Bota, është në një kaos …
Të tjerë do lindin pas nesh, nga ne. Do rriten me ne, dhe pas nesh, sikurse u rritëm ne me të tjerë, pas të tjerësh. Do jetojnë pas nesh, ashtu siç jetuam ne, pas atyre që jetuan para nesh. Është ligj i pandryshueshëm i natyrës. U krijuam për të populluar botën, për ta zhvilluar atë e jo për ta shkatërruar. Lindëm me një mision, për të jetuar. U rritëm për një qëllim, variacionin e procesit jetësor. Do rrudhosemi për një arsye, rruga e gjatë dhe e vështirë e jetës. Do vdesim për dy arsye, për të mbyllur një cikël jetësor e për t’i lënë hapësirë një cikli të ri të vijojë.
Janë ligje natyrore që nuk ndryshuan me zhvillimin që solli rraca njerëzore në planet, dhe nuk do ndryshojnë sadoqë emancipimi të shkojë në majat e tij. Ja pse ligjet që shkruhen, duhet të jenë të një përmase të madhe, me themele të forta, sepse mbi to ndërtohet mënyra e të jetuarit, shoqëria dhe historia që vjen nga pas saj. Ligjet janë ato që kanë mbajtur në këmbë qytetërime to cilët autenticitetin e tyre vazhdojnë ta ruajnë ende sot. Ato janë hartuar nga njerëz me vizion dhe me dashamirësi të madhe për të ardhmen e njerëzimit, e që sot vijojnë të jenë në histori për bëmat e tyre pozitive, shembull për qindra breza para nesh, për ne, e me bindje them se, do jenë frymëzim për brezat pas nesh.
Historia ka treguar se njeriu është çuesi kryesor në çdo gjë që kemi sot nëpër botë.
Them historia, sepse çdo shpikjeje e çdo shpikësi, sikurse e citova më lart, pas i vjen historia. Çdo bëmë, e mirë a e keqe qoftë, shënohet diku për t’iu përcjellur më pas brezave. Shkruhen, vihen në praktikë, dhe si për çudi, pasi dëshmohet që impakti është pozitiv, nguliten dhe kthehen në ligje të patjetërsueshme. Asnjë ligj nuk zbriti, ata u hartuan, duke patur bazë praktikën dhe zbatueshmërinë. Jeta nuk ishte kështu si është sot, ajo u rregullua falë miratimit të normave, që lindën si pasojë e kaosit të krijuar nga anormaliteti. Nga këto, rezulton se njeriu, falë logjikës që e karakterizon, që në hapat e parë ka vënë re nevojën e të jetuarit brenda disa kontureve. Limitimi nuk është shkelje e të drejtës. Është mënyra e duhur për krijimin e stabilitetit dhe jetesës paqësore. Liria nuk është pa kufinj, ajo mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit. Deri këtu, bota ishte e lumtur. Por si pasojë e një injorance subkoshiente dhe egoje njerëzore për të patur gjithçka, qoftë edhe duke i hyrë në pjesë dikujt tjetër, ky ligj nisi të shtrembërohej, duke përfunduar sot, në një shtrembërim total. Ja çfarë çoi drejt zhdukjes së sa e sa qytetërimeve të mëdha. Ja çfarë dërgoi botën në luftëra të shumta. Ja çfarë do çojë drejt shfarosjes së njerëzimit dhe zhdukjes së akoma më shumë qytetërimeve. Bota, është në një kaos. Pak çfarë flasin për rritje ekonomike, mirëqenie. Ajo po përqendrohet çdo ditë e më shumë në duart e një grumbulli njerëzish që në fakt nuk e dinë çdo të thotë botë. Ata sillen si dashës e mbrojtës të lirisë, por në fakt janë totalitarë të lindur. Janë njerëz të ushqyer me urrjetje dhe me ide shfarosëse. Njerëz që duan çdo gjë për veten e tyre. Aq larg ka shkuar egoja, saqë duan zotërim të çdo pjese të planetit, me gjithë çka brenda tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



