Biri i humbur Altin Basha

Po të bëja një listë të shkurtër gjërash nga harta kulturore e fillimviteve dymijë, nisur nga perspektiva e njeriut të medias, do piketoja si shenja të veçanta eseistikën polemike në faqet e gazetës “Shekulli” e një dore njerëzish të mendjes, vullnetin shëlbues të Maks Velos për trashëgiminë dhe, pa asnjë dyshim, teatrin e Altin Bashës.
Teatri, në ndryshim nga gjithë artet e tjera, komunikon drejtpërdrejt me një publik dëshmitarësh. Kush nuk ka qenë dikur atje përballë në një shfaqje teatri, ka humbur rastin të shohë e të ndjejë energjinë që krijonte Altin Basha herë me vetëm 2-3 aktorë të vërtetë në skenë, e herë me të rinj, sythe të aktrimit, vendosur në një spektakël vallëzues. I asaj race artisti që grindet me tradicionalen dhe e modelon atë, pa harruar të vendosë kurora mbi paraardhësit e një tradite. Kështu edhe nderimi i tij në atë epokë për Kujtim Spahivoglin me “Banjën” e Majakovskit, kërkimet mbi Shekspirin komik, mbi Beckett-in më pas, ishin premtim i madh për skenën tonë për një enfant terrible që jo pak kulturave u ka ardhur në kohë krize e konflikte brezash, si një ndërrim gjaku.
Kujtoj “Keq e më keq” të Beckett-it, interpretimin e Gazmend Gjokës në aq variante shndërrimi ku i shtyn kufijtë ky aktor sa ka prerje një diamant që emeton më fort dritë në dhomë të errët:
Pa rrugëdalje veç qëndron. Disi larg dhe qëndron. Qëndron disi. Këtë ose vajto. Vajtimi ka kohë nëpër këmbë. Jo. Mos vajto. Thjesht dhimbje. Thjesht në këmbë. Një kohë kur përpiqu si. Përpiqu shih. Përpiqu thuaj. Si së pari lëvizin. Mandej disi në gjunjë. Pjesë pjesë. Pastaj çprej andej. Pjesë pjesë. Gjersa më në fund në këmbë. Jo tash. Më mirë dështo më keq tash.
Një gjuhë e thyer, atonike që prekte atë ritëm të brendshëm jete të cilitdo që përpëlitej në një mjedis Tirane prej lluce hedonizmi primitiv material. Me instinkt që e tejkalonte fuqinë e moshës, Basha arrinte ta kapte atë ritëm të shqetësuar njerëzor që provokonte regjimi i ri në Shqipëri, në të gjitha nivelet e jetës. Të inkurajonte me zërin e Beckettit: Sa herë përpjekur. Sa herë dështuar. S’ka gjë. Provoje prapë. Dështo sërish. Dështo më bukur! Dhe shpresonte që shqiptarët të bëheshin shoqëri me njëfarë veprimtarie truri.
Kështu krijonte ky regjisor një ligjërim skenik në kontrapunkt me gjithë çfarë shpëlanin në skenë amatorë dhe artistë që kërkonin mjegulla të zgjaste me komedi të tipit “lezeti i kolltukut dhe i krevatit”.
Të njëjtat palë që dikur i ndante shija estetike, janë bërë bashkë sot në shtriganinë e shembjes së Teatrit Kombëtar, në krah me qeverinë dhe mafien e ndërtimit.
Edhe pak tek rrugëtimi i Bashës, i cili është një personazh i fuqishëm, që siç thotë Peter Brook për krijesat e Shekspirit, po shfaq “shtresa dhe dobësi të pazgjidhshme” duke e vënë në dilemë publikun. Asnjeri nuk është i detyruar të jetë hero dhe i lirë deri në fund. Por të tjerët duan të kuptojnë kthesën e tij të papritur nga rezistent në zbythës që godet qëndresën në teatër.
Kështu pra, në fillim të viteve dymijë kur televizioni zuri pragun me gjithë përmbysjen që solli në komunikimin tonë kulturor, edhe Altin Basha, si përballë një force të natyrës bëri zgjedhjen e të keqes më të vogël. U hodh në plëngprishjen e talentit dhe përgjegjësisë qytetare. Për më shumë se një dhjetëvjeçar ai iu kushtua, (dhe vazhdon) me të njëjtën energji kabaretit televiziv: një makinë e riprodhimit të së qeshurës në masë.
Teatri u braktis porsi një dashuri e ndërprerë në zjarrin e saj. Teatri me dritat që ndizen ngadalë, me shfaqjen e aktorëve me kostumet dhe gjestet, me gjuhën poetike, që e zhvendosin spektatorin në një prag midis jetës reale dhe asaj të shenjtë, dhe e bën të aftë atë të zhyturin në kolltuk t’i kthejë sytë nga vetja, tek dobësitë e një komuniteti, tek kërkesa për llogari ndaj përgjegjësve që qeverisin botën rreth tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



