Bleta punëtore dhe laraska vjedhacake që hiqet si shqipe alpesh
E pashë nga larg, sapo vetura mori kthesën diku aty jo larg bregut të djathtë të Semanit.Ishte një burrë i shëndoshë, me lëkurë të bardhë, fytyra i shndriste nga një shëndet që i kishte hije. Kur iu afrova buzëqeshi. Ishte duke pirë nga një gotë raki, mesa duket, me një shokun e vet, më të moshuar, aty nga të shtetëdhjetat e kusur, me flokë çuditërisht të kuqe, pak i krrusur, por me një vështrim të bukur dinak dhe të zgjuar në sytë e tij të vegjël. Produktet e mjaltit i kishte venë burri i shëndoshë dhe i larë në çehre sipër banakut të një karrocerie të vjetër furgoni nga ato të kohës së dikurshme. Tri lloje produktesh shiheshin: hoje mjalti të vendosura në kuti plastmasi me etiketat përkatëse, kavanoza me mjaltë qelibar, si edhe shishka me propolis.
“Ti je?” – më tha.
“Unë” – iu përgjigja.
Të dy miqtë buzëqeshën pak me mirësjellje, pak me ironi, pak me mosbesim, pak me dinakëri tallëse.
“Ja kështu nga televizori ju shohim juve të Tiranës! Mirëserdhe profesor! ”
Pastaj unë nisa të shihja produktet e mjaltit dhe ai më shoqëronte. Biseda ishte e shpejtë. Nuk mund të qendroja më shumë se pesë minuta atje ndonëse doja ta kaloja gjithë ditën duke e pyetur e biseduar me të.
E kam këtë zakon të keq. Nisem për udhëtim dhe cdo dhjetë kilometra ndaloj pas ndonjë kokrre hurme, pas ndonjë fiku të pjekur, pas ndonjë cope kadaif, hmmm, pas ndonjë tasi me kos deleje.
Ata që udhëtojnë me mua torturohen nga ky zakon imi. Zaten ja përse edhe nuk më propozojnë të më marrin në veturat e tyre. Prandaj udhëtoj vetëm. I lirë nga budallalliku çmendanik i autostradës pa këmbë njeriu.
Nisem dhe nuk arrij kurrë në destinacion. Humbas rrugëve. Ose arrij sikur të isha nisur me kalin e gjyshit që siç më thoshte ja kishin mobilizuar dikur në kohë lufte.
“Si të ka shkuar prodhimi sivjet?” – e pyeta unë. “Të ka ecur mbarë apo jo? Se thonë se me këto fushat me kanabis, bletët janë trullosur, dhe dalin për të mbledhur polen, e nuk gjejnë rrugën për t’u kthyer mbrapsht!”
Prisja që të niste të ankohej sikurse e kemi zakon ne shqiptarët që marrim gjithë hallet e botës, përveç tonave, i hedhim hejbe mbi kurriz hallet e hallkut, dhe ecim me to për diku pa e ditur as drejtimin e as fundin e rrugës. Harrojmë tonat. Por, bletërritësi me faqet e bardha, i rruar xham, i qeshur, dhe me sy të gëzuar nuk e hangri karremin tim.
“Tani me thënë të drejtën, çfarë u ka ndodhur bletëve të të tjerëve unë nuk e di, por bletëve të mia rruga nuk u ka humbur. Mbase kam mbretëreshë të fortë te kosheret dhe i bën zap bletët që punojnë. Nuk është ky problemi im. Puna është se përhapja e kanabisit ka larguar blerësin, udhëtarin e huaj dhe atë vendas, këtu buzë rruge, nuk ndalon asnjë autobuz, sepse kanë frikë se në mjalt dhe hoje ka lëndë narkotike. Kjo e ka dëmtuar tregtinë, madje te unë e ndjej fort.”
Ngaqë përgjigja e tij më çoi në drejtime që as më kishte shkuar mendja, u fsheha dhe iu përdrodha pas një pyetjeje filozofike : “Thonë që mbretëresha është një mit te shoqëria e bletëve. Lum si ti që rri me bletët dhe e studjon nga afër sjelljen e tyre. Unë cfarë nuk do jepja të kisha pak kohë ta kundroja nga afër!”
“Si është mbretëresha, mor aman!”
“Lëre, profesor, ëshjtë një drejtuese e vërtetë. E rreptë, por e drejtë. Eshtë mbretëreshë, nuk është e zgjedhur. Mbreti lind mbret nuk bëhet!”
“Po hë!”
“Cfarë të them? Ajo në kohë krize për ushqim, ose kur kosherja mbipopullohet më shumë sesa duhet, i nxjerr meshkujt jashtë, me bletët – roje, dhe nuk i pranon kur ata duan të kthehen nga fluturimet. I nxjerr jashtë, i le në shi te porta, madje, dhe ata vdesin jashtë. Meshkujt i quan të panevojshëm në atë kohë krize. Palé kur mbarset mbretëresha. Nuk bën aktin nuptial në sy të bletëve të tjera, ikën fshehur diku tutje mes luleve dhe gjelbërimit, bashkë me një tufë meshkujsh. Këta të fundit pasi kryqëzohen me mbretëreshën, nuk kthehen dot më nga ai udhëtim sa mitik aq edhe i rrezikshëm. Prekin fundin e tyre dhe vdesin.Ti e di, maja e lavdisë është edhe fundi i saj, pastaj nis rrëzimi!”
“Paske vendosur edhe etiketa mbi ambalazh. Qenke me kulturë.”
“Shofer kamioni kam qenë në kohën e partisë.”
E ndjeva se tallej nga pak me mua. “A thua se nuk jemi tash në kohën e partive që në fakt janë një parti e madhe e ndarë në organizata të ndryshme ku baza grindet dhe shefat merren vesh.”
“Por, zanatin e kam mësuar me vështirësi. Kam gjetur një libër të vjetër të profesor Nurit, ai ishte dikur, dhjetra vite më parë, mbreti i kësaj shkence dhe teknologjie, të tjerët tani janë kopjacë pa skrupull. Se mos ka kurse e shkollim për ne prodhuesit e pavarur. Ja ashtu amatorë jemi, bëjmë çfarë mundemi. Të kisha mundësi të formohesha e të merrja dije, e di unë se çfarë do kisha bërë. A se mos ka shteti një shërbim me përkujdesje për bletët tona që dikush të na vijë t’i shohi, të na këshillojë, a të na bëjë të aftësohemi.”
“Sa koshere ke?”
“Nja njëzet, ca i kam andej nga Cakrani.”
“Kush ti ruan?”
“Askush! Unë mund ta hap prodhimin tim gjithandej sepse bleta është e bekuar, por më duhet financim. Më duhet kreditim. Po kush më jep kredi bankare mua o profesor! Unë kam nevojë për kredi të butë, por banka të thyen kërbishtjen. Pale sikur një vit të dështoj e mos kem të ardhura, kam frikë, se banka më merr edhe shtëpinë në Fier, që e kam bërë për djemtë e dhëndurët e mi.”
“Cfarë do kishe bërë?”
“Do e zgjeroja parkun e koshereve, do të punësoja, do përmirësoja teknologjinë, do e përpunoja, madje edhe do ta tregtoja jashtë, ja këndej nga greku a më tutje.”
“Shteti do të kishte interes të më kreditonte sepse do t’i jepja taksa, do ja shlyeja kredinë, do punësoja, dhe këto fusha do të lulëzonin. Por, sikurs e sheh jam i detyruar të qendroj këtu, pas kësaj karroceérie të vjetër, në rrugën me pluhur, të pres klientin.”
“Kaq mund të bësh!”
“E kuptoj, nuk e lashë të vazhdonte më gjatë, por ja produktet i ke ambalazhuar, diçka si amator, pa siguri higjene, por etiketë i paske vënë. Emër të bukur i paske vendosur: Amantia. Ku e paske gjetur o burrë!”
“Amantia është vajza ime e vogël. Ajo e vogla fare!”
“Ku është ?”
“E kam në Moskë për studime.”
“Cfarë thuaaaaaaa?”
“Po, profesor. Ja me këtë mjaltë e mbaj atje me studime. Kushton sa qimet e kokës. Po të kishte shkolla të mira këtu te ne, pse do të harxhoja gjithë ato lekë, një thes, cdo vit, në vend t’i investoja këtu për bletët e mia?”
Ula sytë përdhe!
“Lëre që universitetet nuk i propozojnë rinisë studime në fushat e prodhimit dhe në specialitete që nxjerrin parà, por edhe se çfarë i tërheqin në degë llafesh. Shesin diploma dhe nuk marrin dije të larta në ato drejtime që e begatojnë vendin.”
“Mashtrim i madh o profesor!”
“Mirë që Amantian e cova me studime në Moskë, e cova për mikrobiologji, me idenë se do të trashëgojë bletarinë e bekuar, e kam çupën flori. Një herë në vit shkoj ta shoh. Por, as ajo nuk kthehet më, as unë nuk e punësoj dot. Ku kam parà unë të punësoj një mikrobiologe???”
“Ti jo, por një shërbim prej mikrobiologeje, prej marketingu, prej kimisti, prej administrtatori, e ku e di unë, për prodhuesit e mjaltit, mund të kishte.”
“Ne i kemi tharë zanatet, fola nën zë, nuk u propozojmë të rinjve asgjë të hajrit, i gënjejmë me diploma pa vlerë në treg, dhe ata ikin andej këndej si zogjtë e korbit.”
“Korbat nuk i njoh, profesor, bletët po! “- ma priti bletërritësi i qeshur dhe i bardhë.
E luajti duke e ngritur mbi ballë kasketën e tij me kuadrate.
“Unë dua të blej hoje, dhe propolis” – i thashë.
“Por nuk jam i sigurt për cilësinë e propolisit. Etiketën e paske të bukur, por përbërësit mbi të të produktit nuk janë të shënuar. Asnjë laborator nuk i ka certifikuar.”
“Më beso profesor, janë qelibar, cfarë laboratori??? Ku ta gjej laboratorin unë!”
Mendova për njjë institut të shëndetit publik, prej vitesh si strehë militantësh. Një miku im më kishte thënë: Cfarë thua, atje një pjesë janë të gjithë në fushatë elektorale, gjithë vitin!
Se mos vetëm ata.
Presin bletët puntore nga ne parazitët, të paaftët, mediokrit!
E shumta jemi grenxa, korba, laraska vjedhacake, palé se e quajmë veten shqiponja.
Cfarë masakre i bëjmë përditë ekonomisë, shoqërisë, rinisë! Madje edhe bletëve! Ja pse as dallëndyshet nuk vijnë më në ballkonet tona! Na kanë braktisur të gjithë! Vetëm qenër të pisët enden në rrugët e Tiranës me një çip në vesh!
“Më bëj tre pako me hoje dhe katër shishka propolis. Kam disa miq të huaj që kur u them se çfarë doni si dhuratë, më përgjigjen : hoje bletësh shqiptare dhe propolis. M’i kërkojnë shumë miqtë.”
M’i solli. Dy shishka më shumë.
“Po këto?”
“Nga unë profesor, për qef. Ja që u njohëm, bëmë muhabet, pastaj ja ti, po bën agjentin tregtar për mua. Se mos ka shtet pikë grumbullimi për mjaltin, ose se mos promovon privatin ta bëjë këtë. Rrofsh që more mundimin ta ndalosh veturën këtu mes pluhurit dhe ferrave anash rrugës!”
“E jo mik, nuk e pranoj dhuratë unë. Ti ke dalë për tregti jo për të na bërë ne të Tiranës sevap.”
“Mos e thuaj atë fjalë, profesor, ishte e sinqertë! Nuk ke lidhje me ta ti !”
“Ja miqësia, ma dhurove, si mjalti në hoje, do të vij përsëri, sa herë të kaloj do ndalem. Do ma bësh një kafe.”
Ai qeshi me fytyrën e bardhë, pa asnjë rrudhë. Qeshte edhe miku i tij flokëkuq ulur në një karrige plastmasi, ngjyrë jeshile e errët, e plasaritur, me pluhur, e shëmtuar, sytë e tij ishin dinakë, të zgjuar, si edhe mbushur me ironi dhe mosbesim.
Më pëlqyen ata sy, edhe ai vështrim. Ishte gjithçka që meritoja bashkë me të gjithë të tjerët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



