Bileta e djegur e Ramës për Uashington
Pse dështoi Rama të vizitonte SHBA?
Nga gjithë arsenali i propagandës që Edi Rama përdor për të ndërtuar imazhin e një lideri botëror, mungesa e një vizite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një njollë që nuk e mbulon dot as me sloganet e “Shqipërisë Madhështore”, as me fjalime në Facebook Live.
Prej muajsh, në korridoret e politikës dhe diplomacisë flitej për një vizitë të mundshme të kryeministrit në Uashington, e cila do të shërbente si një lloj “përqafimi” pas rrotullimeve gjeopolitike që Rama ka bërë midis Turqisë, Emirateve dhe Izraelit, gjithmonë me shpresën se një foto me një zyrtar të lartë amerikan do i jepte frymëmarrje në skenën e brendshme. Aq më tepër tani, kur dosja e Veliajt, aferat me inceneratorët dhe përplasjet me drejtësinë po i zbehin aureolën e liderit “të padiskutueshëm”.
Pse dështoi vizita?
1. Dështimi i lobimit me Jared Kushner:
Rama e përdori kartën Kushner (dhënia pa transparencë e Sazanit për zhvillim) si një urë për të hyrë në sferat e Trump-it dhe të “deep-America”, por plani doli blof. Investimi i shumëpërfolur nuk u përshëndet nga asnjë zyrtar amerikan, as nga Departamenti i Shtetit, e as nga ndonjë figurë e rëndësishme republikane. Asnjë sinjal për mirëseardhje, asnjë ftesë – veç një heshtjeje që flet shumë.
‘Lala’ dhe lobet në hije:
Burime të brendshme u përfolndërmjetës në përpjekjet për të siguruar një ftesë në Uashington përmes lobistëve të paguar. Por siç duket, as lidhjet personale, as miqësitë e ndërtuara në vitet e fundit nuk ia dolën. Uashingtoni nuk është më i impresionuar nga retorika e “liderit ndriçues të Ballkanit” që Edi Rama përpiqet të shesë.
3. Realiteti i raportit me SHBA:
Rama mund të bëjë show në TikTok, por me amerikanët nuk funksionon propagandë. Ata janë më të shqetësuar për problemet me drejtësinë në Shqipëri, korrupsionin e nivelit të lartë, kontrollin e medias dhe deformimet zgjedhore, se sa për projektet e dështimit të Sazanit. Këto janë çështje që nuk i mbulon dot asnjë foto me ndonjë senator miqësor.
Dëshpërimi i Ramës, në transmetim të drejtpërdrejtë
Në komunikimin e përjavshëm me komentuesit, Rama u përball me pyetjen: “Pse nuk ke shkuar në USA?” dhe u përpoq ta relativizonte si një gjë pa rëndësi, një “hall” të komentuesit. Por ishte e qartë që ishte i nervozuar, i shqetësuar dhe i dëshpëruar. Fjalët e tij “kur të më ftojë USA do të shkoj” ishin në kontrast të thellë me deklaratën e marsit: “Mos u çudit kur ta shikosh që do kaloj oqeanin…”. Surpriza e paralajmëruar mbeti në tokë, si shumë nga fluturimet e Ramës që nuk ngrihen dot pa radarët e Washingtonit.
Ç’pritet nga ardhja e ambasadorit të ri?
Ambasadori i ri amerikan do të jetë një moment kyç. Deri tani, Rama dhe Berisha kanë vepruar si dy aktorë provincialë që kujtojnë se mund të manipulojnë skenën e madhe ndërkombëtare me truke lokale. Por ardhja e ambasadorit të ri do të jetë momenti kur “shapi ndahet nga sheqeri”. Dhe për Ramën, i cili po përpiqet të shpëtojë Veliajn dhe të mbajë në këmbë një regjim që rënon çdo ditë themelet e shtetit ligjor, kjo nuk është një lajm i mirë.
Fundi i një iluzioni
Edi Rama mund të mburret me Dubai, me Francën, me Kosovën dhe me konferencat e “liderëve të Ballkanit”, por mungesa e një vizite në Shtetet e Bashkuara, e shoqëruar me heshtje diplomatike, është një dështim i madh për një lider që e ka ndërtuar mitin e tij mbi imazhin ndërkombëtar. Dhe kjo mungesë flet më shumë se një fjalim me flamuj pas krahëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



