucion nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor, pavarësisht se kontrata duhej shpallur menjëherë e pavlefshme.
Këtë nuk e ka bërë as SPAK, që aministoi Ilir Beqajn, dhe vetvetiu amnistoi edhe kontratën e korrupsionit të Edi Ramës.
Çdo organ publik i ngarkuar me ligj ka detyrën absolute të konstatojë pavlefshmërinë e aktit kur bie në dijeni”
Sali Berisha, tha sot se kryeministri Edi Rama i dërgoi mesazh dje gjykatës që të mos ia prekin pronën e tij. Berisha tha se Rama faktoi dje se sterilizimi është biznesi i tij.
“Nga autobusi i BE-së, apo aeroplani rus, Edi Rama faktoi në mënyrë përfundimtare se ai dhe Beqaj i tij, janë pronarët realë të vjedhjes së dytë të shekullit, apo inceneratori i shëndetësisë, kurse Rrapaj është pronar në letër apo Zoto-Mërtiri i aferës.
Edi Rama, pas amnistimit të Beqës nga SPAK i partisë, rendi dje të mbrojë me inskenime, dëshmitarë të rremë dhe statistika false, sterilizimin që u ka kushtuar shqiptarëve gjer sot 79 milionë euro, duke e bërë këtë proces 4 herë më të kushtueshëm se në Gjermani.
Edi Rama doli dje duke faktuar se sterilizimi është biznesi i tij dhe Beqës, pasi mbrojti aferën korruptive, për shkak të kostos të së cilës, u privoi 1 mijë shqiptarëve kurimin çdo muaj.
Edi Rama ndërmori dje publikisht një akt flagrant të hapur presioni ndaj gjykatës, e cila me shumë të drejtë, pasi ka njohur dosjen, ka kërkuar anulimin e kontratës si akt fund e krye korruptiv, si vepër e mirëfilltë penale.
Edi Rama dje, me sulmin ndaj gjykatës, kishte si mesazh të prerë: mjerë ai që guxon të prekë pronën time, për të cilën ai vetë është i aftë të bëjë çdo gjë ta amnistojë, siç amnistoi ortakun e tij, Ilir Beqaj.
Edi Rama dëshmoi se në mbrojtje të biznesit, nuk njeh ligje dhe Kushtetutë dhe as institucione, siç është KLSH që e ka denoncuar kontratën si korruptive.
Edi Rama dje hoqi çdo maskë dhe mbrojti kontratën që në themelin e saj bazohet te konflikti i interesit dhe vjedhja e 79 milionë eurove,”tha Berisha.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


