Bonusi i fundvitit për pensionistët: Ja detajet e reja
Bonusi i fundvitit për pensionistët do të shpërndahet duke filluar nga java e dytë e dhjetorit, dhe jo sipas një grafiku të mëparshëm. Kjo u bë e ditur nga Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi në Bulqizë, ku sqaroi dhe rritjen e bonusit vjetor deri në 150 euro për disa kategori pensionistësh.
Rama njoftoi se do të alokohen 100 milionë euro nga buxheti i shtetit për shpërndarjen e bonusit. Përfituesit janë ndarë në dy grupe kryesore:
•Pensionistët me pension deri në 20,000 lekë do të marrin bonus prej 150 euro (15,000 lekë).
•Pensionistët me pension mbi 20,000 lekë do të përfitojnë 100 euro (10,000 lekë).
Kush përfiton dhe pse dallimi?
Ky dallim, sipas Kryeministrit, synon të mbështesë më shumë ata me pensione më të ulëta. Në total, më shumë se 511,000 përfitues do të marrin bonusin e trefishuar, ndërsa rreth 210,000 të tjerë do të përfitojnë bonusin e dyfishuar.
Kategoritë që përfitojnë përfshijnë pensionet e pleqërisë, pensionet sociale, invalidët e punës, nënat kryefamiljare, fëmijët jetimë dhe pensionet e veçanta si ato të ushtarakëve, akademikëve dhe minatorëve.
Premtimi për një bonus të dytë në pranverë
Kryeministri njoftoi gjithashtu se në pranverë, përpara zgjedhjeve, do të shpërndahet një bonus i dytë për pensionistët. Detajet mbi shumën dhe mënyrën e shpërndarjes do të bëhen të ditura në ditët në vijim.
Rama theksoi se këto bonuse janë pjesë e rritjes së fuqisë blerëse të pensionistëve dhe një tregues i rritjes ekonomike të vendit, duke shtuar se Shqipëria ka pasur rritjen më të lartë ekonomike në rajon gjatë dekadës së fundit.
Reforma e pensioneve dhe qëndrueshmëria financiare
Kryeministri kujtoi reformën e pensioneve të vitit 2014, duke e cilësuar atë si një arritje që garanton pensione më të larta për ata që kanë dalë në pension pas këtij viti. Ai shtoi se qeveria po punon për një plan të ri për vitin e ardhshëm, që synon të rrisë të ardhurat për pensionistët dhe të sigurojë stabilitetin financiar të sistemit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


